thumbs_b_c_0e31927f5ccddd3e2cf9b324227025e1

“Banorët e Gazës po përjetojnë mungesë ekstreme të ujit”

Bashkia e Gazës njoftoi se palestinezët në qytetin e Gazës vuajnë nga “etja serioze dhe mungesa e ujit” për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite në puset e ujit dhe rrjetin e ujit, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Bashkisë së Gazës thuhet se “Populli i Gazës po përjeton mungesë ekstreme të ujit për shkak të shkatërrimit të puseve dhe rrjeteve të ujit nga Izraeli pushtues”. Në qytetin e Gazës ka pasur “krizë uji”, veçanërisht uji i pijshëm.

Banorët vendas duhet të ecin rreth 1.5 kilometra për të arritur tek uji. Zëdhënësi i Bashkisë së Gazës, Husnu Mehna, në deklaratën për Anadolu tha se ushtria izraelite që nga 7 tetori 2023 ka shkatërruar 42 puse uji dhe impiante për trajtimin e ujit të detit në qytetin e Gazës.

Në deklaratën më 31 maj nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhej se më shumë se 700 puse uji në Rripin e Gazës mbetën jashtë funksionit për shkak të sulmeve nga ushtria izraelite dhe bllokimit të pikave kufitare dhe pengimit të hyrjes së karburantit.

“Uji i disponueshëm në Rripin e Gazës vlerësohet të jetë afërsisht 10 deri në 20 për qind e ujit total përpara sulmit”, tha Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave dhe Autoriteti Palestinez për Cilësinë e Mjedisit në deklaratën më 5 qershor.

Sulmet e Izraelit në Gaza “krijuan mjedis të papërshtatshëm për jetën”, shkatërruan gjerësisht infrastrukturën dhe mungesa e karburantit shkaktoi dështimin e të gjitha objekteve dhe sistemeve të trajtimit të ujërave të zeza.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori janë vrarë 37.164 palestinezë, përfshirë të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa 84.832 persona u plagosën. Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.