Pyetja:
Eselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu! Hoxh i nderuar pata një pyetje: Dihet që duhet të mbahen pantallonat për meshkuj mbi zogun e këmbës, mirëpo desha të di se cila është dobia e saj ose urtësia e mbajtjes, nëse dihet.
Unë për vete e praktikoj edhe nuk lodhem te pyes për këtë gjë, mirëpo disa vëllezër fillestarë dëshirojnë të dinë edhe dobinë në mënyrë që ta praktikojnë.
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në fillim të kësaj përgjigjeje, na duhet të bëjmë një sqarim mjaft të rëndësishëm. Ajo me çka ne muslimanët dallohemi nga të tjerët është se urdhërimet dhe ndalesat me të cilat obligohemi nga Allahu i Lartësuar në Kuran dhe nga Profeti i Tij (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) në hadithe i pranojmë ashtu siç janë duke mos i modifikuar, përshtatur, ose edhe ndryshuar. Prandaj edhe u quajtëm “musliman”-“të nënshtruar”, pasi që u nënshtrohemi ligjeve që përmban feja jonë në përgjithësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te Allahu dhe te i Dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: “Dëgjuam dhe respektuam”. Të tillët janë të shpëtuarit”. Nur, 51.
Prandaj edhe Allahu i Lartësuar i kritikon popujt e mëparshëm që kanë refuzuar nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar. Ai thotë: “Një palë nga jehudët janë që ndryshojnë fjalët (e Zotit) nga vendet e veta, e (kur i thërret ti Muhamed) ata thonë: ‘Dëgjuam dhe kundërshtuam…’”. Nisa, 46.
Mirëpo ky nënshtrim nuk kundërshton edhe hulumtimin e shkakut, motivit ose të arsyes se pse një dispozitë përligjet ose pse ndonjë çështje ndalohet? Për t’u shtjelluar në këtë pikë, kërkohet zgjerim dhe sqarim, pasi që ka shumë çfarë duhet të shtjellohet, por ajo me çka do të mjaftohemi me këtë rast është të sqarojmë atë se një nga emrat dhe cilësitë e Allahut të Lartësuar është “El Hakim”-“I Urtë” dhe me këtë cilësi nënkuptojmë se Allahu i Lartësuar për çdo dispozitë që e ka zbritur ose e ka përligjur Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) me hadithe, duhet të përmbajë në veten e saj edhe urtësinë se pse ajo dispozitë është në atë formë? Por, kjo urtësi nuk do të thotë se është e patjetërsueshme për të qenë e njohur për ne. Prandaj kemi nga dispozitat për të cilat i dimë urtësinë pse janë ligjësuar ose edhe pse janë ndaluar, pastaj kemi edhe dispozitat për të cilat nuk dimë arsyen pse janë ashtu. Kurse të gjitha këto dispozita, adhurime qofshin ose ligje, kanë një urtësi ose motiv (el-ile) të përbashkët, ajo është realizimi i adhurimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut të Lartësuar.
Pasi sqaruam këtë themi se për zgjatjen e rrobave nën nyje të këmbës, kemi një numër të haditheve. Kurse urtësia në këtë themi se në disa hadithe është sqaruar se kush e bënë këtë në shenjë të mendjemadhësisë, atëherë mëkati është më i madh dhe dënimi për këtë person është që Allahu nuk do ta shikojë atë Ditën e Gjykimit. Kurse në disa hadithe ka ardhur ndalesa pa e specifikuar këtë veprim me mendjemadhësinë. Për këto raste, pra kur ajo praktikohet duke mos pasur për qëllim mendjemadhësinë, themi se urtësia në to mund të jetë ngjasimi i mendjemëdhenjve, pasi që veshjet e zgjatura aludojnë në kryelartësi. pastaj është më pastër për muslimanin që të mos i shkojnë rrobat për toke. Sido që të jetë, ashtu si sqaruam më herët nuk është e domosdoshme që për çdo dispozitë të dimë arsyen ose urtësinë e ndalimit, ose përligjësin, pasi ne jemi të obliguar të pasojmë atë me të cilën urdhërohemi. Allahu e di më së miri.
Hoxhë Alaudin Abazi
/Klubikulturor