thumbs_b_c_b2a3b49b113431fd3d39ca9516fe74c7

BE: Që nga 7 tetori, 31 nga 36 spitalet në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar

Bashkimi Evropian (BE) tha se 31 nga 36 spitalet në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar që nga 7 tetori 2023 e deri më tani dhe bëri thirrje për përfundimin e sulmeve ndaj objekteve shëndetësore të cilat janë jetike për civilët, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave dhe Ndihmën Humanitare thuhet se 31 nga 36 spitalet në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar ndërsa ato që nuk janë shkatërruar veprojnë pjesërisht ose nën kufizime serioze.

“Qasja në kujdesin shëndetësor urgjent është edhe më i rëndësishëm në një kohë kur palestinezët në Gaza jetojnë nën bombardime të vazhdueshme dhe ku mbi 9.000 njerëz të plagosur rëndë përballen me rrezikun e vdekjes për shkak se nuk mund të marrin kujdes të mjaftueshëm shëndetësor”, thuhet në deklaratë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që nga 7 tetori e deri më tani ka identifikuar 890 sulme ndaj objekteve shëndetësore prej të cilave 443 në Rripin e Gazës dhe 447 në Bregun Perëndimor, thuhet në deklaratën ku përcillet se sulmet që shënjestrojnë punonjësit e shëndetësisë, spitalet dhe ambulancat, shkaktojnë ndërprerje të shërbimeve mjekësore.

Më tej në deklaratë bëhet thirrje për përfundimin e sulmeve ndaj objekteve shëndetësore dhe që palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar.

Në Bregun Perëndimor nën pushtim janë dëmtuar qëllimisht mbi 50 objekte shëndetësore dhe 300 ambulanca, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se ka shqetësime nga sulmet e kryera kundër shërbimeve shëndetësore.

“Para syve tanë po përjetohet një tragjedi njerëzore në kohë reale. BE-ja ka shqetësim të thellë për vuajtjet e popullatës civile në Gaza”, theksohet në deklaratën ku përsëritet thirrja e BE-së për armëpushim të menjëhershëm, lirimi i pengjeve pa kushte dhe sigurimin e qasjes së plotë në ndihmat humanitare.