BE dhe SHBA bien dakord mbi taksat për çelikun dhe aluminin

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja arritën dakordim lidhur me mosmarrëveshjen e taksës doganore për çelikun dhe aluminin e cila vazhdonte që nga viti 2018, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zv.presidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombovskis, në një postim nga llogaria e tij në median sociale tha se “Me SHBA-në jemi dakorduar për të ndaluar mosmarrëveshjen tregtare në çështjen e çelikut dhe aluminit”.

Ai tha se BE-ja dhe SHBA-ja do të fillojnë një bashkëpunim për një rregull global lidhur me çelikun dhe aluminin dhe se detajet e marrëveshjes në fjalë do të njoftohen në programin e G20 nga presidenti amerikan Joe Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

SHBA-ja në vendimin e saj për të zbatuar taksa doganore shtesë për çelikun dhe aluminin e importuar të cilin e filloi në vitin 2018 me arsyen e “sigurisë kombëtare”, përfshiu edhe vendet e BE-së.

Pavarësisht bisedimeve intensive, pala e BE-së nuk mundi të bindë SHBA-në që të hiqte dorë nga vendimi për të zbatuar taksën doganore përkatësisht 25 për qind dhe 10 për qind për çelikun dhe aluminin.

BE-ja mori masa balancuese si kundërpërgjigje tregtare ndaj SHBA-së dhe vendosi në zbatim taksimin me 25 për qind për qindra produkte të ndryshme të importuara nga ky vend për misrin, barbunjën, orizin, drithërat, gjalpin e kikirikut, boronicën, lëngun e portokallit, uiskin, puron, cigaret, duhanin, buzëkuqin, xhinset, çarçafët, këpucët, lavamane, shkallë, ventilatorë, motoçikletë, jahte, vaka, tuba dhe çelikun.

Pala e BE-së në muajin qershor planifikonte ta rriste në 50 për qind taksën doganore për disa produkte amerikane, por si rezultat i bisedimeve ky plan u pezullua.

Në kuadër të marrëveshjes së fundit parashikohet që BE-ja një pjesë të produkteve të çelikut dhe aluminit në fjalë t’i eksportojë në SHBA pa zbatimin e taksës doganore.

Përkundër kësaj pritet që pala e BE-së të ulë taksat doganore shtesë që zbaton ndaj shumë produkteve amerikane.

Gjithashtu planifikohet që palët lidhur me çështjet të heqin dorë në mënyrë reciproke edhe nga paditë e tyre në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).