[There are no radio stations in the database]
Çfarë synimesh (qëllimesh) kemi kur të hyjmë në muajin Ramazan?

Çfarë synimesh (qëllimesh) kemi kur të hyjmë në muajin Ramazan?

  1. Synimi i parë:
    Përmbushja e urdhërit të Allahut të Madhëruar dhe pasimi i Sunetit të Profetit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, pasi agjërimi i muajit Ramazan është një nga pesë shtyllat e Islamit.
  2. Arritja e devotshmërisë:
    Allahu i Lartësuar thotë:
    {كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ}
    “Agjërimi ju është bërë obligim sikurse u ishte obligim i atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.”
    “Që të bëheni të devotshëm” do të thotë se ky muaj duhet të jetë muaji i devotshmërisë. Kini frikë Allahun, sepse kush i frikësohet Allahut do t’i falen mëkatet dhe do t’i shtohet shpërblimi.
  3. Arritja e shkallëve më të larta tek Allahu:
    Nëse në ditët e agjërimit mund të ndjeni se keni uri, gëzohu me këto ndjenja dhe dije se po kryen një adhurim dhe pikërisht atë që do Zoti i Madhëruar prej teje.
    Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
    “Agjëruesi ka dy gëzime: një gëzim kur bën iftar dhe një gëzim kur do të takohet me Zotin e Tij.”
  4. Shpëtimi në Ditën e Gjykimit:
    Veprat do të vihen në peshore dhe kur të vihet në peshore dhe të rëndojnë veprat e këqija, Allahu e shumëfishon shpërblimin e agjërimit dhe e bën të rëndojë në anën e veprave të mira, sepse Allahu thotë në hadithin Kudsij:
    “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, se ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.”
    Dhe Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
    “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon fytyrën nga Zjarri shtatëdhjetë vite.”
  5. Hyrja në Xhenet:
    Në Xhenet është një derë që quhet Er-Rajjan, nga e cila thirren dhe hyjnë vetëm agjëruesit. Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, thotë:
    “Vërtet, në Xhenet është një derë që quhet Er-Rejjan, nëpër të hyjnë në Xhenet agjëruesit ditën e Kiametit dhe nuk hyn në të askush tjetër. Do të thuhet: ‘Ku janë agjëruesit?’ Pastaj do të hynë përmes saj dhe kur të hyjë i fundit, ajo derë mbyllet dhe nuk hapet më.”
  6. Ndërmjetësimi i agjërimit:
    Ditën e Kiametit do t’ju vijë agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për agjëruesin dhe lexuesin e Kuranit. Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, thotë:
    “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kiametit. Agjërimi do të thotë: ‘O Zot! E kam penguar nga ushqimi dhe epshi gjatë ditës, më mundëso të ndërmjetësoj për të!’ Kurani do të thotë: ‘E kam penguar nga fjetja gjatë natës, më mundëso të ndërmjetësoj për të!’ Atyre dyve do ju mundësohet ndërmjetësimi.”
  7. Largimi nga gjynahet:
    Me agjërimin e Ramazanit bëj nijet të largohesh nga gjynahet e të kaluarës dhe të mos i përsërisësh në të ardhmen.
    I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
    “Kush agjëron Ramazanin me besim të plotë dhe me shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që ka bërë në të kaluarën.”
    Hyni në Ramazan duke i kërkuar Allahut të Madhërishëm që t’jua largojë nga gjynahet, ta largojë dashurinë dhe varësinë ndaj tyre me të gjitha detajet nga ju dhe nga zemra juaj.
    Dhe me agjërimin tuaj synoni që Allahu t’ju mbyllë dyert e së keqes.
    Sepse ndonjëherë mund të jesh i mirë dhe i drejtë, por dera e së keqes hapet para teje dhe nuk mund të rezistosh, prandaj kemi nevojë për mbështetje nga Allahu që të mos shohim dyert e së keqes në radhë të parë dhe t’i mbyllë ato nëse na paraqiten.
  8. Shërimi i zemrës:
    Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
    “A tju tregoj se çfarë e largon nxehtësinë nga gjoksi? Agjërimi i tri ditëve të çdo muaji.”
    Nxehtësia: është ajo nxehtësi që njeriu gjen në gjoks nga urrejtja, zilia, mashtrimi, zemërimi dhe hipokrizia. Agjërimi e largon këtë nxehtësi.
  9. Koha e përgjigjes së lutjeve:
    I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, thotë:
    “Tri lutje nuk kthehen mbrapsht: Lutja e prindërit, lutja e agjëruesit dhe lutja e udhëtarit”.
    Pra, gjatë gjithë agjërimit je në kohë të përgjigjes së lutjeve, sepse agjëruesit i pranohen lutjet.

E lus Allahun të na bëjë prej atyre që dëgjojnë atë që thuhet dhe ndjekin më të mirën e saj dhe të na bëjë prej atyre që agjërojnë dhe e kryejnë Ramazanin me besim të plotë dhe me shpresë në shpërblimin e Tij.

Dr. Adelina Kuçana


[There are no radio stations in the database]