
ÇFARË KËRKOJNË NGA GRUAJA?
Bajagi njerëz shpejtojnë t’i shprehin gruas fjalë që asaj i pëlqejnë. I riu, si zakonisht, mundohet të paraqesë impresionizmin e tij me ndonjë vajzë të bukur, duke thurur fjalë miradije dhe lavdi për të. Në këtë mënyrë mundohet të përfitojë dashurinë e saj dhe takimin me të, qoftë nëpërmjet kontaktit me celular, me letër, qoftë gojarisht, dëshiron të shprehë sinqeritetin, dashurinë dhe besnikërinë e tij. Ku e di, ndoshta edhe shumë prej vajzave kanë qejf kështu t’u shprehen ndjenjat!
Kishte periudha kur e ndieja se djemtë janë të sinqertë dhe të dashur. Edhe unë, si vajzat e tjera, zjarrin e vrullit të epsheve e shihja si emocion të pastër dhe të sinqertë. Por, më vonë, kuptova se dehja prej epshit kishte pasë ndërhyrë mes meje dhe kuptimit të drejtë të këtij mendimi. Shpeshherë e pyesja veten: A janë në të vërtetë të sinqertë këta djem në dashurinë, besnikërinë dhe miqësinë e tyre, apo pas gjithë kësaj fshehin diçka tjetër dhe kanë qëllime të tjera?
Vajza që nis një lidhje dashurie në haram, sikurse t’i linte anash emocionet dhe mbresat e rreme e të ishte racionale me veten dhe t’ia parashtronte pyetjet: Çfarë dëshiron ky i ri prej meje? Çka po e shtyn atë të hyjë në lidhje me mua? Madje, çfarë do t’u thotë shokëve të vet kur të takohet me ta? Me çfarë gjuhe do të flasin ata për mua?, besoj se shumë lehtë do ta kuptonte se qëllimi i tij final është shfrenimi i epshit të tij në haram. Atëherë, vallë, a nuk frikohesh prej tradhtisë dhe mashtrimit? A të duket që është i denjë t’i besohet?
Ai e tradhtoi Zotin e tij, fenë e tij dhe popullin e tij, kështu që largoje mendjen se kjo vajzë do të jetë më e shtrenjta që ai posedon! Dëshira e tij është sa më shpejt të arrijë deri te qëllimi e, në anën tjetër, punë e madhe për vajzën nëse mbetet e thyer nga mërzia dhe keqardhja.
Këta djem fodullë, pas takimeve me vajzat, kur mbeten vetë, qeshin se si i mashtruan ato vajza e si ato ranë në kurthin e premtimeve të rrejshme dhe fjalëve të tyre të ëmbla. Ah, sikur motrat e mia të ndershme të ishin në dijeni se çfarë flitet për to në ndejat e atyre djemve! Ah, sikur motrat e mia të ndershme ta kuptonin lojën e fëlliqur të mediave që tradhtinë, imoralitetin dhe shthurjen i emërtojnë me emra tërheqës si lidhje emocionale, lidhje me gjininë tjetër, dashuri të pastër dhe pasion të zjarrtë. Ah, sikur ajo t’i emërtonte ato me emrat e vërtetë e t’i vendoste në binarët e vet dhe ta tejkalonte gjuhën mashtruese të mediave!
Pasha Allahun! Ata asnjëherë nuk mund të jenë më të sinqertë se Pejgamberi, alejhi selam. Allahu na ruajttë prej mendimit se Pejgamberi, alejhi selam, hiperbolizon fjalimet e tij. Lexoje hadithin e mëposhtëm, ku na paralajmëroi nga hapat e shejtanit duke i emërtuar ato me emrat e tyre të vërtetë.
Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Birit të Ademit i është përcaktuar hisja e tij e kurvërisë (zinasë), që do ta arrijë patjetër. Me të vërtetë zinaja e syve është shikimi, zinaja e veshëve është dëgjimi, zinaja e gjuhës është të folurit, zinaja e dorës është prekja, zinaja e këmbës është ecja, zemra anon dhe shpreson, ndërsa gjithë këtë e vërteton ose e mohon organi gjenital.”[1]
Pasha Allahun! Sa e sa shikime të ndaluara i shkëmbejnë i riu dhe e reja? E sa fjalë dashurie dhe epshore? E sa hapa drejt takimit? Madje, sa e sa takime në vetmi?
Në çdo takim ku i riu me të rejën qëndrojnë në vetmi, patjetër shejtani do të jetë i treti i tyre. Pejgamberi, alejhi selam, për këtë shkak i paralajmëroi sahabët, edhe përskaj devotshmërisë dhe virtytshmërisë së tyre, dhe u tha: “Të mos vetmohet ndonjëri prej jush me ndonjë grua (të huaj që nuk e ka mahrem), sepse shejtani është i treti i tyre.”[2]
Mendoja se kontaktet me djem do të ma ofronin kulmin e lumturisë dhe kënaqësisë, mirëpo e falënderoj Allahun që e kuptova fundin e dhimbshëm të kësaj rruge para se të baltosesha në të.
– Pamje tjetër:
Fotografinë e gruas e gjen gati në çdo reklamë biznesi e tregtie, duke e shprehur në këtë mënyrë përbuzjen e njerëzores te gruaja dhe duke e pezulluar zëshëm rolin e saj.
Secili mysliman që ka pak xhelozi për fenë e tij, e respekton pozitën e gruas dhe e di se ajo si krijesë është më fisnike sesa të jetë mjet për t’u shitur malli, e parashtron pyetjen se pse ata e marrin pikërisht foton e gruas dhe e vendosin në reklamë. Pse fotot e grave i gjen vazhdimisht në mallra ose gjësende që ndoshta ajo s’ka asnjë lidhje me to?
Gruaja përdoret si mjet që i skadon afati, duke e nënvlerësuar dhe poshtëruar pozitën e saj. Gruaja përdoret si mjet që i skadon afati e kështu nëpërmjet saj bëhet tregtimi me nderin dhe virtytshmërinë e myslimanëve. Gruaja përdoret si mjet që i skadon afati, ku nëpërmjet saj për përftime materiale dhe personale synohet të prishet turpi dhe shoqëria e shëndoshë.
Kur m’u qartësua ky realitet, atëherë e kuptova pozitën time se sa e lartë që është dhe e kuptova se sa i lirë që është nderi për ata njerëz. E falënderova Allahun për mbulesën time, për virtytshmërinë dhe për turpin tim.
– Pamja e tretë e mënyrës se si përbuzet gruaja:
S’ka sot njeri që merr në dorë një revistë, vetëm se në ballinën e revistës do të shohë femra të bukura.
Këto fotografi e bëjnë më tërheqëse shitjen dhe shpërndarjen e revistave. Më vinte çudi se si mashtroheshim me këto foto? Si e përdorën gruan për të arritur te pasuria dhe avancimi personal?
Lexoji fjalët e njërës prej këtyre grave që për një moment u kthjell mendja e saj sa për të mbetur fjalët e saj dëshmi e gjallë deri në Kiamet:
“Një gazetë e shpërndau lajmin për një artiste franceze se gjatë incizimeve para kamerave u kërkua prej saj të zhvishej në një sekuencë të filmit. Kërkesa e regjisorit e zemëroi tej mase, saqë e shtyri të bërtasë para hundëve të tij dhe artistit që luanin bashkë e t’u thoshte: “Ore qen! Ju dëshironi të pasuroheni me ne gratë duke e shfaqur lakuriqësinë tonë!” Dhe më pas shpërtheu në lot. Pavarësisht jetës së shthurur që ishte e zhytur në të, për një moment u kthjell që të shqiptojë disa fjalë të vërteta që do të mbeten dëshmi e gjallë për tragjedinë që e përjeton gruaja, për të cilën pretenduan që është e civilizuar.”[3]
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)
[1] Buhariu (6234), Muslimi (2657).
[2] Ahmedi (115), Tirmidhiu (2165).
[3] “Gruaja mes thirrësve të Islamit dhe pretendimeve civilizuese” (f. 22-23).