-Një ditë nga ditët fillova të qaj nga gjynahet e shumta dhe të mirat e pakta, nga syri më doli loti dhe më tha: Çfarë ke, o robi i Allahut?
-I thashë: Po kush je ti?!
-Më tha: Unë jam loti yt.
-E pyeta: Po ty, kush të nxori?!
-Mu përgjigj: Nxehtësia e zemrës sate!– I habitur e pyeta: Nxehtësia e zemrës sime?! Po kush e ndezi zemrën time me zjarr?!
-Gjynahet dhe mëkatet e tua, -mu përgjigj.
-Po a ndikon gjynahu në nxehtësinë e zemrës sime?! – Mu përgjigj: Po si jo. A nuk e ke lexuar lutjen e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ku thotë: “O Zoti im, më pastro nga gjynahet e mia me ujë, akull dhe borë”.[1] Mëkatet e robit e ndezin zemrën me flakë, kurse zjarri nuk fiket përveçse me ujë të ftohtë, akull apo me borë.
-I thashë: Unë po ndiej në shpirt ngushtësi dhe mërzi.
-Më tha: Kjo vjen si pasojë e gjynaheve të cilat janë të rrezikshme për njeriun, prandaj pendohu, o robi i Allahut!
-Iu ankova dhe i thashë: Në zemër gjej ngurtësi, ti si dole nga syri im?!
-Kjo vjen nga vetë natyrshmëria e shpirtit, o robi i Allahut!
-Po cili është shkaku i ngurtësisë që e gjej në zemrën time?!
-Më tha: Dashuria ndaj dynjasë dhe të kapurit për të. Dynjaja është sikurse gjarpri, të habitë butësia e tij, kurse të mbytë helmi i tij. Njerëzit kënaqen me butësinë e dynjasë, kurse nuk e vërejnë helmin e saj vrasës.
-I thashë: O loti im, sqaroma qëllimin e helmit të dynjasë?!
-Mu përgjigj: Epshet e ndaluara, gjynahet (mëkatet) dhe pasimi i shejtanit… kush e shijon helmin e saj, helmohet zemra e tij.
-E pyeta: Po si ta pastrojmë zemrën nga helmet e ndryshme?!
-M’u përgjigj: Me pendim të vazhdueshëm drejt Allahut të Madhëruar dhe me udhëtim kah vendet e pendimit dhe të të penduarve nga gjynahet e tyre.
Allahu i Madhëruar me një hadith të shenjtë (kudsij) thotë: “O biri i Ademit, derisa të më lutesh Mua dhe të kërkosh nga Unë (falje), Unë do të të fal!
O biri i Ademit, qofshin mëkatet e tua deri në qiell, nëse kërkon falje nga Unë, Unë do të të fal!
O biri i Ademit, nëse vjen tek Unë me mëkate sa toka, pastaj më drejtohesh duke mos më bërë shok (në adhurim) Unë do të të dhuroj falje po aq të madhe!”.[2]
O Zoti ynë, na i fal mëkatet, na mëshiro dhe në fenë Tënde na përqendro.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
[1] Buhariu (1/149) dhe Muslimi (2/662).
[2] Shih: Es-Sahiha (nr.127).