E683255F-74A9-42DE-B2E9-58CB468B745F

Besimtarët e vendeve të rajonit shënojnë Natën e Kadrit

Besimtarët muslimanë në vendet e rajonit sonte kanë falur teravinë me rastin e Natës së Kadrit, e cila është një nga netët më të rëndësishme të kalendarit islam dhe sipas mësimeve islame konsiderohet më e vlefshme se një mijë muaj, raporton Anadolu.

Kjo natë është në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, muaji më i rëndësishëm i kalendarit islam i cili është në përfundim.

Sikurse në të gjitha vendet e botës, edhe në vendet e rajonit pjesa dërmuese e besimtarëve këtë natë e kalojnë në lutje dhe adhurim, lexim të Kur’an-it, si dhe qëndrim në xhami.

Në vende të ndryshme kjo natë shënohet me programe dhe aktivitete të ndryshme.

Maqedoni e Veriut

Në Shkup, ndër xhamitë e mbushura me besimtarë muslimanë që bashkërisht të falin namazin e teravisë, ishte edhe xhamia e Mustafa Pashës.

Në këtë xhami ishte organizuar edhe një program nga ana e Myftinisë së Shkupit – Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut.

Para faljes së namazit, besimtarët patën mundësi të lexojnë Kur’an, si dhe të ndjekin ligjëratë për vlerat dhe rëndësinë e kësaj nate të madhe, ndërsa u recituan edhe ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Xhamia ashtu si brenda edhe jashtë në oborr ishte e stërmbushur me besimtarë të cilët dëshironin të vlerësojnë me adhurime këtë natë të vlefshme.

Shqipëri

Edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin për të pritur Natën e Kadrit.

Besimtarët janë mbledhur së bashku në xhamitë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit për të shënuar Natën e Kadrit.

Dhjetëra besimtarë janë mbledhur edhe në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, ndërsa në xhamitë e vendit është lexuar Kur’an, si dhe janë mbajtur ligjërata.

Nata e Kadrit është në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, muaji më i rëndësishëm i kalendarit islam

Kosovë

Po ashtu edhe besimtarët muslimanë kanë mbushur xhamitë në Kosovë.

Në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë, Xhamia e Çarshisë “Sulltan Murati” është mbushur, me besimtarë burra, gra e fëmijë të shumtë që faleshin edhe jashtë xhamisë.

Risi gjatë këtij Ramazani në Prishtinë ka qenë edhe zbukurimi i rrugës në Prishtinën e vjetër, për herë parë me rastin e Ramazanit.

Në Prishtinë dhe në xhami të qyteteve të tjera të Kosovës përgjatë 10 netëve të fundit të Ramazanit po praktikohet edhe falja e “namazit të natës”.