BE-ja do të ndajë buxhet prej 3 miliardë eurosh për mbështetjen e sirianëve në Turqi

BE-ja do të ndajë buxhet prej 3 miliardë eurosh për mbështetjen e sirianëve në Turqi

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja do të ndajë një buxhet prej 3 miliardë eurosh deri në vitin 2024 për të mbështetur sirianët e strehuar në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas Samitit të Liderëve të BE-së të mbajtur në Bruksel, von der Leyen mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Kryeministrin e Portugalisë, kryesuesin e radhës të BE-së, Antonio Costa.

Von der Leyen tha se marrëdhëniet me Turqinë dhe situata e sirianëve ishin ndër temat e diskutuara gjatë samitit.

“Ne e kemi bërë të qartë se do të vazhdojmë të mbështesim Turqinë, e cila pret miliona refugjatë sirianë, dhe partnerë të tjerë në rajon si Jordania dhe Libani”, shtoi ajo.

Von der Leyen tha se pjesa dërrmuese e barrës është mbi rajonin dhe se është në interesin e përbashkët të Evropës të mbrojë refugjatët dhe të mbështesë mikpritësit e tyre. Duke theksuar se ata kanë ofruar mbështetje në të kaluarën dhe se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, von der Leyen tha:

“Ne planifikojmë të ndajmë një shtesë prej 3 miliardë eurosh deri në vitin 2024 për të mbështetur refugjatët në Turqi. Këto para do të vijnë tërësisht nga buxheti i BE-së dhe do të përdoren për mbështetjen socio-ekonomike të refugjatëve. Nuk do të jenë më vetëm artikuj të ndihmës emergjente. Kjo për shkak se sirianët kanë jetuar në këtë rajon për vite me radhë dhe kanë nevojë për perspektivë në vitet e ardhshme. Përveç kësaj, ne do të mbështesim Turqinë në menaxhimin e migracionit në kufirin e saj lindor. Në të njëjtën kohë, Komisioni i BE-së do të sigurojë 2,2 miliardë euro për sirianët në Jordani dhe Liban deri në vitin 2024. Ne kemi ftuar anëtarët e BE-së për të siguruar më shumë fonde”.

Duke njoftuar se udhëheqësit e BE-së e mbështesin këtë paketë, von der Leyen tha se Komisioni Evropian tani do të përgatisë propozimin zyrtar ligjor.