Abdullah Heuzeniu tregon: Kur e takova Bilalin, muezinin e të Dërguarit të Allahut ﷺ , në Haleb (qytet në Siri), e pyeta: O Bilal, më trego rreth harxhimeve të Pejgamberit ﷺ ? Atëherë Bilali u përgjigj: Pejgamberi ﷺ nuk kishte asgjë. Prej se ishte dërguar Pejgamber e deri sa vdiq, çështjen e shpenzimeve ia kryeja unë. Kur i vinte ndonjë musliman dhe e shihte të zhveshur (nga varfëria), më urdhëronte mua, kështu që unë merrja borxh, i blija rroba të varfrit, e vishja dhe e ushqeja atë. Derisa një herë, një idhujtar mu paraqit dhe më tha: O Bilal, unë kam mjaftë pasuri, andaj mos kërko prej dikujt tjetër, pos prej meje! Kështu edhe veprova, – tha Bilali. Një ditë, mora abdes dhe u qova për ta thirrur ezanin për namaz, kur ja ai idhujtari së bashku me një grup tregtarësh, posa më pa, tha: O abisinas!
-Të përgjigjem! Përse kjo fytyrë e vrazhdë?! – ia ktheva.
Në atë rast më tha fjalë të rënda, dhe shtoi: E di edhe sa ka mbetur deri në fund të muajit?
-Është afruar koha (e kthimit), – i thashë.
-I ke edhe katër ditë. Përndryshe (nëse nuk e paguan borxhin) do të të marrë si kompensim të borxhit, e do të kthej që t’i ruash bagëtitë, siç i ruaje më herët, – më tha ai.
Atëherë u ndjeva ngushtë në shpirt, siç ndjehen njerëzit…[1]
Hadithi vazhdon, ku tregohet se Bilali e njoftoi Pejgamberin ﷺ për këtë, derisa një ditë një njeri e thirri Bilalin që të shkoj tek Pejgamberi ﷺ . Mbreti i fisit fedek, ia kishte dhuruar Pejgamberit ﷺ katër deve, të ngarkuara me ushqim e me rroba. Të gjitha këto Pejgamberi ﷺ ia dha Bilalit që ta kthej borxhin që e kishte.
Prej këtij hadithe kemi shumë mësime:
E pamë sesi ‘Abdullah Heuzeniu e pyeti Bilalin’. Dhe kjo tregon se gjeneratat e para të këtij umeti kishin zell të madh për të mësuar dhe si metodë që e përdornin ishte pyetja.
Ibn Abasi kur u pyet si e arriti tërë këtë dije, ai tha: “Kisha gjuhë që pyet dhe zemër (mendje) që kupton.”[2]
Për këtë arsye, Ibn Abasi e arriti një shkallë të lartë të dijes. Ibn Omeri na e përshkroi një detaj nga jeta e Ibn Abasit duke thënë: Ibn Abasi është njeriu më i dijshëm në umetin e Muhamedit ﷺ rreth asaj që i ka zbritur Muhamedit ﷺ .
Ebu Vaili tregon: Ibn Abasi gjatë periudhës së haxhit na e lexoi suren Bekare dhe na e shpjegoi atë (na e bëri tefsir) aq bukur saqë po ta dëgjonin romakët, turqit dhe fisi dejlem do ta pranonin Islamin.
Pyetja të sjell dije.
Tregohet për një plakë në një shtet të Afrikës, e cila përmes radios, aq shumë kishte dëgjuar pyetje dhe përgjigje të dijetarëve Islam, saqë pas një kohe, njerëzit kishin filluar ta pyesin këtë plakë rreth çështjeve fetare, ndërsa ajo u tregonte se filan dijetari për këtë çështje është përgjigjur kështu e kështu.
Nga ky hadith e shohim madhështinë e Islamit; Bilali i cili ishte një rob i shtypur në Mekë, u bë muezini i njeriut më të dalluar në botë e po ashtu u bë edhe përgjegjës i depove të shtetit.
Allahu thotë:
﴿يَرۡفَعِ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ مِنكُمۡ وَٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلۡعِلۡمَ دَرَجَٰتٖۚ ١١﴾
“Allahu do t’i ngrejë në shkallë të larta ata që besuan dhe që u është dhënë dija nga mesi juaj.” (Muxhadile, 11)
Po ashtu nga ky hadith e shohim kujdesin e madh që e kishte Pejgamberi ﷺ për gjendjen e muslimanëve, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Në këtë hadith po përmendet borxhi.
Vëllezër, borxhi është i lejuar në fenë Islame, pra nuk është haram, madje për këtë ka edhe konsensus të dijetarëve Islam.
Prej rregullave të borxhit: Është haram të vonohet kthimi i borxhit pa ndonjë arsye. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpërfillja që i pasuri i bën kthimit të borxhit (në afat të caktuar) konsiderohet padrejtësi.”[3]
Pra nëse ka mundësi ta kthej borxhin kur vjen afati i kthimit, dhe nuk e kthen borxhin, qenka zullum.
Pastaj shikojeni këtë hadith, sa e rëndësishme është edhe nijeti që ta kthesh: Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që i merr dikujt pasuri hua me synim për t’ia kthyer, Allahu do t’ia lehtësojë kthimin e saj, ndërkaq, atij që i merr dikujt hua me synim për të mos ia kthyer, Allahu do t’ia shkatërrojë pasurinë.”[4]
Prej rregullave tjera që kanë të bëjnë me borxhin: Është e preferuar të shkruhet borxhi, e sidomos borxhet e mëdha, ato duhet shkruar patjetër.
Nëse vdes një person dhe ka lënë borxhe pas vetes, gjëja e parë që bëhet me pasurinë që e ka lënë, është kthimi i borxheve, e pastaj vjen ndarja e trashëgimisë.
Prej rregullave tjera të pëlqyera është falja qoftë edhe e një pjese të borxhit:
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një burrë u jepte borxh njerëzve dhe i thoshte shërbëtorit të vet: Kur të shkosh te ndonjë skamnor, fali një pjesë të borxhit, me shpresë që edhe Allahu të na falë ne. Kështu, kur e takoi Allahun, Allahu e fali.”[5]
Prej mësimeve tjera të hadithit: Preferohet pranimi i dhuratës. Pejgamberi ﷺ i pranonte dhuratat dhe në hadithin tonë përmendet dhurata e mbretit të fisit fedek.
Duhet bërë dallimin mes dhuratës dhe ryshfetit;
Dhurata behet mes personave të afërt apo mes shokëve, pa ndonjë interes.
Ndërsa ryshfeti është një lloj dhurate që i jepet dikujt për të marrë diç që nuk është e tij.
Abdullah ibn Amri tregon se Pejgamberi ﷺ e mallkoi atë që jep dhe atë që merr ryshfet[6].
I jep ryshfet personit përgjegjës, drejtorit, kryetarit, ministrit, për t’i dhënë përparësi këtij (që i dha ryshfet) ndaj të tjerëve.
Shikoni o vëllezër dijetarët e kanë ndaluar që t’i jepet dhuratë edhe mësuesit apo profesorit. Ne i themi: Nëse ke dëshirë t’i blesh apo ta gostitësh me diç, këtë e bënë pasi ta mbarosh provimin me të, apo pasi të ndahesh me mësues. Por, nuk lejohet që t’i blesh apo t’i dhurosh diç përderisa është duke të dhënë mësim, që të mos të shikon me sy ma të mirë, apo të ta falë notën.
Kështu pra ryshfeti zakonisht ka të bëjë me njerëzit në pozitë.
Pejgamberi ﷺ e kishte caktuar një person që ta mbledh zekatin, e që këtij personi dikush i kishte dhuruar një dhuratë. Me atë rast Pejgamberi ﷺ i tha: “Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet, e të shohim nëse i dhuron dikush diçka apo jo?[7]
Hutbeja e dytë:
E pamë në fillim të hadithit sesi ai idhujtari kishte qëllim të ulët karshi Bilalit, pra nuk deshi t’i ndihmojë, por t’i bëjë kurthe, që ta kthej në robëri.
Kjo nuk është çudi prej atyre, sepse këso gjëra i bënin edhe Pejgamberit ﷺ . Ata madje bënë plane që ta vrasin Muhamedin ﷺ .
Në një prej tubimeve që e bë në ‘daru nedve’ një shtëpi ku i mbanin mbledhjet e tyre, idhujtarët mekas, dhanë disa mendime:
Dikush tha: Burgoseni Muhamedin ﷺ . Por kjo nuk u pëlqeu, sepse ka njerëz të afërm që i dalin në ndihmë dhe e lirojnë atë.
Dikush tjetër tha: Dëbojeni jashtë vendit. Por as ky mendim nuk u pëlqeu sepse muslimanët mund të tubohen jashtë Mekës kundër tyre.
Ebu Xhehli e dha këtë mendim: Nga çdo fis të vjen nga djalosh i armatosur me shpatë, dhe që të gjithë këta djelmosha ta godasin përnjëherë, në mënyrë që gjaku i tij të shpërndahet nëpër fise. Pas kësaj është shumë e vështirë që fisi i Muhamedit ﷺ , abdulmenafi, ta kërkon gjakun nga dikush sepse ai tanimë është i shpërndarë nëpër shumë fise.
Dhe u pajtuan rreth këtij mendimi.
Këtë ngjarje na e përmend Kurani:
﴿وَإِذۡ يَمۡكُرُ بِكَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ لِيُثۡبِتُوكَ أَوۡ يَقۡتُلُوكَ أَوۡ يُخۡرِجُوكَۚ وَيَمۡكُرُونَ وَيَمۡكُرُ ٱللَّهُۖ وَٱللَّهُ خَيۡرُ ٱلۡمَٰكِرِينَ٣٠﴾
“(Kujtoje) kur bënë dredhi mohuesit kundër teje: Për të të burgosur, mbytur ose dëbuar. Ata bënin ngatërresa, por Allahu ua prapësonte dredhitë e tyre, se Allahu, është shkatërruesi më i mirë i dinakërive.” (Enfal, 30)
Pejgamberi ﷺ doli nga shtëpia, shëndosh e mirë, po ashtu edhe nga shpella, derisa arriti në Medinë. Arriti atje krenar, edhe pse Mekën e lëshoi në frikë. Në Medinë e pritën me pritje madhështore.
Pas gjithë atyre kurtheve që i bënë, mbeti i përmendur Pejgamberi ﷺ, mbeti përmendja e Bilalit dhe i sahabeve të tjerë, kurse ata që i bënë kurthe vdiqën dhe u harruan emrat e tyre.
[1] Ebu Davudi nr.3055 dhe hadithin e saktësuan shejh Albani dhe shejh Shuajbi.
[2] Fadailus sahabe, Ahmed ibn Hanbel v.2, f.502.
[3] Buhariu nr.2288.
[4] Buhariu nr.2387.
[5] Buhariu nr.3480.
[6] Tirmidhiu nr.1337 dhe thotë se hadithi është hasen sahih.
[7] Buhariu nr.2597.
Përgatiti: Flamur Kabashi