Po bashkëbisedoja me një mikun tim, një student i pjekur dhe i suksesshëm universiteti, gjatë një udhëtimi. Pasi folëm për gjëra të ndryshme radha erdhi tek marrëdhënia me familjen. Pasi më kishte treguar një copë herë të mirë në lidhje me dashurinë dhe respektin që kishte për prindërit e tij, një moment djaloshit iu përlotën sytë dhe më tha:
– I nderuar profesor, ne jemi një familje e mesme nga ana financiare. Jemi dy vëllezër që mësojmë në shkollë. Pa dyshim që arsimimi ynë i kushton financiarisht familjes sonë. Kjo më bën që herë pas here thellë në zemër të përjetoj ndaj babait tim ndjenja të fuqishme dhembshurie dhe keqardhjeje. Një herë kur ia shpreha këto ndjenja dhe mendime tim eti, ai më dha një përgjigje që nuk kam për ta harruar sa të jem gjallë. Ai më tha: “Biri im! Ju mos neglizhoni mësimet në mënyrë që të arsimoheni dhe të edukoheni. Ne jemi pleq dhe jetojmë edhe vetëm me bukë dhe me qepë. Po qe se nuk kemi para, jemi gati të shesim edhe shtëpinë dhe nuk do t’ju lëmë pa ju arsimuar. Mos u bëni merak për ne! Mjafton që ju të bëheni njerëz cilësorë që do t’i shërbeni atdheut dhe popullit tuaj.
Ja pra, çdo njeri i edukuar dhe i suksesshëm në jetë ka pas një histori të tillë të jetës, e cila duhet marrë parasysh. Në këtë histori do të ketë përherë mbështetësit, përpjekjet e tij personale dhe sa e sa mjete të tjera që e kanë ngritur drejt suksesit. Këto rrëfime suksesi në jetë kanë përherë lidhje me lutjet, përpjekjet, vështirësitë e përjetuara, durimin, këmbënguljen, sakrificën, vështrimet plot shpresë dhe interesimin e më të mëdhenjve ndaj më të rinjve. Këta njerëz më të mëdhenj mund të jenë prindërit, por edhe vëllezërit e mëdhenj, ndoshta edhe xhaxhai apo daja, mbase tezet apo hallat, ndonjëherë një mësues ose një njeri i sinqertë besimtar. Nuk ka dyshim se në historinë e suksesit një vend të rëndësishëm ka vetë personi mbi të cilin investohet. Aftësitë e tij, vullneti, dëshira, durimi, këmbëngulja, synimet, mundësitë që i ofron vendi dhe koha ku jeton dhe mbi të gjitha rrizku që i ka paracaktuar atij Zoti.
Në qoftë se mbjellja e pemës është sadaka, atëherë vallë çfarë sadakaje është mundësimi i formimit të një personi? Nuk ka dyshim se edukimi i një personi është një art i vështirë që nuk përngjan me edukimin e bagëtive apo me rritjen e bimëve. Nuk ngjason as me një makinë që punon si robot. Ai është një krijesë me zemër të ndjeshme. Adminstrimi i ndjenjave të një personi është puna më e vështirë. Durimi ndaj shpirtit që mund të ndryshojë në çdo moment duke përjetuar ngritje dhe rënie nuk është një punë e lehtë që njeriu i ngratë mund ta kryejë me fuqinë e tij. Pa stabilitet dhe pa qëndrueshmëri nuk ka edukim dhe përparim. Ata që kërkojnë të kultivojnë një burrë të vërtetë në jetë, duhet që në një anë t’i drejtohen Zotit dhe nga ana tjetër të kërkojnë mundësi dhe të bëjnë ato përpjekje nëpërmjet të cilave do ta përfitojë mëshirën dhe ndihmën e Allahut, duke iu qasur individit me mirësjellje në shoqërinë e një zemre të ndjeshme. Para së gjithash, çdo njeri duhet ta konsiderojmë të vlefshëm apo ashtu siç është shprehur mendimtari i njohur Muhamed Ikbal: “Vlera e njeriut është më e lartë se vetë qielli, ndërsa baza e arsimimit dhe edukimit të tij është respektimi i njeriut.” Zbulimi i saktë i vlerave dhe aftësive që përmban çdo njeri dhe njohja e tij nga të gjitha aspektet ka rëndësi shumë të madhe nga aspekti i përgatitjes dhe zhvillimit të tij. Për këtë është e nevojshme largpamësia dhe mendjemprehtësia. Ndërhyrjet e bëra kuturu dhe në mënyrë të verbër në të shumtën e herëve bëhen shkak që njeriu të plagoset, madje edhe të gjymtohet dhe ndoshta të vdesë nga aspekti shpirtëror. Nuk ka dyshim se njerëzit që merren me edukimin e njerëzve kanë nevojë të kenë një nivel të caktuar njohurish, por për ta është shumë më e domosdoshme të kenë një zemër të mbushur plot me dhembshuri dhe me dashuri. Zemra e mbushur plot me dashuri dhe me dhembshuri është burimi më i rëndësishëm i energjisë pozitive që e mbush me vlera pozitive fushën e interesimit. Interesimi i realizuar në mënyrë tangente dhe të thjeshtë nuk është asnjëherë zhvillues dhe ushqyes. Gjithashtu edhe interesimet e mbështetura në interesa personale dhe të kushtëzuara nuk janë të frytshme. Interesimi me synim skllavërimin e personit me logjikën se “njeriu është robi i mirësisë që i bëhet”, nuk mbjell në zemrën e bashkëbiseduesit farat e dashurisë, por të urrejtjes dhe kështu që nuk ka për të qenë asnjëherë një lloj edukimi.
Durimi në emër të formimit të individit është një bazë e pashmangshme. Madje lindja para kohe e fëmijës mund të përfundojë me ndërprerjen e jetës së tij. Prandaj lindjet e personaliteteve dhe autoriteteve të shëndosha janë më shumë të vështira dhe të gjata sesa lindjet biologjike. Për këtë arsye, ata që nuk dinë të tregojnë durim dhe këmbëngulje, nuk mund të ndihmojnë asnjëherë që botës t’i vijnë personalitetet e nevojshme. Këqyrja e vazhdueshme e personit që dëshirojmë të formojmë, kujdesi i vazhdueshëm ndaj tij, më e rëndësishmja, krijimi i vendit të lirë për të në zemër dhe në shpirt, madje edhe ndarja me të e mundësive të jetës kanë qenë metodat e edukimit të suksesshëm që kanë aplikuar murshidët dhe edukatorët e suksesshëm. Njeriu i vërtetë nuk mund të formohet dhe të lulëzojë pranë personave egoistë, që mendojnë vetëm për interesat e tyre. Ata që nuk e durojnë tipin e ndryshëm, që nuk dinë ta falin atë kur është e nevojshme dhe që nuk e mbyllin njërin sy ndonjë- herë për gabime të lehta, janë njerëz shterpë në drejtim të formimit të personaliteteve. Fjalët e gnostikut dhe murshidit të madh Mustafa efendi Haxhivejsizade se “po qe nevoja përballem me shqetësimet e një mijë myna- fikëve, që të arrij të formoj një personalitet të vërtetë myslimani” është një shembull i goditur që pasqyron shpirtin e thellë të edukatorëve të suksesshëm. Të mundësosh edukimin e një njeriu cilësor, ndonjëherë është e nevojshme të përballohen vështirësitë që të krijojnë qindra njerëz të tjerë. Koncepti që i mveshet sulltan Mehmetit II se “Jam i gatshëm të duroj problemet e një mijë personave vetëm e vetëm që të arrij të formoj një personalitet të vërtetë”, shpreh një përvojë lidershipi që është formuar me kalimin e shekujve. Këto fjalë mund t’i shprehë secili, por pranimi i tyre kërkon një horizont të gjerë. Sa e sa insitucione janë mbyllur brenda një kohe të shkurtër për shkak të mungesës së horizontit të gjerë dhe të mungesës së durimit. Një herë, një mistik mysliman më pati këshilluar me këto fjalë: “Biri im, ndonjëherë një person i vetëm duhet konsideruar si të ishte një klasë e tërë. Edhe sikur t’i caktoni dhjetë më- sues një njeriu të tillë nuk keni bërë shpenzim të tepërt për të. Ka studentë për të cilët po të shpenzoni vetëm një lek dhe është e tepërt, por ka studentë të tillë që po të harxhoni miliona për ta, ia vlen!” Sa konstatim i saktë! Vetëm përreth këtij botëkuptimi mund të formohen dhe të zhvillohen njerëz të suksesshëm. Ka edhe nga ata që kërkojnë personalitete e që nuk i vlerësojnë njerëzit e aftë që kanë para syve, por duke u kyçur në portretin e personalitetit që kanë vizatuar në imagjinatën e tyre, ata çojnë dëm sa e sa mundësi financiare. Allahu (xh.sh.) ia pati tërhequr vërejtjen në këtë pikë vetë Profetit të Tij, Muhamed (a.s.), duke e urdhëruar që të interesohej dhe të mos i nënvleftësonte aspak personat që Zoti i kishte drejtuar në shoqërimin e tij, vetëm e vetëm se këta persona konsideroheshin të parëndësishëm nga ana tjetër e shoqërisë. (Kehf, 28) Në këtë kontekst, mjeshtri që lavdëron çirakun e mjeshtrit tjetër dhe nuk e vlerëson çirakun e tij, prindërit që ua ngulin sytë fëmijëve të të tjerëve dhe nënvleftësojnë fëmijët e tyre, mësuesi apo edukatori që merret me nxënësit e të tjerëve dhe hedh pas krahësh nxënësit e tij, administratori apo lideri që nënvleftëson ekipin e tij dhe lartëson personelin e të tjerëve, të gjithë këta nuk ka dyshim që kanë rënë brenda një mashtrimi të qartë.
Po aq sa është fitore e madhe formimi dhe edukimi i një personaliteti të madh, po aq humbje e madhe është të mos vlerësosh njerëzit e formuar apo të tregohesh indiferent dhe të heshtësh përpara humbjes së tyre, në emër të fesë, kombit, atdheut, madje edhe në emër të njerëzimit. Po kështu, të shuash një zemër të gjallë, të çosh dëm aftësitë e personave të caktuar, të shuash entuziazmin e njerëzve, të skllavërosh njerëzit apo t’i kthesh ata në robotë, është një tradhti e madhe që i bëhet kapitalit njerëzor të umetit. Si përfundim, në qoftë se formimi i një personaliteti të vërtetë është ideali ynë, kjo nuk do të arrihet të realizohet pa zemër të ndjeshme, pa dashuri, pa durim, pa këmbëngulje, pa dhembshuri, pa interesim dhe pa dua.