344074950_199347875766991_8862961702635923210_n

ÇDO I RI ËSHTË I AFTË TË REALIZOJË NDONJË PROJEKT

Gati çdo mysliman dallohet në ndonjë pikë dhe shquhet në ndonjë fushë të shpikjes, kështu që ato duhet patjetër të shfaqen që myslimanët të përfitojnë prej tyre. Ai i cili jeton për veten, do të jetojë i vogël e pa ndikim dhe ashtu do të vdesë, kurse ai që jeton për umetin e tij, do të jetojë i madh dhe me ndikim dhe ashtu do të vdesë, me lejen e Allahut.

Tek ai që nuk kristalizohen shenjat e dallimit ose pikat e fuqisë, le të punojë me këmbëngulje që t’i gjejë, t’i skalitë dhe t’i zhvillojë ato. Nuk mund që të paramendohet të ketë njeri pa talent të caktuar ose aftësi që veçohet me të.

Çdo person sipas këtij rregulli posedon kapacitet që të jetë shpikës dhe i talentuar.
Usame ibën Zejd, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e udhëhoqi ushtrinë me shumë ushtarë, në mesin e tyre kishte sahabij të mëdhenj, dhe atë ditë Usame nuk i kishte tejkaluar as të njëzetat.

Bijtë e Afras, Muadhi dhe Muavidhi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ishin të etur për ta vrarë faraonin e këtij umeti, Ebu Xhehlin. Nxituan të dy së bashku drejt tij dhe i ranë me shpatë derisa e vranë.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ishte komentuesi dhe kuptuesi i Kuranit; ai ishte burim shkencor, yll në kuptimin e dijes dhe në nxënien përmendsh, qysh herët nga fëmijëria.

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, pati thënë: “E mësova përmendsh Kuranin kur isha shtatë vjeç dhe e mësova përmendsh librin El-Muvata (të imam Malikut) kur isha dymbëdhjetë vjeç.”

Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për të mirat e Allahut që i posedojnë. Kur i thua ndokujt: Bëje një projekt që të mësosh përmendsh një pjesë të Kuranit ose diçka nga dija, ka për të thënë: Memoria ime është e dobët, mundësitë psikike i kam të përkufizuara, nuk mundem të mësoj përmendsh! Kështu arsyetohet shkaku që nuk e ka nisur asnjë hap të këtij projekti, se po ta niste, kishte për ta zbuluar në veten e tij atë që më herët e mendonte se nuk e dinte.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU