19433567_935615369910356_1183950538_n

Bajrami i Fitri (Shenjat e Bajramit dhe të Ramazanit) [HUTBE]

الحمد الله الذي بنعمته تتم الصالحات

الحمد الله الذي أكمل الدين ورضي بالإسلام دينا

الحمد الله القائل:

﴿وَقُلِ ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ ٱلَّذِي لَمۡ يَتَّخِذۡ وَلَدٗا وَلَمۡ يَكُن لَّهُۥ شَرِيكٞ فِي ٱلۡمُلۡكِ وَلَمۡ يَكُن لَّهُۥ وَلِيّٞ مِّنَ ٱلذُّلِّۖ وَكَبِّرۡهُ تَكۡبِيرَۢا١١١﴾

الله أكبر   الله أكبر    لا إله إلا الله     والله أكبر    الله أكبر    ولله الحمد

 

Pejgamberi ﷺ  na i mësoi të gjitha detajet e Bajramit. Prej tyre ka gjëra të mëdha e të vogla. Prej gjërave të mëdha të Bajramit është se namazi i Bajramit është dyrekatësh, pa ezan e pa ikamet, ndërsa pas namazit e kemi hutben ose ligjëratën e Bajramit.

Pra, ditën e Bajramit, këtë ditë më të gëzuar të vitit, ne e fillojmë me ligjëratë ose me porosi fetare, gjë që aludon çfarë rëndësie ka ligjërata fetare, çfarë rëndësie ka këshilla dhe porosia në Islam. Pra, ne, edhe në ditë gëzimi, mësojmë diç të re dhe dëgjojmë diç të mirë. Ne edhe gëzimin duhet ta bëjmë me balancë, gëzim së bashku me porosi e me dije.

Së këndejmi, ai që e fillon ditën e Bajramit me namaz e me hutbe, themi se ditën e ka nisur mbarë.

Pjesëmarrja masive në Bajram: Pejgamberi ﷺ  namazin e Bajramit e falte në hapësirë, e jo në xhami. Aty, përveç burrave e fëmijëve, Pejgamberi ﷺ  i urdhëronte edhe gratë që të marrin pjesë. Sigurisht, gratë rrinin mbrapa burrave, gjë që dëshmon unitetin tonë, afërsinë që duhet ta kemi. Uniteti ynë, bashkimi ynë e gëzon Zotin dhe neve na e shton gëzimin, ndërsa uniteti ynë armikut i shton vetëm dhembje.

Pejgamberi ﷺ  në ditën e Bajramit, gjatë vajtjes për ta falur Bajramin, shkonte përmes një rruge, kurse kthimin e bënte përmes një rruge tjetër. Me këtë shtoheshin lëvizjet e kallaballëku dhe shpërndahej gëzimi edhe më shumë.

Pejgamberi ﷺ  çështjen e unitetit të besimtarëve nuk e kishte vetëm fjalë goje, porse ai kishte vepra. Zekati i fitrit është obligim para Bajramit, ashtu që të mos ketë dallime në Bajram: të festojnë të pasurit, kurse ata që nuk i kanë kushtet e mira të shikojnë. Jo! Ti që e ke kushtet e mira, jepi atij që nuk ka dhe kështu të gjithë së bashku kemi çfarë të festojmë dhe kemi me se t’i presim mysafirët.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtarët, kur është fjala për mëshirën, dashurinë dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit, janë sikurse një trup: kur një gjymtyrë e trupit sëmuret, i gjithë trupi rënkon nga sëmundja me pagjumësi dhe zjarrmi.”[1]

Kështu pra, ne e ndajmë së bashku gëzimin, e edhe mërzinë.

Madje, gënjeshtra e cila është e ndaluar dhe shumë e shëmtuar, lejohet në rast pajtimi mes hasmëve, ndërsa fjalët, edhe nëse janë të vërteta, por barten për të prishur besimtarët mes vete, janë të ndalura dhe njihen si nemime.

Prej shenjave të pranimit të agjërimit të Ramazanit është vazhdimi me vepra të mira pas tij.

Mysafirët tanë, kur kthehen në vendet e tyre të largëta, a ndodh që ne t’i shkëpusim të gjitha lidhjet?! Jo, por ne kontaktojmë me ta dhe i mbajmë lidhjet përmes telefonatave. Kështu ne i mbajmë lidhjet me agjërimin, përmes adhurimit vullnetar të ditëve të vlefshme.

Edhe pse nuk i kemi teravitë, ne i kemi xhamitë dhe i mbajmë lidhjet me to. Është shumë e keqe që lidhjet të cilat i ndërtojmë me Allahun, këta litarë të fuqishëm, t’i shkëpusim pas Ramazanit.

Madje, edhe në çështjet e dynjasë, gjërat e kundërta vetëm se prishin punë. E keni parë nëse qesim ujë të ngrohtë në një gotë dhe menjëherë i qesim ujë të ftohtë, gota kriset. Po ashtu, zemra, e cila është ushqyer me vepra të mira, nëse menjëherë e mbushim me punë të liga, ajo prishet.

Prandaj, edhe ne medoemos na duhet t’u kushtojmë rëndësi veprave të mira e të mos i ndërpresim ato. Është shumë normale që të mos ecim me të njëjtën shkallë sikurse në Ramazan, por jo të biem në gjërat me të cilat nuk është i kënaqur Zoti ynë.

 

Pjesa e dytë e hutbes

Pejgamberi  ﷺ  ka thënë: “Agjëruesi ka dy gëzime: gëzohet kur bën iftar dhe gëzohet kur të takohet me Zotin e vet.”[2]

Secili prej nesh e ka provuar urinë, qoftë dhe pak, ose etjen, ose është lodhur, ose ka ndier kokëdhembje etj. Mirëpo, në momentin që bën iftar, i ha dy-tri hurma, pi një gotë me ujë, e harron sakaq tërë atë lodhje, tërë atë uri dhe etje.

Kështu, kjo është vetëm një skenë e shkurtër për atë që do të ndodhë në ahiret. Tërë lodhjet, sprovat, brengat, sëmundjet, borxhet, dhimbjet e kësaj bote do t’i harrojë besimtari, i cili ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, posa të takohet me Zotin e tij, me Mëshiruesin, me Atë që na ka premtuar vetëm falje dhe mirësi.

Pra, mbetet ajo që po e kërkon Allahu prej nesh, që është besimi dhe veprat e mira, ndërsa tërë dhembjet e kësaj dynjaje do të harrohen në momentin që të takohemi me Të.

[1] Buhariu nr.6011.

[2] Buhariu nr. 7492.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi