FB_IMG_1675270314781

“Bereqeti” merr përsipër renovimin e pesë shtëpive në Mitrovicë

Drejtori i shoqatës “Bereqeti”, z. Behxhet Ajvazi, i shoqëruar nga sekretari i kësaj shoqate, z. Xheladin Fazliu, si dhe nga koordinatorët e shoqatës në Mitrovicë, z. Cena Bala dhe z. Armend Haxhiu, janë pritur sot në takim nga kryetari i komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza.

Në këtë takim është biseduar lidhur me situatën në komunë pas vërshimeve dhe për dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, e cila funksionon në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, duke parë situatën e krijuar pas vërshimeve në Mitrovicë, ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë komunën me renovimin e pesë shtëpive për familjet e prekura nga vërshimet.

Kryetari Hamza ka falënderuar shoqatën “Bereqeti” dhe stafin e saj për ndihmën dhe solidaritetin e treguar ndaj familjeve që kanë pësuar dëme të shumta në shtëpitë e tyre nga vërshimet.