Në Jabllanicë është organizuar ceremoni mortore për 19 viktimat e përmbytjes që ndodhi më 4 tetor në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e organizuar në varrezën “Jasen”, morën pjesë Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, kryeministri i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Nermin Nikshiq, kreu i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Husein Kavazoviq, si dhe të afërm të viktimave dhe mijëra qytetarë.
Kavazoviq, i cili fali namazin e xhenazes, tha se ata që humbën jetën nga përmbytja kanë arritur në gradën e “dëshmorëve” dhe shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e të vdekurve.
Ka pasur momente emocionale rreth arkivoleve, ndërsa trupat e atyre që humbën jetën, përfshirë një grua shtatzënë, do të varrosen në qytezat Jabllanicë e Poshtme, Djevor dhe Zlata.
Të paktën 26 persona humbën jetën në përmbytjen që ndodhi më 4 tetor dhe preku 5 qytete në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa ende vazhdon kërkimi për një person të shpallur të zhdukur në qytetin e Konjicës.