BE ofron mbështetje për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ka prezantuar programin për mbështetje të sektorit të drejtësisë në Kosovë me një buxhet prej 7 milionë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).

Programi i cili ka për qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, u prezantua nga ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, së bashku me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial si dhe nga Akademia e Drejtësisë.

Volkmar Theobald nga sektori i drejtësisë në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se qëllimi i këtij projekti është forcimi i kapaciteteve dhe rritja e bashkëpunimit të institucioneve të sektorit të drejtësisë.

“Dëshirojmë të forcojmë pavarësinë, llogaridhënien, profesionalizmin dhe kualitetin, efikasitetin dhe transparencën e këtij sistemi”, theksoi Theobald.

Me këtë mbështetje në sektorin e drejtësisë, Theobald tha se BE dëshiron që të përmirësohet qasja në drejtësi sidomos për gratë si dhe grupet e margjinalizuara.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Pranvera Ejupi, tha se ky projekt është një nga më ambiciozët dhe projektet më të nevojshme për institucionet e drejtësisë në vend.

“Ky është një projekt, aktivitetet dhe objektivat e të cilit fokusohen tek nevojat dhe përmirësimi i dobësive të sistemit tonë të drejtësisë”, theksoi Ejupi duke shtuar se programi do të përfshijë 450 aktivitete për të përforcuar sistemin e drejtësisë.

Projekti i cili kishte filluar të ideohej nga tetori 2020, do të zbatohet deri në janar të vitit 2024.

12 ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë që do të nisin punën nga 1 shkurti në kuadër të këtij programi, synojnë të ndihmojnë institucionet në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale, forcimin e pavarësisë, paanshmërisë, llogaridhënies, dhe transparencës së gjyqësorit dhe po ashtu qasjen në drejtësi për çdo qytetar, veçanërisht për gratë dhe grupet e pafavorizuara ose të margjinalizuara.