Astma bronkiale është sëmundje kronike obstruktive e rrugëve të frymëmarrjes e cila shkakton probleme serioze gjatë frymëmarrjes.
Karakterizohet me një reaksion të fuqishëm imunologjik dhe inflamacion kronik i sistemit trakeobronkial.
Sëmundja paraqitet në episode, d.m.th. përkeqësimet akute të sëmundjes ndërrohen në periudhat në të cilat nuk ka simptoma të astmës. Deri te sulmi astmatik vie gjatë përkeqësimit të inflamacionit, zakonisht ngase në mjedisin përkatës është prezent një faktor irritues apo një faktor provokues i astmës.
ÇFARË E SHKAKTON ASTMËN?
Trashëgimi mund të luajë rol të caktuar, por ekzistimi i astmës në familje nuk do të thotë se definitivisht ju ose fëmiu juaj do të sëmuret nga astma.
TRASHËGOHET AFINITETI NDAJ SËMUNDJES, E JO VET SËMUNDJA!
Astma shpesh për herë të parë paraqitet në fëmijëri dhe përfshin më tepër meshkujt se femrat.
Atopia dhe/ose alergjitë ne familje janë faktorët e rrezikut më të mëdhenj për zhvillimin e sëmundjes të fëmijët. Atopia është afinitet i sistemit imunitar të prodhojë antitrupa nga agjentët e rëndomtë, që shkakton simptoma të alergjisë.
Dermatiti atopik (ekzema) dhe riniti alergjik mund të shërbejnë si tregues kryesor i rrezikut të astmës tek porsalindurit dhe fëmijët e vegjël.
SI SHKAKTOHET ASTMA?
Nuk janë të gjitha format e astmës alergjike dhe as të gjitha alergjitë nuk shkaktojnë astmën bronkiale.
Astma paraqitet në mënyra të ndryshme. Mirëpo mekanizmi themelor i cili sjell deri te simptomat e astmës është një reaksion imunologjik i komplikuar i sistemit tonë respirator në alergjene të ndryshme nga mjedisi i afërt (më së shpeshti dermatofagoides, poleni dhe pluhuri), me ç’rast zhvillohet reaksioni inflamator duke u liruar mediatorët kimik të inflamimit.
KLASIFIKIMI I ASTMËS
1. Astma alergjike
Faktorët provokues janë:
– Furrtarja e zezë – Dermatofagoides pteronyssinus (alergjeni kryesor në pluhurin e shtëpisë).
– Qimet, puplat dhe epiteti i kafshëve.
– Kërpudhat.
– Poleni i barit, drunjve dhe shkurreve.
2. Astma joalergjike
Faktorët provokues janë:
– Tymi i cigareve.
– Mjetet dezinfektuese në amvisëri.
– Parfumet dhe aromat.
– Faktorët e ndotjes së mjedisit.
3. Astma profesionale
Alergjenët dhe faktorët provokues janë:
– Faktorët të cilët përshpejtojnë zhvillimin e astmës duke përfshirë ekspozimin e avujve, kemikateve, pluhurit, pesticideve, tymit dhe substancave tjera nga vendpunimi.
4. Astma e ndikuar nga aktiviteti fizik
Alergjenët dhe faktorët provokues janë:
– Ushtrimet që përfshijnë thithjen e ajrit të ftohtë (vrapimi dimrit) mund të shkaktojnë astmën e ndikuar nga aktiviteti fizik.
5. Astma e ndikuar nga aspirina
Një numër i konsideruar i njerëzve është i tejndieshëm në ilaçet josteroide inflamator, konzervans dhe emulgator të ndryshëm në ushqim.
SIMPTOMAT E ASTMËS
Pas ekspozimit të alergjeneve ose faktorëve të rrezikut, simptomat paraqiten vrullshëm, menjëherë ose rrallë pas disa orëve apo ditëve.
Simptomat klasik të sulmit astmatik janë: kollitja spazmodike, frymëzërja, fishkëllim gjoksi dhe ekspirium i zgjatur. Para sulmit astmatik mund të vie deri te iritimi i hundës dhe grykës. Sulmi zakonisht fillon me fishkëllim, dispne dhe përshpejtim të frymëmarrjes. Të gjithë muskujt e frymëmarrjes aktivizohen, kështu që të folurit përkeqësohet. Fundi i sulmit shënohet me sputum të dendur.
Astma, zakonisht përkeqësohet natën, ndërsa sulmet paraqiten në mes orës 2 dhe 4 të mëngjesit.
SI PARANDALOHET ASTMA APO PËRKEQËSIMI I SËMUNDJES?
Astma mund të parandalohet. Te fëmijët të cilët në familje është regjistruar astma ose atopia, fillimi i zhvillimit të astmës padyshim mund të parandalohet me largimin e ekspozimit të pirjes pasive të duhanit, pluhurit të shtëpisë, alergjeneve në ushqim, polenit, si dhe alergjeneve nga macet dhe kafshët tjera. Qasja e re në terapinë e astmës ndihmon të sëmurët t’i parandalojnë shumicën e sulmeve, zgjidhjen e simptomave problematike gjatë natës dhe ditës duke mbetur fizikisht aktiv. Për të arritur kontrolla adekuate të astmës nevojitet:
– Zgjedhja e ilaçeve adekuate dhe dozimi individual,
– qasja afatgjatë në kurimin e astmës,
– shërimi i sulmeve akute të astmës,
– identifikimi dhe mënjanimi i faktorëve që përkeqësojnë astmën,
– përcjellja dhe adaptimi i terapisë sipas shkallëzimit të simptomave të astmës,
– konsultimi i përhershëm me mjekun,
– hiposensibilizimi,
– edukimi i prindërve në lidhje me sëmundjen e fëmiut,
– kinezoterapia respiratore,
– aplikimi i metodave të diagnostifikimit të hershëm të sëmundjes: ekzaminimi funksional i sistemit respirator (spirometria, bodi pletismografia), testet alergjike kutane dhe bronkoprovokuese, IgE, etj.
Prim.dr.med.sc. Ali Iljazi
Internist – pulmolog