klinika-infektive-koronavirus-covid-19-pase-heqjes-se-masave-foto-Ridvan-Slivova-2-1-780x439

Asnjë i vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, mbesin aktive 3 mijë e 695 raste

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur një rënie të lakores së rasteve të infektimit me coronavirus e gjithashtu edhe të rasteve të vdekjes nga ky virus.

Pas një përballje shumë muajsh me COVID-19, dje në vendin tonë nuk u shënua asnjë rast i vdekjes.

Kështu bëri të ditur IKSHPK në raportin 24 orësh, kurse raste pozitive ishin vetëm 35.

“KSHPK njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratorët private me metodën RT-PCR, si dhe laboratorët publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.199 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 35 raste pozitive. Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv”, thuhej në raportin e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, nga marsi i vitit 2020 e deri më sot, jetën nga ky virus e kanë humbur 2 mijë e 239 persona.

Kurse numri i të infektuarve ka arritur në 107 mijë e 213 raste, ndërkaq raste aktive aktualisht janë 3 mijë e 695.

Kryeministri Albin Kurti, pas publikimit të raportit dje nga IKSHPK-ja, tha se këto statistika rrisin shpresat që lakorja e rasteve të reja me coronavirus të pësoj rënie.

“Sot, kur u bënë dy muaj qëkur Qeveria jonë mori besimin e Kuvendit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë̈ Publike të Kosovës raporton për zero raste vdekjeje nga COVID-19. Kjo e shtunë i rritë shpresat tona me lakoret që shënojnë̈ rënie të rasteve të reja dhe rritje të numrit të të vaksinuarve dhe të të shëruarve nga COVID-19”, shkroi Kurti. /Telegrafi/