BE-ja lufton përsëri për një mbushës universal

Për pothuajse një dekadë, rregullatorët nga BE-ja i inkurajojnë prodhuesit të përdorin mbushës të standardizuar – për ta zvogëluar sasinë e mbeturinave elektronike.

Çdo telefon i ri i mençur vjen me një mbushës i cili shpesh përfundon në mbeturina. Kjo mund të jetë ose për shkak të prishjes ose për shkak se thjesht bëhet i panevojshëm (sepse del ndonjë i ri, më i shpejtë, me një konektor tjetër). Mbushësit e tillë aktualisht përbëjnë 51.000 tonelata të mbetjeve elektronike të prodhuara çdo vit në BE.

Qëllimi afatgjatë ka qenë gjithmonë që telefonat dhe mbushësit të blihen ndaras, në mënyrë që të gjithë të prodhohen me një lloj konektori, i cili do të përdoret për disa gjenerata. Qysh në vitin 2009, prodhuesit më të mëdhenj të atëhershëm (Samsung, Apple, Nokia dhe të tjerë) e nënshkruan një marrëveshje me të cilën pohonin se do ta përdorin vullnetarisht portin aktual microUSB, transmeton “Koha Ditore”. Shumica këtë e kuptuan që në vetë pajisje (telefon ose tablet ose…) ta vendosin një port microUSB, përveç Apple. Apple, ndryshe nga ata, filloi të prodhonte adapter microUSB/lightning, ndoshta sepse e kuptuan fitimin potencial.

Shumica e tabletëve dhe telefonave të sotëm të mençur dhe shumë laptopë (përfshirë edhe MacBook) përdorin USB Type-C, por iPhone vazhdon të jetë përjashtim me konektorin e vet Lightning. Kjo shkakton pakënaqësi të caktuara tek rregullatorët dhe tek komiteti i konkurrencës tregtare.

Komisionerja e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager, thekson: “Duke e pasur parasysh përparimin e dobët me këtë qasje vullnetare, Komisioni do ta fillojë së shpejti një studim të ndikimit për t’i vlerësuar përfitimet dhe kostot e një qasjeje të tillë”. Aplikimi i përdorimit obligativ të konektorit USB Type-C nuk do të ishte problem për shumicën e prodhuesve, por Apple mund t’i shkaktojë kokëçarje.

Konsumatorëve me siguri do t’u kishte pëlqyer kjo qasje unike, pasi që me një mbushës universal do të mundë të mbusheshin të gjitha pajisjet e listuara në mënyrë të pavarur nga prodhuesi.

Në këtë situatë, Apple do ta humbiste një pjesë të “tortës” financiare që vjen nga shitja e mbushësve, kabllove dhe adapterëve të vet të specializuar.