Betejë e ashpër për Kievin

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, njoftuan autoritetet në Kiev. Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë një ofertë të Uashingtonit për të ndihmuar në evakuimin e tij nga Ukraina, raportojnë mediat amerikane.

Zelensky tha se “lufta është këtu – unë kam nevojë për municion, jo për udhëtim”, raporton Associated Press, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës.

Washington Post citon gjithashtu zyrtarë amerikanë dhe ukrainas të kenë thënë se Qeveria amerikane është e përgatitur për të ndihmuar Zelenskyn.

“Kur të na sulmoni, do t’i shihni fytyrat tona, jo shpinën”, tha Zelensky të enjten, duke iu drejtuar ushtrisë ruse.

“Ne jemi të gjithë këtu dhe do të qëndrojmë kështu”, tha ai në një video të postuar në Facebook, ku dukej i shoqëruar nga ndihmësit e tij kryesorë.

Ushtria ukrainase tha se mbi 3,500 ushtarë rusë janë vrarë që nga ndërhyrja e forcave ruse në Ukrainë, më 24 shkurt.

Në një postim në Facebook, ajo tha se rreth 200 të tjerë janë zënë robër.

Sipas saj, Rusia ka humbur edhe 14 avionë, tetë helikopterë dhe 102 tanke.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Rusia, deri më tash, nuk ka komentuar për viktimat apo humbjet tjera eventuale.

Ora në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, është 07:48.

Media të ndryshme raportojnë për luftime të ashpra atje.

Forcat ukrainase po bëjnë përpjekje të zmbrapsin ushtrinë ruse, e cila synon të marrë kontrollin e Kievit.

Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se në një pjesë të qytetit ka “betejë të ashpër”, ndërsa “luftimet aktive” po zhvillohen në disa rrugë.

Më shumë se 50 shpërthime dhe të shtëna me artileri të rëndë janë dëgjuar në kryeqytet, raportoi gazeta Kyiv Independent.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se ushtria e ka nën “kontroll” situatën në Kiev.

“Ne po e ndalojmë hordhinë, duke i përdorur të gjitha mjetet në dispozicion”, tha ai, raporton ueb-faqja ukrainase e lajmeve Lb.ua.