thumbs_b_c_5d6983059dd022dd0bd7d8f805d0e883

Borrell dhe Blinken diskutuan për çështjen izraelito-palestineze

Borrell deklaroi se ai dhe Blinken biseduan rreth asaj “se si mund të kontribuojnë bashkërisht për t’i dhënë fund dhunës dhe për të zvogëluar tensionet në Izrael dhe Palestinë”

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken diskutuan për tensionet në rritje pas sulmeve të Izraelit ndaj Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në postimin e tij në mediat sociale, Borrell deklaroi se ai dhe Blinken biseduan rreth asaj “se si mund të kontribuojnë bashkërisht për t’i dhënë fund dhunës dhe për të zvogëluar tensionet në Izrael dhe Palestinë”.

Borrell theksoi nevojën për iniciativa afatgjata për të thyer dinamikën e konfliktit dhe për të ndërtuar një të ardhme paqësore për të gjithë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së do të takohen për të diskutuar mbi tensionet në rritje në Lindjen e Mesme pas sulmeve të Izraelit. Takimi i kryesuar nga Borrell do të mbahet përmes video-konferencës.

Borrell më herët zhvilloi takime me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, ministrin e Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi si dhe ministrin e Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, ministrin e Jashtëm jordanez, Ayman Safadi, ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së në kuadër të iniciativave të tij diplomatike të mëparshme.