[There are no radio stations in the database]
BE-ja pret që të formohet Kuvendi dhe Qeveria e re në Kosovë

BE-ja pret që të formohet Kuvendi dhe Qeveria e re në Kosovë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë dalë me një qëndrim për procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit 2025 në Kosovë, transmeton Anadolu.

Zyrtaret e BE-së theksuan se populli i Kosovës ushtroi të drejtën demokratike të votës në zgjedhjet e përgjithshme dhe për monitorimin dhe rekomandimet rreth procesit zgjedhor, BE-ja dërgoi Mision Vëzhgues Zgjedhor (EOM) me 104 vëzhgues.

Kallas dhe Kos deklaruan se BE-ja pret që të formohet Kuvendi dhe Qeveria e re dhe se do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian.

Ato vlerësuan se zgjedhjet e 9 shkurtit ishin të qeta dhe konkurruese, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve dhe aplikimin e një ligji të ri zgjedhor, derisa fushatën elektorale e vlerësuan si aktive.

Po ashtu bënë thirrje që Kosova të angazhohet përgjegjshëm në bashkëpunim rajonal dhe t’i zbatojë marrëveshjet.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është mënyra e vetme për që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj europiane. Kosova pritet të implementojë angazhimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e Dialogut të kaluara pa vonesa apo kushte të tjera. Nuk ka alternativë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.

Në fund, ato e vlerësuan kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE të bërë në dhjetor të vitit 2022, duke shtuar se Komisioni Evropian është i gatshëm të ofrojë një opinion për këtë kërkesë sa herë që Këshilli ta kërkojë atë.


[There are no radio stations in the database]