3D9EC27D-DAAA-4C23-A361-17EB7E7D5D1F

Ceremonia e Hifzit të hafizes së re Sara Isaki

Me një ceremoni fetare të organizuar nga Myftinia e Shkupit, më datë 25 mars 2021, në Xhaminë e Dyqanxhikut, u promovua hafizeja më e re e Shkupit, hfz. Sara Isaki.

Në këtë ceremoni, në një ambient gëzimi, prezentë ishin Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, kryetari i Kuvendit h.Fejsall ef. Kadriu, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Evzal ef. Sinani, Myftiu i Gostivarit Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Kërçovës Qamil ef.Rushiti, Kryetari i OH Hilal Fadil ef. Ramadani, drejtori i Medreses “Isa Beu” Ibrahim ef. Idrizi, hoxhallarë e hafëzllarë dhe shumë mysafirë e besimtarë.

Programi filloi me Fjalën e All-llahut , me ashere të lexuar nga Hfz.Xhemail ef.Nuhiju,përgjegjës i Institutit “Ismail Efendiu”.

Në fillim, me fjalë përshëndetëse në emër të familjes Isaki, fjala i takoi Remzi ef.Isakit, njëherit edhe prind i hafizes së re,i cili falenderoi gjithë të pranishmit për prezencën e tyre.

Në cilësinë e nikoqirit të këtij organizimi të pranishmit i përshëndeti Myftiu i Shkupit Dr.Qenan ef. Ismaili i cili falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre në këtë ceremoni hifzi, duke shprehur mirënjohje ndaj familjes Isaki dhe gjithë atyre që ishin hisetarë në këtë rrugëtim të hafizes Sara Isaki.

Myftiu mes tjerash shtoi: “Nuk ka kënaqësi më të madhe se të prezentosh në këtë manifestim, ku kremtohet angazhimi, sakrifica disavjeçare e muhafizes hfz.Nehal Ibrahimi si dhe përkushtimi i hafizes së re për të memorizuar fjalën e All-llahut.

Pikërisht për këtë arsye, në kalendarin e aktiviteteve tona si Myftini e Shkupit, këto manifestime rënditet në aktivitetet më të rëndësishme dhe më me peshë.

Në fjalën e tij të rastit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai pasi përshëndeti të pranishmit, duke filluar nga kryetari i kuvendit të BFI- së, muftinjtë prezent, anëtarët e Rijasetit të BFI, profesorët e FSHI dhe Medresesë Isa Beu Shkup, anëtarët e komisionit të Hifzit, drejtorët e sektoreve pranë BFI, prindërit dhe familjarë të hafizit të ri, mysafirë, familjarë të hafizit e xhematlinj tha mes tjerash:

“Sot jemi këtu të përjetojmë gëzimin e madh tonin me rastin e shpalljes së hafizes më të re nga Myftinia e Shkupit.
Sot jemi këtu që të marrim shembull, të përurojmë dhe përgëzojmë si dhe ta festojmë veprën e madhe të muhafizes, të vlerësojmë arritjen, suksesin e madh të mbrojtëses së Kuranit Famëlartë, hfz.Sara Isaki.”

Duanë e Hifzit e bëri Myftiu i Myftinisë së Strugës Mr.Salim ef.Sulejmani.

Në fund, para gjithë të pranishmëve hafizes Sara Isaki iu dorëzua diploma e hifzit të mbrojtur si dhe muhafizja pranoi mirënjohje për angazhimin e saj dhe një dhuratë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj nga ana e Reisul Ulemasë H. Hfz.Shaqir ef.Fetai.

Myftiu Dr.Qenan ef. Ismaili, i dhuroi hafizes së re një pllaketë, dëshmi për kryerjen e Hifzit në emër të Myftinisë së Shkupit si dhe një kompjuter portativ (lap-top), dhuratë nga donator i Myftinisë së Shkupit

Hfz.Sara Isaki, është e lindur më 09 maj 2002, aktualisht nxënëse e Medresesë Isa Beu në Shkup, ndërsa nxënien e Kuranit përmendësh e filloi më 26 nëntor 2016 deri më 27 shtator 2020, tek muhafizja e saj Hfz. Nehal Ibrahimi.

Seancat degjimorë janë realizuar 6 ditë radhazi, 17 mars – 24 mars 2021 me metodën e re të aplikuar të dëgjimit të tërë Kuranit famëlartë para Komisionit për Vlerësim pranë Myftinisë së Shkupit i cili përbëhet nga:

Hfz. Shafi ef. Osmani – Kryetar, Hfz. Sadudin ef. Sulejmani – anëtar dhe Hfz. Sheval ef. Azizi – anëtar.