ÇFARË PËRGATITA UNË PËR AHIRET?!

O ti njeri…
Kur lind, të thirret ezani pa falur namaz dhe kur vdes, të falet namazi pa thirrur ezan.
Kur lind, nuk e di se kush të nxori nga barku i nënës sate, kurse kur vdes, nuk e di se kush e mban kufomën tënde mbi supet e veta.
Kur lind, të pastrojnë dhe të lajnë, kurse kur vdes, po ashtu, të lajnë dhe të pastrojnë.
Kur lind, gëzohen me lindjen tënde prindërit dhe familja, kurse kur vdes, pikëllohen për ty prindërit dhe familja.
O biri i Ademit, u krijove nga dheu, i lartësuar qoftë Allahu, i Cili të bën që pas vdekjes të kthehesh prapë në dhe.
Kur ishe në barkun e nënës sate, ishe në një vend të ngushtë dhe të errët, kurse kur vdes, futesh në një vend të ngushtë dhe të errët.
Kur lind, të veshin me copë pëlhure që të ta mbulojnë trupin, atëherë kur vdes, të veshin me copë pëlhure që të ta mbulojnë trupin.
Kur linde dhe u rrite, njerëzit pyetnin për diplomat dhe përvojat e tua, kurse atëherë kur vdes, nuk do të pyetesh vetëm se për veprat e tua.
I drejtohem atij që i lexoi këto fjalë, ulu me veten tënde në një ndejë të sinqertë dhe pyete veten sinqerisht: ÇFARË PËRGATITA UNË PËR AHIRET?!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU