Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë gatishmëri për të bërë kompromise për të arritur dakordim për çështjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të palëve për çështjen e dinarit në Bruksel, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra për informim e BE-së thuhet se palët kanë tejkaluar disa dallime, por se nuk është arritur dakordim në disa çështje.
“BE-ja dha disa ide dhe propozime përgjatë procesit dhe palët arritën të kapërcejnë disa dallime në mënyrë që të sigurojnë flukse financiare nga Serbia në Kosovë, përfshirë marrëveshjen për themelimin e një entiteti të ri biznesor, sipas ligjeve të Kosovës, i ngarkuar me shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia”, thuhet në komunikatë.
Sipas BE-së, pavarësisht propozimit të saj “të kompromisit”, palët s’janë dakorduar për “shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë”.
“Takimi i fundit sot dëshmoi që palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi në çështjet e hapura. BE-ja shpreh keqardhje që sot nuk u arrit asnjë marrëveshje. BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur marrëveshje kompromisi për të ardhmen”, thuhet në deklaratë.
Deklarata përfundon me shqetësimin se mungesa e marrëveshjes ka pasoja negative në jetën e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të Kosovës.
Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përkohshme e qëndrueshme për njerëzit më të prekur nga Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operimin me para të gatshme, BE-ja si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë, mbajti shtatë takime me delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë në mes të 28 shkurtit dhe 15 majit në Bruksel. Gjatë këtyre takimeve, palët kanë paraqitur gjerësisht qëndrimet e tyre dhe kanë hulumtuar mundësitë për të gjetur bazën e përbashkët.
Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i gatshëm t’i presë sërish në takim palët për të arritur kompromis lidhur me çështjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të tyre për çështjen e dinarit.
“Prita për herë të shtatë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë mbi implikimet e rregullores së BQK-së. Fatkeqësisht, palët nuk arritën të arrijnë marrëveshje. Jam gati të pres përsëri palët nëse ato tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje të përkohshme të pëlqyeshme reciprokisht”, ka shkruar ai.
Kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, pas takimit tha se që nga takimi i tretë për këtë çështje, sipas tij, nuk ka lëvizje pozitive nga pala serbe.
“Nuk ka logjikë të takohemi më për këtë temë sepse Serbia nuk është e interesuar për zgjidhje. Ky ishte konstatimi i vet ndërmjetësuesit Lajçak i cili tha se nëse palët kanë gatishmëri të jenë konstruktive dhe dorëzojnë propozime konstruktive atëherë do jetë i gatshëm të organizoj një takim tjetër”, deklaroi Bislimi.
Bislimi tha se pala serbe ka dëshmuar se po tërhiqet edhe nga pozicionet e saja dhe ka përmendur se Beogradi zyrtar ka ndryshuar qëndrimin në lidhje me propozimet e veta të dërguara vetëm një ditë më parë në Bruksel.
Në anën tjetër, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, përgjegjësinë për bisedimet e dështuara ia barti palës kosovare.
Sipas tij, pala serbe shtroi gjithsej gjashtë propozime, duke shtuar se “pala serbe është e gatshme të vijë të vazhdojë diskutimet kurdoqoftë”.
Takimi në selinë e BE-së zgjati për gati nëntë orë.
BQK-ja me rregulloren e saj të re të miratuar gjatë muajit janar 2024, e bëri të ndaluar operimin me para të gatshme me ndonjë valutë tjetër përpos euros, gjë e cila preku më së shumti komunitetin serb të Kosovës të cilët ende marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinar.