Rtv Pendimi

Bujqësia, shtyllë e zhvillimit të Kosovës

Intervistë me fermerin e suksesshëm Ismet Balaj nga fshati Llaushë i Komunës së Skenderajt

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Bujqësia konsiderohet prej sektorëve të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një vendi, megjithëse zhvillimi i saj mbetet një sfidë shumë më e madhe jo vetëm në raport me sektorë të tjerë të ekonomisë, por edhe sa i përket standardeve të cilat Kosova duhet t’i përmbushë nëse dëshiron të bëhet pjesë e Evropës së zhvilluar.

Kohëve të fundit në Kosovë vërehet një rritje e interesimit për t’iu rikthyer këtij sektori, megjithëse kushtet për t’u marrë seriozisht me të janë akoma larg. Krahasuar me vitet e kaluara ka rënie të prodhimit të kulturave tradicionale si fjala vjen grurit, misrit e drithërave në përgjithësi.

Viteve të fundit vihet re një trend i ri në sektorin e bujqësisë. Lavërtaria po i lëshon udhë pemëtarisë, kryesisht përmes kultivimit të: dredhëzës, mjedrës, boronicës dhe mollës. Këtu po bëhen investime të mëdha dhe leverdia duket të jetë më e madhe se te lavërtaria.

Për ta parë nga afër se si punohet dhe sa ka leverdi të merresh me bujqësi portali “bujqësia. org”, zhvilloi një intervistë me fermerin Ismet Balaj nga fshati Llaushë i Komunës së Skenderajt, i cili tregon për sukseset e punës së tij dhe për problemet që hasë në treg për shitjen e dredhëzës dhe produkteve tjera.

1-4

“bujqësia. org”: Kur keni filluar të merreni me bujqësi dhe ku jeni fokusuar më shumë?

Balaj: Sa i përket aktivitetit në lëmin e bujqësisë ne ketë aktivitet e kemi si një lloj trashëgimie, qysh nga të parët tanë, përkatësisht nga babai im Zoti e pastë mëshiruar. Babai im vite me herët para luftës së Kosovës është marrë me bujqësi kuptohet me aq kapacitet që ka pasur, duke pasur parasysh kushtet tejet të dobëta në atë kohë. E ne intensivisht këtë aktivitet të bujqësisë e kemi filluar menjëherë pas luftës, duke pasur suksese jashtëzakonisht të mira, gjithashtu duke i motivuar edhe njerëzit e tjerë të vendit ku jetoj, të cilët përveç që i kemi motivuar, me janë bërë tani edhe konkurrent të fort dhe kanë rezultate të shkëlqyera dhe falë këtyre rezultateve çdo ditë e me shumë po shkon duke u rritur numri i fermerëve të rij.

“bujqësia. org”: Sa veta jeni të angazhuar në këtë biznes bujqësor dhe a keni ndonjë punëtor të punësuar?
Balaj: Që nga koha kur kemi filluar ketë veprimtari kemi qenë të angazhuar vetëm ne anëtaret e familjes se ngushtë, por duke parë që kjo punë është e leverdishme, filluam ta shtrijmë aktivitetin edhe më shumë dhe duke e zgjeruar punën, patjetër duhej që të angazhojmë edhe punëtor shtesë.
Punëtorët që ne i angazhojmë, janë punëtor sezonal, varësisht prej sezonit të punës angazhojmë edhe punëtorët.

“bujqësia. org”: Na tregoni saktësisht çka kultivoni dhe cila kulturë është me profitabile?

Balaj: Fillimisht kemi qenë të fokusuar më shumë rreth kultivimit të dredhëzave, duke vlerësuar se kjo është bima me profitabile nga krejt bimët tjera që i mbjellim. Mirëpo, me përfitimin e serave nga MPBZHR filluam të kultivojmë edhe perimet tjera si: Domate, Speca, Tranguj, Spinaq, Pjepër, Sallata të gjelbërta. D. m. th. përveç dredhëzave i kultivojmë edhe perimet e cekura dhe kryesisht në ambiente të mbyllura (sera).

“bujqësia. org”: Në Kosovë sa ka leverdi të merresh me bujqësi?
Balaj: Po duke e parë gjendjen në këtë vend me një shkallë të lartë të papunësisë, si dhe valën e emigrimit, gjithashtu edhe krizat politike të njëpasnjëshme nga paslufta, është e domosdoshme të merresh me ndonjë aktivitet frytdhënës, ose siç është në këtë rast bujqësia.
Leverditë janë të mira nëse u jepet hapësirë produkteve vendore, por nëse përzihen edhe vendet tjera në tregun tonë me prodhimet e tyre, atëherë po bie çmimi i produkteve, ku me pas lëre që nuk po vlerësohet cilësia e produkteve tona në krahasim me ato të importuara por shkaktohet një demoralizim dhe një mosinteresim që të merresh me këtë punë ngase po bie leverdia dhe profiti.
Unë kisha dëshiruar që çdo konsumator i Kosovës t’i jep përparësi produkteve vendore ngase është edhe me i besueshëm për konsum, e kur t’i jepet përparësi produktit që e kultivon, natyrisht do të rritet interesimi i fermerëve në Kosovë, gjë që ky aktivitet do t’i ndalë shumë fenomene negative në vend.

“bujqësia. org”: A keni përkrahje nga komuna dhe a keni përfituar nga grantet e ndara nga MPBZHR-ja?
Balaj: Vite më herët kemi qenë përfitues të grantëve nga MPBZHR. Kemi qenë përfitues të serave me sipërfaqe prej 0. 40/ha. Gjithashtu kemi pasur mbështetje dhe përkrahje nga USAID, si dhe nga OJQ-t përkatësisht nga IADK-ja. IADK-ja ka punuar intensivisht me ne duke organizuar trajnime të ndryshme, lidhur me njohurit e trajtimit të bimëve me pesticide, mënyrën e mbjelljes, si dhe në përgjithësi mënyrën e kultivimit të bimëve që i kultivojmë dhe për këtë unë jam shumë mirënjohës nga krejt këto që kanë bërë për ne.

“bujqësia. org”: Pasi ju merreni më shumë me dredhëza, sipas jush a ka treg të mjaftueshëm për shitjen e dredhëzave?
Balaj: Sa i përket tregut të shitjes së dredhëzave, duke e patur parasysh që kjo kulturë sjellë bukur të ardhura, si shkak i këtyre të ardhurave, ka bërë që shumë fermerë të fokusohen më shumë në kultivimin e kësaj kulture, ku fokusin kryesor të shitjes e kanë komunikacionin rrugor apo rrugët ku janë të frekuentuara dhe të përshtatshme për shitjen e dredhëzës. D. m. th kemi të bëjmë me shitjen ambulante të dredhëzës, që i bie se nuk bëhet fjalë fare për shitjen e saj në treg, apo në ndonjë pikë grumbulluese të dredhëzës, ngase çmimi që ata e ofrojnë është nën vlerën e fitimit që ne e llogarisim.

“bujqësia. org”: A keni arritur të eksportoni, nëse po ku?
Balaj: Unë kam ndjekur shumë kurse dhe trajnime nga ekspertë të bujqësisë në lëmit e ndryshme, si në rrafshin e mënyrës se të kultivuarit, ashtu edhe në rrafshin e njohurive tjera, të tregut, të eksportit etj.
Nga ajo që kam dëgjuar nga këta ekspertë është se Kosova nuk i përmbush kërkesat për dredhëz në kokë banori. E tash nëse ne nuk kemi produkt për vendin tonë, është larg mendjes që të eksportojmë në vendet tjera jashtë Kosovës.

“bujqësia. org”: Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, a shpresoni se do të gjeni treg për shitjen e tyre edhe në BE?
Balaj: Unë nuk e di se si funksionon kjo marrëveshje në kuptimin e tregut jashtë vendit, por e di që edhe kjo siç çdo marrëveshje tjetër ka rregullat e saja. Populli thotë: “zgjati këmbët sa të mbërrin jorgani”, që i bie se ne njëherë duhet ta rregullojmë çështjen e tregut brenda shtetit tonë, pastaj nëse kemi mundësi dhe nëse është në dobinë tonë, të eksportojmë edhe në vendet e BE-së.
Unë e potencova më parë që njëherë përnjëherë mënyra më e mirë e shitjes është shitja ambulante skajeve të rrugës, mirëpo edhe kjo mënyrë dy viteve të fundit po vërehet që është shtuar numri i shitësve nëpër rrugë, ku me pas çdo kush po e shet sipas tekeve të veta dhe me ç’rast po dëmtohemi me këso lloj çmimesh duke menduar se po fitojmë. Nga shteti kërkoj që të merret me çështjen e kësaj kategorie t’u ofroj kushte të mira për shitjen e çdo lloj produkti jo vetëm të dredhëzës.
Por se si rregullohen këto kushte unë nuk e di, por e di që Kosova ka mjaft njerëz me potencial që t’i rregullojnë këto barriera në tregun e Kosovës.

“bujqësia. org”: Nëse keni diçka tjetër jemi në fund të kësaj interviste?
Balaj: Pa dashur ta zgjasë, unë ju falënderoj shumë për mundësin që më dhatë të jem pjesë e portalit tuaj. Uroj që nga këto përgjigjet e mija të përfitojnë ata që ende nuk kanë marrë hapin të merren me diçka. Unë krejt ata që janë me dy mendje, i nxisë dhe i motivoj që sa ma parë të fillojnë të merren me këtë aktivitet ose edhe me diçka tjetër jashtë kësaj, populli thotë: “Më mirë me punu kotë, se me nejt kotë”. Lëvizni me diçka, ngase edhe uji i cili nuk lëviz, nuk bën as për pije as për pastrim. Fare në fund ju dëshiroj punë të palodhshme juve portalit Zoti ju ruajt.

TË NGJAJSHME