thumbs_b_c_a212407786f4cb36cfbcf4214eac6985

Borrell kërkon nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të veprojë për armëpushim në Gaza

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka përshëndetur thirrjen e zv/presidentes amerikane, Kamala Harris, për një armëpushim në Gaza, duke theksuar se tani Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të miratojë një rezolutë për një hap të tillë, transmeton Anadolu.

“Unë i bashkohem thirrjes së zv/presidentes së SHBA-së, Kamala Harris, për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Atëherë nuk duhet të ketë asnjë pengesë për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë qëllim”, shkroi Borrell në platformën sociale X.

Më parë, SHBA-ja ka bllokuar disa rezoluta të armëpushimit në Gaza.

Borrell theksoi se Harris “me të drejtë tha se shumë njerëz janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori i kaluar”, mbi 30 mijë deri më tani, si dhe kërkoi nga Izraeli të lejojë qasje të papenguar humanitare për palestinezët në Gaza.

“Është koha që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të veprojë”, shtoi ai.

Duke folur dje në shtetin jugor amerikan Alabama, Harris tha: “Duke pasur parasysh shkallën e madhe të vuajtjeve në Gaza, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm për të paktën gjashtë javët e ardhshme, që është ajo që aktualisht është në tryezë”.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një inkursioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Bombardimet izraelite që pasuan kanë vrarë të paktën 30.534 palestineze dhe kanë plagosur rreth 72 mijë të tjerë, me një shkatërrim masiv dhe mungesë të nevojave themelore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.