BAJRAMI – RREGULLA DHE DISPOZITA

  1. Bajrami është rit islam, në të paraqiten pamjet e nënshtrimit dhe përuljes ndaj Allahut si dhe shumë nga kuptimet shoqërore dhe shpirtërore.
  2. Në arabisht Bajrami quhet ‘Id, që do të thotë se kthehet dhe përsëritet, dhe për çdo vit kthehet i ripërsëritur me gëzim. Po ashtu thuhet se është emërtuar me këtë emër me shpresë që ajo (festa) t’i përsëritet atij që e përjetoi. Është emërtim i tubimit vjetor që përsëritet në formë të zakonshme.
  3. Festat janë rite që gjenden te çdo popull dhe festimi i tyre ndërlidhet me instinktin dhe natyrshmërinë e ngulitur në shpirtin e njeriut. Njerëzit në festa tubohen dhe e paraqesin gëzimin dhe lumturinë.
  4. Festat tona janë përmendje të Allahut dhe gëzim me begatinë e Allahut: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus: 58.), ndërsa festat e të tjerëve janë idhujtari, femohim dhe mëkatim.
  5. Festat tona janë statike, të caktuara me argument nga Allahu, prandaj myslimanët në dynja nuk festojnë përveç tri festave:
  • Festa që përsëritet për çdo javë, kjo është dita e xhumasë.

  • Dy festa që vijnë për çdo vit nga një herë, ato janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se kur erdhi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Medine, i gjeti banorët e saj duke i festuar dy festa, në të cilat argëtoheshin dhe dëfreheshin, dhe ju tha: “Çfarë festa janë këto?!” – I thanë: “ Në periudhën para Islamit i festonim këto dy festa dhe argëtoheshim në to!” – I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Allahu jua zëvendësoi këto dy festa me dy të tjera më të mira se këto, Kurban Bajramin dhe Fitër Bajramin.”[1]

  1. Festat e myslimanëve janë nga ritet e Allahut që duhet të ngjallen, të kuptohet synimi i tyre dhe të ndihet kuptimi i tyre. Fjala e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Çdo popull i ka festat e veta dhe kjo është festa jonë”[2], aludon në atë se myslimanët i kanë dy festa, jo më shumë, dhe atyre nuk u lejohet t’u përngjasojnë jobesimtarëve dhe idhujtarëve në diçka që është e veçantë për festat e tyre.
  2. Festat e myslimanëve janë që të afrojnë tek Allahu. Në to madhërohet Allahu, paraqitet gëzimi dhe lumturia për begatinë e dhënë dhe si festa janë të lidhura ngushtë me adhurime të mëdha.
  3. Fitër Bajrami vjen me përfundimin e muajit të agjërimit dhe të teravive, a Kurban Bajrami bie në mes të riteve të mëdha të haxhit dhe para tij është dita e Arafatit, dita më e mirë nga të gjitha ditët e vitit. Të dyja festat janë të lidhura me një shtyllë prej shtyllave të Islamit, që nënkupton se festat tona vijnë pas përfundimit të adhurimit të Allahut, Zotit të botëve.
  4. Një nga veprat e mëdha të ditës së Fitër Bajramit është nxjerrja e zekatit të fitrit para se të falet namazi i Bajramit. Zekati i fitrit është pastrim për agjëruesin dhe ushqim për të varfrin.[3]
  5. Ndalohet agjërimi në ditën e Bajramit, duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndaloi të agjërohet këto dy ditë, dita e Fitër Bajramit dhe dita e Kurban Bajramit.[4]
  6. Një ndër sunetet e mëdha të ditës së Bajramit është tekbiri. Allahu tha: “Ai dëshiron që ta plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare: 185)
  7. Ligjërohet tekbiri i papërcaktuar[5] në Fitër Bajram, prej perëndimit të diellit të natës së Bajramit e deri kur imami del për ta falur namazin.[6]
  8. Tekbiri në Kurban Bajram është i papërcaktuar dhe i përcaktuar:

Tekbiri papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, çdo  gjendje dhe çdo vend, dhe përfundon ditën e katërt të Bajramit me perëndimin e diellit.

Tekbiri përcaktuar shqiptohet pas namazeve farz. Fillon prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë.

  1. Prej formave të tekbirit që përcillen prej të parëve tanë: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lallahu uallahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahi elhamd.” Është përcjellë edhe me tri tekbire d.m.th. tri herë të shqiptohet Allahu ekber.

Prej formave të tjera që përcillen është edhe: “Allahu ekber kebiren, Allahu ekber kebiren, Allahu ekber ue exhel’l, Allahu ekber ue lilahi el hamd”

Dhe disa në fund e shtuan edhe shtojcën: “Allahu ekberu ala ma hadana

  1. Prej sunetit është që tekbiri të shqiptohet me zë të lartë, ngase nëpërmjet tyre paraqiten ritet e Islamit dhe rikujtohet tjetri. Pëlqehet që njerëzit të bëjnë tekbir në ditën e Bajramit, në xhami dhe në shtëpitë e tyre dhe nëpër rrugë, qofshin udhëtarë apo vendasë.[7] Përcjell el-Farjabij me zinxhir të vërtetë prej Ebu Abdurrahman es-Sulemij se ka thënë: “Gjatë Fitër Bajramit ishin më të zëshëm me tekbir sesa gjatë Kurban Bajramit.”
  2. Unanimisht nuk ligjërohet tekbiri kolektiv, ku një grup njerëzish e fillojnë së bashku dhe e mbarojnë së bashku me një zë të vetëm nga fillimi e deri në fund, apo ndahen në dy grupe dhe njëri grup bën tekbir e tjetri i përgjigjet dhe i përsërit fjalët e grupit të parë. Kjo formë është e re në fe dhe bie në kundërshtim me udhëzimin e të parëve tanë të mirë.

Mënyra e drejtë është që tekbiri të bëhet individualisht dhe nëse ndodh që zërat të përputhen në mes vete, kjo nuk është problem nëse bëhet pa qëllim.

  1. Prej udhëzimit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në ditën e Bajramit ishte rregullimi, zbukurimi dhe parfumosja dhe veshja e rrobave të reja, prandaj edhe pëlqehet për burrat t’i veshin rrobat më të bukura që i kanë në posedim.
  2. Gruaja duhet të përkujdeset që të dalë e mbuluar sipas rregullave fetare dhe të mos veshë rroba të zbukuruara gjatë daljes së saj për te faltorja e Bajramit, bazuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Gratë le të dalin (për në xhami), mirëpo jo të zbukuruara.”[8] D.m.th. le të dalin me rrobat e tyre të zakonshme dhe jo rroba të lakuriqësisë dhe të mos dalin në rrugë të parfumosura, kurse burri nuk duhet të harrojë se ai është përgjegjës për familjen e tij dhe se ai do ta japë llogarinë para Allahut për kopenë e tij.
  3. Nga rregullat dhe etika e Bajramit është që myslimani t’ia urojë festën myslimanit me urim të bukur që përmban fjalë të bukura dhe të lejuara, çfarëdo qofshin ato. Kjo është nga virtytet e larta të moralit dhe nga shfaqja e mirësive shoqërore në mes të myslimanëve, si p.sh. urimi i njëri-tjetrit me fjalën: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira)”, apo “Urime Bajramin”, dhe të ngjashme me to nga fjalët e lejuara për urim.

Shokët e Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur takoheshin ditën e Bajramit ia uronin njëri-tjetrit duke thënë: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve (adhurimet dhe veprat e mira).”[9]

  1. Namazi i Bajramit është nga ritet e mëdha të fesë. Për burrat të falet namazi është detyrim, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëroi që të falet, dhe pas vdekjes së tij katër halifët e vazhduan të njëjtën traditë.
  2. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Preferohet që në Fitër Bajram namazi të vonohet disa minuta,[10] kurse të përshpejtohet në Kurban Bajram[11], duke e ndjekur traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
  3. Pëlqehet që trupi të pastrohet për namaz të Bajramit, siç përcillet nga Seid ibën el-Musejib, Allahu e mëshiroftë, i cili tha: “Veprat që pëlqehen në ditën e Bajramit janë tri: të ecurit në këmbë deri në faltoren e Bajramit, ngrënia para daljes nga shtëpia për në faltore dhe pastrimi i trupit.”

Më mirë është që koha e pastrimit të jetë pas namazit të sabahut, po edhe nëse pastrohet para sabahut, bën dhe nuk është problem.

  1. Prej suneteve të braktisura është ngrënia para daljes për në namaz të Fitër Bajramit. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër Bajram nuk dilte nga shtëpia derisa nuk hante hurma dhe numri i tyre ishte tek.[12]
  2. Ndërsa në Kurban Bajram prej suneti është që të mos hajë derisa të kthehet nga namazi, ta therë kurbanin dhe të hajë nga mishi i kurbanit të tij.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, për Kurban Bajram nuk hante derisa e falte namazin e Bajramit.[13]

Nëse myslimani nuk ka kurban për të therur “për të nuk ligjërohet të abstenojë nga ushqimi para namazi, dhe ai mundet të zgjedhë, nëse ha para se të dalë për në namaz nuk i themi se e ke kundërshtuar sunetin me veprimin tënd.”[14]

  1. Pëlqehet që myslimani të shkojë sa më herët në faltoren e Bajramit [15] dhe të jetë sa më afër imamit në rreshtin e parë, kjo është më nxitëse për në vepra të mira dhe kjo ishte edhe tradita e shokëve të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të. Përcillet që Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, dilte nga shtëpia për në faltore pas lindjes së diellit dhe kur arrinte te faltorja njerëzit vetëm se kishin ardhur më herët.
  2. Pëlqehet që myslimani të bëjë tekbir me zë të lartë duke shkuar rrugës për në faltoren e Bajramit. Përcillet se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër Bajram bënte tekbir[16] që nga momenti kur dilte nga shtëpia derisa arrinte te faltorja dhe derisa fillonte me namazin e Bajramit.[17]

Përcillet me një transmetim të saktë se Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, bënte tekbir me zë të lartë që kur dilte nga shtëpia e tij, e derisa mbërrinte në faltore. Pas kësaj bënte tekbir derisa vinte imami dhe me ardhjen e imamit ndalej, e nëse imami bënte tekbir edhe ai bënte tekbir.

  1. Pëlqehet që myslimani për në faltoren e Bajramit të shkojë në këmbë dhe të ecën i qetë. Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, shkonte për në faltore në këmbë dhe kthehej në këmbë.”[18]
  2. Pëlqehet që të shkohet për në faltoren e Bajramit nga njëra rrugë dhe kthimi pas faljes së namazit të jetë nga rruga tjetër, kështu veproi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të. Urtësia qëndron në atë se rrugët do të dëshmojnë për atë që eci nëpër to dhe do të dëshmojnë banorët e saj nga njerëzit dhe xhinët, nëpër to do të paraqiten ritet e Islamit, do të shpresohet në ndryshimin e gjendjes drejt faljes dhe të kënaqurit e Allahut, dhe do t’i përshëndesë vëllezërit e tij myslimanë si dhe të afërmit.
  3. Nga sunetet e Bajramit është falja e namazit jashtë ndërtesave, nuk falet nëpër xhami përveç në raste nevoje apo domosdoshmërie, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në vazhdimësi e falte atë në shkretëtirë dhe nuk e falte në xhaminë e tij, e që është xhamia më e mirë pas xhamisë së shenjtë në Meke.

Dijetarët e veçojnë faljen e namazit të Bajramit në xhami vetëm për banorët e Mekës, sepse ata namazin e Bajramit e falin në xhaminë e shenjtë në Meke (el-Mesxhid el-Haram).

  1. Namazi i Bajramit falet nëpër qytete dhe fshatra dhe nuk ligjërohet të falet në shkretëtirë dhe në udhëtim, kështu ka ardhur në sunetin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe nuk ka ardhur argument se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe sahabët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e kanë falur namazin e Bajramit në udhëtim e as në shkretëtirë.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e bëri haxhin e lamtumirës, atë vit dita e Arafatit ra në ditën e xhuma dhe namazin e xhumasë nuk e fali në Arafat dhe të nesërmen nuk e fali as namazin e Bajramit në Mina. Vitin kur u nis për ta çliruar Mekën, udhëtoi për në Meke dhe aty qëndroi deri në fillim të muajit Sheval dhe aty e zuri Bajrami dhe nuk transmetohet se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e fali namazin e Bajramit në të.[19]

  1. Për në faltore përveç burrave dalin edhe fëmijët, gratë dhe ato që janë me menstruacione, që të prezantojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve. Ummu Atijeh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tha: “Jemi urdhëruar që në të dy bajramet, Fitër dhe Kurban Bajrami, me ne grave të dalin edhe vajzat e reja dhe gratë me menstruacione, dhe të prezantojnë në mirësinë dhe lutjet e myslimanëve, kurse gratë me menstruacione janë urdhëruar që mos t’u afrohen faltoreve (por të qëndrojnë pak anash vendfaljes së xhematit.’’[20]
  2. Namazi i Bajramit falet dy rekate dhe imami në to lexon me zë. Në rekatin e parë e merr tekbirin fillestar, e pas saj i merr edhe shtatë tekbire të tjera dhe më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure tjetër apo disa vargje nga Kurani.

Në rekatin e dytë ngritet duke marrë tekbir dhe pasi drejtohet në këmbë i merr edhe pesë tekbire të tjera, e më pas e lexon suren el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani.[21]

Gjatë çdo tekbiri pëlqehet të ngriten duart si në tekbirin fillestar.

  1. Përcillet se Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në mes të tekbireve të namazit të Bajramit e falënderonte dhe e lavdëronte Allahun dhe dërgonte salavate mbi Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të.[22]
  2. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcillet se në dy bajramet në namaz e lexonte suren El’A’la në rekatin e parë dhe suren El-Gashije në rekatin e dytë.[23]

Po ashtu përcillet se në rekatin e parë e lexoi suren KÂF dhe në rekatin e dytë El-Kamer.[24]

  1. Nëse vjen me vonesë ndokush nga xhemati dhe i lidhet imamit kur imami është duke i shqiptuar tekbiret shtesë, i shqipton edhe ai tekbiret me imamin dhe e pason atë në namaz dhe nuk detyrohet t’i kompensojë tekbiret e humbura, a nëse i ik rekati e kompenson sipas mënyrës që falet.
  2. Namazi i Bajramit nuk ka ezan e as ikamet. Xhabir ibën Semureh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se jam falur me Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Fitër dhe Kurban Bajram, edhe atë jo vetëm një apo dy herë, dhe çdo herë e ka falur pa ezan dhe pa ikamet.[25]
  3. Imami njëherë fillon me namaz e pastaj e mban hutben. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, hutben e hapte duke e falënderuar Allahun dhe nuk përcillet se hutben e hapte me tekbir, qoftë për Fitër apo Kurban Bajram.
  4. Hutbeja e Bajramit është sunet dhe prezenca apo dëgjimi i saj nuk është i patjetërsueshëm, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi e fali Bajramin tha: “Kush do që të shkojë le të shkojë dhe kush do që të qëndrojë dhe ta dëgjojë hutben le të qëndrojë.”[26].
  5. Kujt i ik namazi i Bajramit, mendimi më i saktë është se pëlqehet ta kompensojë namazin dhe ta falë në formën e vet, pra dy rekate, dhe pa hutbe pas saj.
  6. Kush del për ta falur namazin e Bajramit dhe i ik namazi dhe e gjen imamin duke e mbajtur hutben, le të ulet ta dëgjojë imamin, e pastaj le ta falë namazin, kështu të bashkojë në mes dy dobive.
  7. Para dhe pas namazit të Bajramit nuk ka namaz nafile (vullnetar), ngase Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ditën e Bajramit e fali namazin e Bajramit dy rekate dhe nuk fali para apo pas namazit ndonjë namaz tjetër.[27]

A nëse e fal namazin e Bajramit në xhami, atëherë i fal dy rekate për xhaminë kur të hyjë në xhami.

  1. Nëse bie Bajrami ditën e xhumasë, atij që e ka falur Bajramin i lehtësohet që të mos e falë xhumanë, bazuar në fjalën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Sot në këtë ditë ju janë bashkuar dy festa, prandaj kush dëshiron të mos e falë namazin e xhumasë, i mjafton namazi i Bajramit. Po gjithsesi ne do të falim edhe xhumanë.”[28]

Nëse nuk e fal xhumanë duhet ta falë namazin e drekës në kohën e vet në shtëpi, vetë apo me xhemat, e nëse shkon për ta falur namazin e xhumasë kjo është më e mirë.

Nuk ligjërohet që namazi i drekës të falet nëpër xhami, madje nuk lejohet që në këtë ditë të hapen xhamitë e as të thirret ezani për namazin e drekës[29]. [30]

  1. Thënia se për atë që e fal Bajramin bie namazi i xhumasë dhe namazi i drekës është gabim, që e kundërshton sunetin dhe mendim jo i drejtë dhe dijetarët e mohojnë atë.[31]
  2. Ai që nuk e fal namazin e Bajramit, për të nuk bie detyrshmëria e faljes së namazit të xhumasë. Ai duhet të shkojë në xhami për ta falur xhumanë, e nëse brenda në xhami numri i xhematit nuk e arrin numrin e mjaftueshëm që e detyron namazin e xhumasë, atëherë e fal namazin e drekës.[32]
  3. Për imamin e xhamisë nuk bie detyrshmëria e namazit të xhumasë, ai detyrohet ta falë atë, nëse në xhami vijnë numër i mjaftueshëm për xhuma, që nuk e kanë falur namazin e Bajramit apo e kanë falur Bajramin mirëpo duan ta falin edhe xhumanë.[33]
  4. Nga etika dhe rregullat e Bajramit është respektimi i lidhjeve farefisnore me vizita, me dhurata, interesimi për ta me telefonata dhe afrimi i zemrave të njëri-tjetrit.
  5. Dita e Bajramit është ditë e nënshtrimeve dhe e afrimit tek Allahu me vepra të mira dhe ditë falënderimi të Allahut për plotësimin e begatisë, nuk është ditë e mëkateve dhe veprimit të ndalesave. Nuk i ka hije një myslimani që Bajramin ta shndërrojë në ditë të bërjes së gjynaheve dhe organizimit të koncerteve muzikore dhe pirjes së alkoolit.[34]
  6. Nata e Bajramit nuk lejohet të veçohet nga netët e tjera të vitit me namaz nate, përveç për atë që e ka traditë namazin e natës gjatë netëve të tjera të vitit, në këtë rast nuk ka problem nëse ngritet natën e Bajramit dhe fal namaz nate, kurse hadithet që kanë ardhur për vlerën e ngjalljes së natës të Bajramit me namaz nate nuk janë të sakta.
  7. Prej gabimeve që bëhen atë ditë është përzierja e grave me burra në faltoren e Bajramit apo edhe nëpër xhami, kjo është sprovë për të dy gjinitë, kështu që burrat dhe të rinjtë është më mirë të mos largohen nga faltorja apo xhamia vetëm pasi të dalin gratë prej aty.
  8. Duhet përkujdesur që në ditën e Bajramit të ulet shikimi dhe të ruhet dëgjimi dhe shpirti nga harami.

Njëri nga shokët e Sufjan eth-Theuriut, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dola me të ditën e Bajramit dhe më tha: ‘Gjëja e parë që do të fillojmë me të sot është ulja e shikimit’.”

Kur u kthye në shtëpi Hasan ibën Ebi Sinan, Allahu e mëshiroftë, nga falja e namazit të Bajramit, gruaja e tij i tha: “Sa gra të bukura rrugës i shikove?!” U përgjigj: “Prej kur dola e deri kur u ktheva në shtëpi nuk shikova, përveçse në gishtin e madh të këmbës.”

  1. Pëlqehet shfaqja e gëzimit me rastin e Bajramit, ndërsa dëfrimi dhe të kënaqurit e vetes dhe familjes dhe fëmijëve është i nevojshëm dhe i kërkuar, nëse në të nuk ka diçka që bie ndesh me parimet fetare.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Ishte ditë Bajrami, ndërkohë që disa habeshinj (abisinas) po luanin me disa mburoja prej lëkure dhe me shtiza. Nuk më kujtohet se a e pyeta Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, apo ai më tha:
“A do të shohësh?”

“Po” – i thashë. Ai më ngriti lart pas tij, derisa faqja ime e prekte faqen e tij, kurse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Vazhdoni , o Beni Erfide.”[35]

  1. Lejohet që për Bajram fëmijëve t’u jepet hapësirë dhe mundësi për dëfrim dhe lojëra të lejuara, madje kjo llogaritet adhurim dhe afrim tek Allahu, sepse fut gëzim në shpirtrat e tyre dhe me një hadith të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, përcillet se ka thënë: “Qe ta dinë çifutët se në fenë tonë ka hapësirë për gëzim dhe se jam i dërguar me fe të pastër dhe tolerante.”[36]
  2. Bajrami është shkak dhe rast për gëzim. Në të duhet të shfaqen pamjet e gëzimit dhe diçka nga dëfrimi që e ka lejuar feja, si p.sh. gratë t’i bien defit.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hyri tek unë në shtëpi, ndërsa brenda dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit, ndërkohë Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kishte mbuluar fytyrën me petk, kurse Ebu Bekri kur i pa ashtu iu foli ashpër dhe Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, e shpalosi fytyrën dhe  i tha: ‘Lëri o Ebu Bekër! Këto ditë janë ditë feste’.”[37]

Kjo aludon se lejohet që gratë t’i bien defit për Bajram dhe se lejohet këndimi me fjalë dhe poezi të lejuara fetarisht, mirëpo kjo assesi nuk aludon se lejohet përdorimi i muzikës dhe veglave dhe mjeteve muzikore për Bajram, ashtu si ceket nëpër argumente, përveç defit i cili u veçua në këtë rast.

  1. Po ashtu është vërtetuar se grave u lejohet t’i bien defit në ditët e Teshrikut (ditët e Teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të Kurban Bajramit, e të cilat janë: Dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e muajit Dhulhixhe).

Ngjarja që u cek në hadithin e mëparshëm të Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ishte në ditët e qëndrimit në Mina. Në hadith përcillet se: “Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hyri tek Aisha dhe brenda i pa dy vajza të reja në moshë (që nuk e kishin arritur moshën e pubertetit) po këndonin dhe i binin defit në ditët e qëndrimit në Mina.”[38]

Ditët e qëndrimit në Mina janë ditët e Teshrikut

.

  1. Në Bajram kanë filluar të përdoren disa lojëra të rrezikshme, që i dëmtojnë njerëzit nëpër rrugë apo shtëpitë e tyre, në to bëjnë pjesë raketat dhe fishekzjarret, dhe largimi i tyre është çështje e patjetërsueshme. Këto gjëra e harxhojnë pasurinë, e dëmtojnë trupin, u pengojnë dhe u bëjnë zhurmë njerëzve nëpër shtëpitë e tyre.

 

E lus Allahun që t’i zbukurojë ditët tona me adhurime ndaj Tij, të na i mbushë shtëpitë dhe zemrat tona përplot gëzim dhe lumturi me begatitë e Tij, dhe t’i pranojë nga ne dhe nga myslimanët veprat e mira. Amin.

Falënderimi i takon vetëm Allahut.

 

Dr. Muhamed El-Munexhid

Përktheu nga gjuha arabe: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri “SEZONET E ADHURIMIT”)

 

[1] Ebu Davud (1134), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[2] Buhariu (952), Muslimi (298).

[3] Këtu për qëllim është Fitër Bajrami, kurse në Kurban Bajram nuk jepet ndonjë lloj zekati, po preferohet të theret kurban, dhe koha e therjes fillon pasi të falet namazi i Bajramit, kurse kafsha që theret para se të falet namazi i Bajramit është mish i thjeshtë dhe jo mish kurbani. (sh.p.)

[4] Buhariu (1991), Muslimi (827).

[5] Dijetarët tekbirin e ndajnë në të papërcaktuar dhe të përcaktuar. Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë se dallimi mes dy llojeve të tekbirit është se tekbiri i papërcaktuar shqiptohet në çdo kohë, kurse ai i përcaktuar shqiptohet vetëm pas çdo namazi farz në Kurban Bajram. Koha e tekbirit të papërcaktuar në Kurban Bajram fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, kurse në Fitër Bajram prej kur perëndon dielli ditën e fundit të muajit Ramazan dhe hyn nata e parë muajit Sheval, e deri kur të falet namazi i Bajramit. Kurse tekbiri i përcaktuar siç e cekin dijetarët fillon prej namazit farzit të sabahut ditën e Arafatit e deri në ditën e katërt të Bajramit pas farzit të namazit të ikindisë. (Mexhmua Fetava ue resail, shejh Uthejmini, vëllimi 16, Kapitulli i Bajramit.) (sh.p.)

[6] Kjo vlen për Fitër Bajram, kurse në Kurban Bajram tekbiri i papërcaktuar fillon me hyrjen e muajit Dhulhixhe e deri në ditën e katërt të Bajramit kur perëndon dielli, dhe në Kurban Bajram preferohet që prej namazit të sabahut në ditën e Arafatit e deri në namazin e ikindisë të ditës së katërt të Bajramit pas çdo farzi të bëhet tekbir, jashtë tekbirit të papërcaktuar. (sh.p.)

[7] Kurse për Kurban Bajram e cekëm edhe më herët se preferohet prej ditës së parë muajit Dhulhixhe e deri ditën e trembëdhjetë të muajit Dhulhixhe apo ditën e katërt të Kurban Bajramit. (sh.p.)

[8] Ebu Davud (565), shejh Albani e saktësoi në Sahih el-Xhami (7457).

[9] Ibën Haxheri e vlerësoi zinxhirin e tij si të mirë në Fet’hul Barij 92/446).

[10] Derisa njerëzve t’u jepet kohë për ta nxjerrë zekatin e Fitrit. (sh.p.)

[11] Kurse në Kurban Bajram preferohet që të përshpejtohet falja e namazit të Bajramit, pasi të hyjë koha e vet, që të ketë më shumë hapësirë për therjen e kurbaneve (sh.p.)

[12] Shënon Buhariu (953.)

[13] Tirmidhiu (542), shejh Albani e saktësoi hadithin.

[14] Esh-Sherh el-Mumti (5/124).

[15] Imami veçohet këtu, sepse ai vjen më vonë, kur të hyjë koha e namazit të Bajramit dhe menjëherë fillon me namaz. (sh.p.)

[16] Pëlqehet e njëjta edhe në Kurban Bajram. (sh.p.)

[17] Përcillet si merfu (zinxhiri përfundon tek Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të) dhe si meukuf (zinxhiri i hadithit përfundon tek ndonjë sahabij), shejh Albani e saktësoi edhe si merfu edhe si meukuf në el-Irva (650).

[18] Ibën Maxheh (1294), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[19] Shih: Fetave Ibën Baz (9/13), dhe sherh el-Mumtia (5/130).

[20] Buhariu (338), Muslimi (1475).

[21] Ky është mendimi i imam Shafiut (El-Um 1/395), dhe Ibën Abdulber (El Kafij 1/264). Mendimi i dijetarëve të medh’hebit hanbelij dhe malikij është se merren shtatë tekbire në rekatin e parë përfshirë këtu edhe tekbirin fillestar, kurse në rekatin e dytë merren gjashtë duke përfshirë këtu edhe tekbirin gjatë ngritjes nga sexhdeja e rekatit të parë, pra, para leximit të sures. (El Mudev’vene 1/169, El Kafij 1/264, El Mugni 3/271.) Kurse hanefitë e kanë mendimin se njëherit merret tekbiri fillestar e pastaj lexohet lutja e hapjes së namazit (subhaneke…)  e pastaj merren tri tekbire dhe pastaj lexohet surja el-Fatiha dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, kurse në rekatin e dytë imami së pari lexon Fatihanë dhe një sure apo disa vargje nga Kurani, pastaj i merr tri tekbire radhazi, dhe në tekbirin e katërt, përkulet në ruku, (Hashijetu ibën Abidin 2/172). (Marrë nga faqja https://saaid.net/mktarat/eid/79.htm) (sh.p.)

[22] Et-Taberanij në el-Kebir (9/303), shejh Albani e saktësoi në el-Irva (642).

[23] Muslimi (887).

[24] Muslimi (891).

[25] Muslimi (887).

[26] En-Nesaij (1571), shejh Albani e vlerësoi si të saktë.

[27] Buhariu (964), Muslimi (884).

[28] Ebu Davud (1073), shejh Albani e saktësoi.

[29] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119 – koleksioni i dytë)

[30] Pra nëse xhemati shkon në xhami, atëherë duhet ta falin namazin e xhumasë e jo të drekës. (sh.p.)

[31] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/120)

[32] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

[33] Shih: Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh (7/119)

[34] Nuk ligjërohet vizita e varrezave në ditën e Bajramit, kjo ditë është ditë gëzimi. Ndalesa bën pjesë në ndalesën e përgjithshme të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ndaloi që varrezat të merren vend feste dhe këtu për qëllim është në kohë të caktuara dhe periudha të njohura nga kuptimi i marrjes së varrezave si vend feste. Kjo vlen për atë që varrezat i viziton vetëm se për Bajram dhe pasi e fal namazin e Bajramit shkon njëherë bën bajram me të vdekurit e pastaj shkon te të gjallët nga familja, në këtë rast ky njeri gabon sepse kjo ditë është ditë feste dhe ajo festohet me të gjallët, e jo me të vdekurit. (sh.p.)

[35] Buhariu (950), Muslimi (892).

[36] Imam Ahmedi (24855), shejh Albani e vlerësoi si të mirë në es-Sahiha (4/443)

[37] Buhariu (3529), Muslimi (892).

[38] Buhariu (987), Muslimi (892).