“Macja, gjarpri, horoskopi…! A e përcaktojnë fatin tonë?!Historikisht shoqëritë njerëzore kanë qënë të prirura drejt bestytnive, thënë ndryshe drejt besimeve dhe paragjykimeve të kota. Mungesa e dijes së mirfilltë i ka shtyrë popujt të besojnë verbërisht në bestytni të
ndryshme. Jo në pak raste, një shoqëri e tërë, shpjegimet kryesore i ka bazuar në bestytnitë që janë bërë pjesë e kulturës dhe shpirtit të saj.
Kureshtja e njeriut për të njohur të ardhmen (fatin dhe fatkeqësitë e tij) edhe sot e kësaj dite, krahas zhvillimeve të shumta, mbetet diçka e synuar por e panjohur, ashtu siç ishte edhe në kohët e qytetërimeve të lashta, e siç do të mbetet edhe në të ardhmen.
I ndodhur përballë të papriturave që kanosin edhe vetë ekzistencën e familjeve, fiseve apo popujve të caktuar, ishte njeriu ai që me dëshirën dhe kujdesin e tij, mundohej që të evitonte fatkeqësitë dhe të ndiqte rrugën për të arritur deri tek njohja e fatit. Por synimi për të realizuar këtë qëllim bëri që njeriu gjatë shekujve të ruaj në traditën e vet edhe bestytnitë e trashëguara nga paraardhësit si dhe të krijojë pa reshtur besime e bindje të pa baza. Misteret që shoqërojnë bestytnitë vazhdojnë të ndikojnë përgjatë shekujve në zhvillimin shpirtëror e kulturor të popujve të ndryshëm anë e mban botës.
Me zbritjen e shpalljeve nga Zoti e veçanarisht me ardhjen e profetit të fundit, Muhammedit s.a.v.s. u vendosën bazat e një besimi të pastër larg bestytnive. Një rol të madh luajtën edhe zhvillimet e vrullshme shkencore, të cilat i bindën njerëzit se shumë prej gjërave që i mendonin sit ë paspjegueshme apo misterioze, kishin shpjegime të natyrshme dhe racionale. Nëpërnjet tyre u pa se shumë prej fenomeneve që ndodhin në natyrë, nuk përcaktonin ndonjë gjë në të ardhmen e njerëzve. Në këtë mënyrë u hodhën poshtë pretendimet se bestytni të ndryshme kishin baza fetare, logjike apo shkencore.
Tradita të bestytnive ruhen akoma në popullin tonë. Kuptohet që çdo bestytni në besimet e popullit tone rrënjët i ka në traditat e trashëguara për shekuj me radhë.
Ana më e errët e këtij fenomeni është krijimi i bazave për idhujtarinë në objekte, vende apo fenomene, për të cilat besohet se kanë fuqi të sjellin mirë apo keq, atribute që në realitet nuk i kanë. Duhet llogaritur edhe kostoja morale, shpirtërore e materiale që njerëz hallexhinj paguaj anembane vendit duke kërkuar ndihmë apo shpëtim personave apo tempujve, te cilëve u pershkruhen cilësi hyjnore.
Në vazhdim do të sjellim bestytnitë më të përhapura mes shqiptarëve, duke shpresuar se nga shpjegimet e tyre do të kthjellojmë mendjen qe priret nga iluzionet e kota e të pavlera të besimit tek bestytnitë, të cilat shpesh shërbejnë për të organizuar ditët, muajt e vitet, madje edhe jetën mbi ujra të turbullta dhe të cekta, por që njeriun e fundosin në botën e mëkateve e të paditurisë.
Bestytnitë në raport me adhurimin ndaj Zotit
Gurët që bëjnë “veprime” magjike.
Ritin pagan të lutjeve ndaj gurëve sot e ndeshim në vende të ndryshme. Origjina e kësaj bestytnie rrjedh nga ekzistenca e gërmadhave të kulteve të lashta, të cilave nuk u dihet saktësisht as emri as funksioni, por që me kalimin e viteve, nga brezi në brez i janë mveshur nga njerëzit atribute çudibërëse e mrekullibërëse. Hallexhinjtë që u luten këtyre gurëve janë të shumtë, duke filluar që nga gratë shterpë, të sëmurët e deri tek djemtë e vajzat beqare, që kërkojnë zgjidhjen e fatit të tyre tek këta gurë.
Medaljone me fytyra profetësh, shenjtorësh, kryqe, etj.
Kryesisht, në Shqipëri, këto simbole i mbajnë besimtarë të besimit të krishterë, por edhe të sekteve të ndryshme, të cilët krahas respektit për këto figura, besojnë në aftësitë e tyre për t’i ndihmuar apo mbrojtur, ekështu i luten atyre.
Nuskat dhe hajmalitë.
Mund të jenë me shkronja nga Kur’ani apo pa to, në varësi të atij që e shkruan. Nëse u ndodh ndonjë e mirë, njerëzit besojnë se u ka ardhur nga hajmalia, e gjithashtu besojnë se duke e varur në qafë, hajmalia do t’i mbrjë nga fatkeqësitë. Në këtë mënyrë besimi dhe bindja tek hajmalitë, tek dobitë dhe mrojtjet që rrjedhin prej saj, tek persona të caktuar kalon edhe besimin tek Zoti. Të tjerë nuk besojnë direkt, por e shohin hajmalinë si shkak që Zoti ka realizuar dëshirën e tyre.
Madhërimi i varreve dhe tyrbeve.
Praktikohet gjithandej vendeve me popullsi shqiptare. Arsyetimi i këtij veprimi është kryerja e një vepre të mirë, ku varri ose tyrbja merret si ndërmjetës në mes lutjes dhe realizimit të dëshirës së personit, nga ana e Zotit. Kjo vjen nga besimi se në ato varre prehet një njeri i mirë, i cili ka aftësinë e ndërmjetësimit te Zoti.
Patkonjtë e kuajve.
Shumë shtëpi kanë të varur një patkua kali sipër derës hyrëse në shtëpitë e tyre. Në raste të tjera i gjejmë të varura edhe në makina, apo imitime të patkonjëve mbahen si varëse e bylyzykë, etj. Kjo bedstytni e ka origjinën në mitologjinë greke, ku kuajt konsideroheshin të shenjtë. Varja e patkoit sipër derës besohet se sjell mbarësi.
Horoskopi dhe përcaktimi i fatit.
Horoskopi është forma moderne e bestytnisë e përhapur në një shkallë njaft të gjerë tek të rinjtë. Një pjesë e madhe e tyre ndikohen ditrekt duke besuar në fatin apo fatkeqësinë që lajmëron horoskopi. Origjina e kësaj bestytnie është në studimet astrologjike, që pretendojnë se personalitetet e njerëzve janë të përcaktuara nga yjet.
Shikimi i filxhanit të kafesë.
Bazohet në besimin se figurat që dalin pas pirjes së kafesë në filxhan, mund të lexohet e ardhmja e personit dhe ngjarjet që do e ndjekin. Këtu mund të perfshijmë edhe leximin e fatit nga vijat e rudhave të dorës, nga letratr e bixhozit, etj. Këto bestytni kanë prejardhje nga lashtësia, porn ë periudha të ndryshme janë freskuar dhe sofistikuar paralelisht me zhvillimin e shoqërive.
Fatkeqësisht lista e bestytnive që ka shoqëruar e vazhdon të shoqërojë popullin tonë është e gjatë dhe e larmishme. Si të tilla mund të përmenden: frika nga fatkeqësitë që sjell pasqyra e thyer, varja e hudhrave në ambjente të ndryshme, numri 13, besimi në dobitë apo dëmet nga kopjimi/shpërndarja e letrave, besimi në dobitë apo dëmet e ditëve apo muajve të veçantë, derdhja e kripës, prerja e rrugës nga macja e zezë etj, etj…
Në shembujt e mësipërm shohim se bestytnitë e shumta shpesh mund të ndërhyjnë në funksionet jetësore të individëve, duke i penguar ata të bëjnë veprime të nevojshme, apo duke i shtyrë të kryejn veprime të panevojshme, e aq më keq akoma, të dëmshme.
Në Kur’anin Famëlartë gjejmë fjalët e Zotit:
“… A po adhuroni pra në vend të Allahut ata që nuk u sjellin kurrfarë dobie as dëmi?” (21:66)
“S’ka dyshim se ata që poi adhuroni ju, veç Allahut, janë të krijuar ashtu si ju…” (7:194)
“Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush ta largon, veç Tij.” (6:17)
“Askush veç Allahut, as në qiell, as në tokë, nuk e di të fshehtën…”(27:65)
Njeriu, njëherë e mirë, duhet të kuptojë se mbarësia dhe fatkeqësia janë të caktuara nga Zoti dhe janë pjesë e sprovave të kësaj jete. Të gjitha përpjekjet e njeriut për ti anashkaluar, penguar, shpejtuar, apo zbuluar këto ndodhi, duke kërkuar ndihmën e atyre që s’kanë forcë e aftësi të mbrohen për vete, janë të kota. Nga kjo njerëzit nuk përfitjnë asnjë dobi, por rrezikojnë të bëhen prej atyre, që Zoti nuk do ti ketë nën mëshirën e Vet.
“S’ka dyshim se Allahu nuk fal t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përveç këtij (mëkati), (të tjerat) ia fal atij që do…” (4:48)
Në kushtet e një zhvillimi dhe edukimi të mirëfilltë fetar, bestytnitë nuk do të ekzistonin. Ndihma dhe mëshira vijnë vetëm prej Krijuesit të gjithçkaje, prandaj a ia vlen që të mbajmë shpresë në besime të kota, duke sakrifikuar dhe humbur ndihmën dhe mëshirën e vërtetë?!