34DED83D-FA1B-4A93-86B3-8466D2FECB38

Borrell u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialog

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialog që synon normalizimin diplomatik, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklaratat e diplomatit të lartë të BE-së erdhën përpara samitit midis krerëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së që filloi në Tiranë.

“Ky është një moment i rëndësishëm. Tani, ata duhet të angazhohen. Ata duhet të angazhohen realisht në dialog me propozimin që kam vënë në tryezë si lehtësues (i dialogut Beograd-Prishtinë), me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës”, tha Borrell.

Duke vënë në dukje se propozimi i fundit për normalizim u është dërguar dy vendeve, ai tha se tani duhet të nisin “diskutimet serioze, sepse ky është një moment në të cilin ka një mundësi të madhe”.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën pasi serbët etnikë në Kosovë u tërhoqën nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale në shenjë proteste ndaj vendimit të Prishtinës për të zëvendësuar targat e vjetra të automjeteve të lëshuara nga autoritetet serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në fillim të tetorit se Gjermania dhe Franca kishin bërë një ofertë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE nëse Beogradi njeh pavarësinë e Kosovës.

Brukseli ka punuar për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi, i projektuar për të lehtësuar tensionet dhe për të zgjidhur çështjet dypalëshe, që është një nga kërkesat për anëtarësimin e plotë në BE.

Në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja në fund të muajit të kaluar, të dy vendet ranë dakord të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm mbi mosmarrëveshjen që përfshin targat e makinave dhe të “përqendrohen plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.