BFI e Maqedonisë së Veriut bën thirrje për vazhdimësi të kujdesit ndaj COVID-19

BFI e Maqedonisë së Veriut bën thirrje për vazhdimësi të kujdesit ndaj COVID-19

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, përmes një apeli publik u ba bërë thirrje të gjithë besimtarëve muslimanë dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për vazhdimësi të kujdesit ndaj koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA)

Në apelin publik theksohet se ruajtja e jetës dhe shëndetit të njeriut është nga detyrat dhe domosdoshmëritë parësore të fesë islame.

“Mbrojtja e njeriut është nga qëllimet madhore të ligjit islam dhe të vetë All-llahut Fuqiplotë, prandaj, mbështetur në këtë parim, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut u drejtohet të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve me këtë thirrje për vazhdimësi të kujdesit dhe përkushtimit në betejën kundër virusit famëkeq COVID-19”, thuhet në apel.

Gjithashtu theksohet se muslimanët e Maqedonisë së Veriut kanë treguar seriozitet dhe përkushtim të pamohueshëm në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe kanë respektuar si vendimet shtetërore, si dhe ato të BFI-së.

Por, siç thuhet në kumtesë, duke marrë parasysh se kohëve të fundit po përkeqësohet gjendja me pandeminë në Maqedoninë e Veriut dhe shënohet rritje e theksueshme e numrit të të infektuarve e viktimave, BFI apelon deri te të gjithë besimtarët muslimanë dhe qytetarët e vendit që të vazhdojnë t’u përmbahen në maksimum rekomandimeve, udhëzimeve dhe masave që dalin nga institucionet përgjegjëse shtetërore, me qëllim mbrojtjen e vetes, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.

“Duke mos harruar se të gjithë ne, pa përjashtim, mbajmë përgjegjësi para shoqërisë dhe mbi të gjitha para Zotit, doemos duhet të ndjekim porosinë e Tij në Kur’anin Famëlartë: ‘dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit’. Edhe një herë, shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të sinqertë për përkushtimin dhe vetëmohimin e të gjithë stafit e personelit mjekësor të cilët, që nga fillimi i kësaj pandemie, kanë qenë në krye të detyrës. All-llahu i shpërbleftë e na mbrojë të gjithëve!”, thuhet më tej në apelin publik.

Sipas të dhënave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend arrin në 112.646, prej të cilëve 3.319 kanë humbur jetën, ndërsa 97.687 janë shëruar.