Bllokohet interneti për të shmangur kopjimin në provime

Të rinjtë etipiopianë janë futur në fazën finale të provimeve për studimet në shkollat e larta, por edhe në kolegje.

E për të shmangur çdo parregullsi në këto testime, autoritetet vendase kanë vendosur masën ekstreme të bllokimit të internetit deri më datë 8 qershor, atëherë kur përfundojnë të gjitha testimet.

Masa është marrë si kundërpërgjigje ndaj rrjedhjes online të pyetjeve të provimit një vit më parë, që detyroi ministrinë vendase të arsimit që të bllokonte rrjetet sociale.

“Po marrin masat e nevojshme dhe duam që studentët tanë të përqendrohen dhe të jenë larg trysnisë që shkaktojnë gjëra të tilla, si interneti”, tha për Reuters Mohammed Seid nga Zyra e Komunikimeve në qeverinë etiopiane.

Zyrtarisht thuhet se vetëm rrjetet sociale janë bllokuar, por BBC mëson se ka patur bllokime në masë të aksesit në internet, qoftë përmes linjave fikse, qoftë përmes rrjeteve të telefonisë celulare.

Etiopia ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme të vendosur që prej muajit tetor, kur pati protesta antiqeveritare.