Bateritë e përdorura dëmtojnë seriozisht shëndetin

Rrezik për shëndetin kur bateritë e përdorura nuk riciklohen. Kryesisht bateritë që përdoren për automjetet, janë një ndër ndotësit kryesorë të zonave urbane. Në vendin tonë këto bateri mund t’i blejmë në çdo dyqan që tregton pjesë për automjete. Por problemi qëndron se ku hidhen bateritë e përdorura. Dy elementët kryesorë, të cilët hyjnë në trupin e njeriut duke dëmtuar seriozisht shëndetin, janë plumbi dhe acidi sulfurik. Këta dy elementë të dëmshëm mund të merren nga ajri, uji dhe zarzavatet e mbjella pranë zonave të prekura kryesisht prej plumbit. Në shumë raste bateritë e vjetra të automjeteve përfundojnë në koshin e plehrave ku hidhen mbetjet urbane, gjë që duhet të jetë e ndaluar, pasi ato janë shumë të rrezikshme për mjedisin, por edhe për shëndetin tonë. Kryesisht këto bateri pasi konsumohen, në rastin më të mirë përfundojnë në koshin e plehrave, ose gjenden të hedhura në tokë, duke përbërë rrezik jo vetëm për të rriturit, por edhe për fëmijët. Në kryeqytet ndodhen shumë pika grumbullimi dhe riparimi të baterive të automjeteve, të cilat janë rrezik për personat që punojnë në këto servise pasi nuk mbajnë veshje mbrojtëse, por edhe për banorët pranë këtyre zonave. Por rreziku nuk vjen vetëm nga këto bateri, por edhe nga ato që ne i përdorim për konsum të përditshëm, për telekomandat, lodrat e fëmijëve etj.

/kohaislame