BE do të fshijë 300 mijë portale .eu që operojnë në Britani

Pasojat e Brexit bien edhe mbi 300 mijë domaine .eu të cilat janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Komisioni Evropian ka vendosur që me daljen e Anglisë nga BE, të fshihen një numër i lartë sajtesh ueb me domainin .eu që përbëjnë edhe 10% të totalit të sajteve .eu në Evropë.

Në dokumentin e lëshuar nga Brukseli, lexohet qartësisht se kjo masë do të jetë aktive duke filluar nga 29 mars 2019 dhe nuk do të ketë mundësi apelimi.

Një vendim ky që ka vënë në krizë kompaninë që merret me menaxhimin e domeneve .eu e cila është akredituar zyrtarisht nga Komisioni Evropian që nga 2005 dhe derdh në arkat e komisionit miliona euro çdo vit.

Një portal teknologjie, The Register, gjatë komentimit të këtij lajmi, kritikon këtë vendim të Komisionit Evropian, duke e konsideruar si një kundërvënie ndaj lirisë së internetit për tu rritur sa më shumë duke mos pasur limite.

Ky portal insiston edhe në faktin që, në të ardhmen, Londra do të ketë mundësi të futet edhe në negociata me Brukselin në lidhje me këtë çështje.