“Bereqeti” në bashkëpunim me “Swiss Barakah” shpërndanë pako ushqimore në Podujevë

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” në bashkëpunim me shoqatën “Swiss Barakah” në Zvicër kanë shpërndarë 45 pako me produkte ushqimore së bashku me nga një palë këpucë. Përfitues të këtij aksioni kanë qenë familjet në nevojë në Podujevë, ku për shkak të pandemisë dhe stinës së dimrit gjendja e disa familjeve është rënduar.

Kujtim Hyseni koordinator i “Bereqetit” në Podujevë thotë se ky aksion ka qenë më se i nevojshëm për t’iu dalë në ndihmë familjeve, e në veçanti në këtë kohë, ku për shumë familje është vështirësuar gjendja në kohën e pandemisë dhe në atë të dimrit.

“Shoqata Humanitare Bamirëse ‘Bereqeti’ çdo herë është përkujdesur që t’iu gjendet pranë qytetarëve në nevojë e me gjendje ekonomike të rënduar, andaj edhe sot kemi filluar që të shpërndajmë 45 pako me produkte ushqimore së bashku me nga një palë këpucë. Vlen të përmendët që në kohën e pandemisë dhe gjatë stinës së dimrit kemi pasur kërkesa për ndihmë familje që më herët nuk kanë qenë të regjistruara si raste sociale, por që pandemia i ka goditur këto familje”, ka deklaruar Hyseni.

Përfaqësuesi i “Bereqetit” Xheladin Fazliu, vlerëson lart bashkëpunimin me Swiss Barakahn me të cilën kanë bashkëpunuar në disa iniciativa.

“Kjo ndihmë për familjet në nevojë në Podujevë vjen si bashkëpunim i mirë që ‘Bereqeti’ ka me simotrën e saj Swiss Barakah tash e disa vite, ku ky bashkëpunim i mirë po shihet edhe sot ku po iu ndihmohet 45 familjeve në nevojë. ‘Bereqeti’ gjithmonë do të mundohet të jetë afër këtyre familjeve ku vlen të falënderohet donatorët të cilët dita e ditës po i afrohen ‘Bereqetit’ e përmes kësaj edhe familjeve në nevojë”, ka potencuar ai.

“Bereqeti” gjatë kohës së pandemisë dhe gjatë stinës së dimrit është përpjekur që falë donatorëve t’iu dalë në ndihmë sa më shumë familjeve me gjendje të rënduar ekonomike në forma dhe aspekte të ndryshme.