Nexus 4 ishte një model i jashtëzakonshëm për kohën, Nexus 5 ishte inspirues, ndërsa pasardhësi i tij Nexus 6 është cilësuar si dështim nga analistët e tregut.
Edhe pse vjen me kosto të ulët dhe me karakteristika të avancuar, madhësia e ekranit prej 6” e bën modelin Nexus 6 jo edhe aq atraktiv për tregun.
Për këtë ka folur edhe Google zyrtarisht, duke thënë se ka parë rënie të kërkesës për Nexus 6, dhe për këtë motori i kërkimit duket se nuk është edhe shumë e lumtur.
Por për Google nuk ka qenë vetëm Nexus 6 problematik, sepse thuhet se rënie të kërkesës ka pasur edhe për modelin e saj të ri të tabletit, Nexus 9.
Përkundër rënies së interesit për produktet e linjës Nexus, Google ka shënuar rritje në të hyra për tremujorin e parë të vitit, me një ngritje prej 23 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Të ardhurat tjera janë rritur për 23 për qind nga viti në vit, për të arritur në 1.8 miliardë. Rritje të konsiderueshme kompania ka pasur në PlayStore, rënie në linjën Nexus dhe ndryshimet tjera në valutë” thuhet nga Google, raporton 9to5Google. (Telegrafi)