Cfar duaje bënte i Dërguari i Allahut para iftarit?

Përcillet në një hadith se Pejgamberi alejhi selam thoshte:
“Allahume leke sumtu ue ala rizkike eftartu. – O Allah! Për ty agjërova dhe me rizkun që më dhe Ti çela.”
Këtë hadith e sjell Ebu Daudi nga Muadh ibn Zuhre, i cili raporton se është informuar që Pejgamberi alejhi selam ka bërë një lutje të tillë.

Gjithashtu, transmetohet se, pasi çelte, Pejgamberi alejhi selam thoshte:
“Dhehebe dhameu vebteletil uruku ue thebetel exhru inshaallahu. – Shkoi etja, arriti uji në damarët e gjakut dhe u arrit shpërblimi – në dashtë Allahu!”
Këtë hadith e shënon Ebu Daudi nga Husejn ibn Vakidi, ky nga Merrvan ibn Salim El Mukafa, dhe ky nga Ibn Omeri.

Përmendet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Në kohën kur çel, agjëruesi ka një lutje që pranohet.” Këtë hadith e ka sjellë Ibn Maxhe.
Sipas një hadithi të saktë, Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kur të vijë nata që këndej (nga ana e lindjes) dhe të largohet dita që andej (nga ana e perëndimit), agjëruesi çel.” Për disa dijetarë, fraza ‘agjëruesi çel’ do të thotë se kur hyn koha e iftarit ligjërisht, agjëruesi quhet se e ka prishur agjërimin, qoftë edhe nëse nuk bën nijet prishjen e tij, ndërsa për disa të tjerë do të thotë se ka hyrë koha që ai të prishë agjërimin, por pastaj është në dorë të agjëruesit se kur e prish.

Përmendet se kur çelte, Pejgamberi alejhi selam bënte këtë dhikër:
“Allahume leke sumtu ue ala rizkike eftartu, fetekabel minna, ineke entes semiul alim.
O Allah! Për Ty agjërova dhe me rizkun që më dhe Ti çela, prandaj pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je Gjithëdëgjues dhe Gjithëshikues!”
Por ky hadith nuk është i saktë.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “ZAD EL MEAD”
AUTOR IBN KAJIM EL XHEUZIJE.