Institucionet e Bashkimit Evropian (BE), ranë dakord për krijimin e një fondi prej 6 miliardë eurosh për të forcuar marrëdhëniet ekonomike me vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu.
Këshilli i Evropës njoftoi se një marrëveshje u arrit për krijimin e Fondit të Reformës dhe Rritjes i cili u negociua mes vendeve anëtare dhe Parlamentit Evropian (PE) dhe i cili është elementi kryesor i Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratë thuhet se me fondin do të jepen 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor në periudhën 2024-2027.
Fondi në fjalë do të plotësojë instrumentin ekzistues të Asistencës së Para-Aderimit (IPA III), thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se ndihma financiare e siguruar për partnerët në rajon do të rritet ndjeshëm.
Gjithashtu fondi do të mbështesë reformat lidhur me BE-në në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të inkurajojë afrimin ekonomik të rajonit me BE-në. Fondi në fjalë, do të hyjë në fuqi pas miratimit zyrtar nga PE-ja dhe vendet anëtare.
Komisioni Evropian (KE) vitin e kaluar përgatiti një plan të ri për Ballkanin Perëndimor me qëllimin për të forcuar rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar afrimin socialo-ekonomik.
Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së mes Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.