thumbs_b_c_30ffb6d8a3670bd27dda7c9c4b5d7b01

Ballkani Perëndimor me mesatare më të lartë se Evropa në fatalitetet rrugore

Ballkani Perëndimor ka një mesatare më të lartë se sa Evropa të personave të cilët humbin jetën në rrugë, u tha gjatë një organizimi për promovimin e udhëzimeve për sigurinë në rrugë, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, mori pjesë ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përfaqësues të Komunës së Prishtinës dhe pjesëmarrës të tjerë.

Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek tha se njerëzit e marrin gjithmonë për të qenë sigurinë rrugore për në shkollë, institucione apo punë, por, statistikat tregojnë ndryshe. Ai tha se në botë, statistikat e sigurisë rrugore janë aktualisht mjaft shqetësuese dhe tregojnë që 1.2 milionë njerëz vdesin në rrugë brenda vitit, bashkë me miliona të tjerë të lënduar seriozisht për gjithë jetën.

“Evropa është një nga liderët kur vjen fjala tek siguria rrugore në botë. Në një milion banorë 46 fatalitete ndodhin çdo vit. Në Ballkanin Perëndimor ky numër është më i lartë, është 73. Këto janë statistikat rrugore për në një milion banorë në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë, gjatë vitit 2023, 104 persona humbën jetën në rrugë”, theksoi Zakonjshek.

Ai shtoi se fakti që Ballkani Perëndimor është në një kontrast të fortë me mesataren e BE-së “shtron nevojën urgjente për përpjekje të bashkërenduara për të kapërcyer këtë hendek dhe për të shpëtuar jetë në rrugët e rajonit”.

Zv/ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka theksuar se siguria rrugore është bërë një nga problemet më të mëdha në shoqërinë kosovare. Siç tha ai, aksidentet e trafikut rrugor janë një problem multidisiplinor, ndaj përballimi i këtij problemi kërkon përfshirjen e të gjithëve.

“Aksidentet paraqiten si problem mjaft serioz për të gjitha institucionet dhe qytetarët në Republikën e Kosovës ku që nga viti 2022 e deri në vitin 2023 në rrugët e Kosovës kanë humbur 212 persona, janë lënduar 31.619 persona si dhe janë shkaktuar humbje të mëdha ekonomike dhe dhimbje të pallogaritshme për të afërmit e viktimave. Ndërsa në periudhën janar-mars 2024 kanë humbur jetën 17 persona ndërsa në vitin 2023 ky numër ka qenë 24, pra, 7 persona më pak të vdekur krahasuar me vitin e kaluar, apo 29.16 për qind”, theksoi Durmishi.

Ai tha se edhe numri i të lënduarve ka qenë me një rënie prej 0.73 për qind gjatë këtij viti krahasuar me vitin 2023, derisa shtoi se ministria që udhëheq ai ka bërë një strategji për sigurinë rrugore si dhe një program kombëtar dhe plan veprimi për sigurinë rrugore 2023-2030, i cili është në proces miratimi.

Sipas tij, ky program parasheh marrjen e masave dhe fushatave të ndryshme në të gjitha institucionet publike.

Ministri kosovar potencoi se kostot direkte apo indirekte të aksidenteve në komunikacion variojnë nga një deri në tre për qind të bruto produktit vendor në shumicën e vendeve të botës.