Biblioteka e Gazi Husrev-beut shënon 480-vjetorin e themelimit

Biblioteka e Gazi Husrev-beut në Sarajevë është institucioni më i vjetër në hapësirat e Evropës Perëndimore dhe Ballkanit që punon vazhdimisht që nga themelimi në vitin 1537, ndërsa në të ka dorëshkrime nga pjesë të ndryshme të botës islame, shkruan Anadolu Agency (AA).

Dorëshkrimi më i vjetër në bibliotekë është vëllimi i katërt i veprës teologjike Ihja ulumid-din, më konkretisht “Encikopedia e Islamit” e Ebu Hamid Muhamed el-Gazali që është shkruar në vitin 1105, pesë vjet para se autori të ndërrojë jetë.

Biblioteka e Gazi Husrev-beut këto ditë do të shënojë një përvjetor të rëndësishëm, 480-vjetorin e ekzistencës dhe me këtë rast, gazetari i AA-së, ka folur me drejtorin e saj Osman Laviç, i cili tregon për dorëshkrimet të cilat i ruan kjo bibliotekë si dhe për rëndësinë që ka ky institucion.

Laviç tha se biblioteka e Gazi Husrev-beut në fondin e saj ruan 10.500 dorëshkrime në arabisht, turqisht dhe persisht, dhe se këto dorëshkrime kanë prejardhje nga vende të ndryshme të botës islame.

Dorëshkrimi nga viti 1105

“Numër i madh i dorëshkrimeve kanë prejardhje nga vende të ndryshme të botës islame siç janë Mekka, Medina, Stambolli, Bagdadi, Damasku dhe qendra të tjera. Në bibliotekën tonë kanë ardhur përmes rrugëve të ndryshme. Dorëshkrimi më i vjetër që kemi është ‘Ihja ulumi-din’, nga filozofi Gazali, që është shkruar në vitin 1105, pesë vjet para vdekjes së tij. Kjo është kopja më e vjetër në botë e këtij dorëshkrimi. Këto ditë tentojmë të publikojmë edicionin e printuar të tij. Këtu kemi edhe disa dorëshkrime që datojnë nga shekulli i 12-të, ndërsa kemi shumë që datojnë nga shekujt 13 dhe 14. Këto dorëshkrime janë shkruar në pjesë të ndryshme të botës, por një pjesë e madhe e tyre është shkruar në hapësirat tona që flet se Bosnja e Hercegovina (BeH) ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në rrethin kulturor dhe civilizues të botës islame”, tha Laviç.

Ai vuri në dukje se përmbajtja tematike e dorëshkrimeve është e ndryshme, ku përveç dorëshkrimeve që kanë të bëjnë me mësimet islame, ka një numër të madh të dorëshkrimeve nga shkencat natyrore, matematikë, algjebër, gjeometri, astronomi dhe fusha tjera.

Profesori Françeskan ka shpëtuar bibliotekën nga zjarri 

Laviç rrëfen një detaj nga Lufta e Dytë Botërore, më konkretisht nga viti 1941, atëherë kur siç thotë ai, biblioteka ka qenë e vendosur në haremin e xhamisë së Mbretit.

“Atëherë Sarajeva ka qenë e bombarduar dhe një granatë ka rënë mbi kulmin e bibliotekës duke rrezikuar djegien e saj. Pas bibliotekës ka qenë e vendosur shkolla e mesme teologjike françeskane, dhe kur profesori Bogoljub Pervan ka parë zjarrin ka telefonuar Drejtorinë e qytetit të shuaj zjarrin, por përgjigja që kishte marrë ka qenë se në kushte lufte vetëm pushteti mund të thërras zjarrfikësit të shuajnë ndonjë zjarr. Më pas profesori ka vrapuar në Drejtorinë e qytetit ku është prezantuar në cilësinë e funksionarit duke urdhëruar brigadën e zjarrfikësve të shuajnë zjarrin që kishte kapluar çatinë e bibliotekës”, tregon ai.

Sipas Laviç, këtë vit biblioteka e Gazi Husrev-beut feston një përvjetor të rëndësishëm, 480-vjetorin e ekzistencës së saj, kur gjyqtari i Sarajevës më 8 janar 1537 certifikoi vakëfin e Gazi Husrev- beut, të cilit i ishin dhënë 400 mijë dirhemë për të ndërtuar medrese dhe nga pjesa tjetër të blihen libra.

Laviç thotë se kalimi në ndërtesën e re, ka bërë që qytetarët të kenë qasje më të lehtë te biblioteka. “Tani kemi kushte më të mira, salla leximi më të mira. Aktualisht kemi një mesatare mes 70 dhe 80 studentë, studiues, magjistrantë dhe doktorantë nga Universiteti i Sarajevës si dhe nga universitete të tjera në BeH dhe rajon. Kemi një numër të konsiderueshëm të studiuesve nga Stambolli dhe nga Lindja e Mesme, njerëz që janë të interesuar në materialin tonë”, tha Laviç.

Deri tani janë kataloguar 10.190 dorëshkrime të bibliotekës së Gazi Husrev-beut, në gjithsej tetëmbëdhjetë vëllime të katalogut.

Vlen të theksohet se të gjitha dorëshkrimet e bibliotekës janë të regjistruara në mikrofilm.