Cilat janë festat e fundvitit?

Mr. Ragmi Destani

Për çdo vit kur vie dhjetori d.m.th. fundi i vitit, hasim nëpër të gjitha mediat tona shqiptare shprehjen “festat fundvitit”.

Ajo që na shtyen të mendojmë mirë këtu dhe që na bënë të shtrojmë edhe pyetjen se, në fakt,  cilat janë këto festa?
Nëse është fjala për vitin e ri gregorian, që e festojnë shumë popuj të botës , ajo është vetëm një festë, e jo festat, atëherë çfarë festa po na urojnë mediat?

Festat, të cilat janë në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, janë festa të fesë krishtere, kurse Viti i ri, zbukurimi i bredhit, babadimri, etj., janë festa pagane ku nuk i pranon as vetë krishterizmi si festa të tyre, por me që koincidojnë në kohë, me lindjen dhe jetën e Pejgamberit Isa a.s. janë futur në krishterizëm dhe festohen!

Ne e dimë mirë se shumica absolute e popullatës shqiptare në Kosovë është myslimane, në Shqipëri janë mbi 60 %, kurse në luginë të Preshevës dhe Maqedoni janë 100 %.

Mirëpo nëse urohet në përgjithësi, atëherë nuk është në rregull që ta shprehim urimin në mënyrë të përgjithshme, sepse në asnjë mënyrë nuk lejohet që t’i thuhet myslimanit urime festa e fesë së huaj.

Kjo i bie sikur t’i thuash një amerikani ose europiani urime festa e flamurit kombëtar shqipëtar. D.m.th. nuk ka asnjë kuptim!

Pra shprehja urime “festat e fundvitit“, nuk është me vend, duhet të precizohet, e nëse e përdorin myslimanët ndërmjet veti, atëherë kalon në mëkat, e bile mund të shpien edhe në shirk.

Çështja e dytë këtu është: të festuarit e këtyre festave, ose më saktë festimi i Vitit të ri.
Mungesa e njohurive shpesh na shtyen që të bëjmë veprime të gabueshme. Shejtani këtë padituri e shfrytezon më së shumti te këta njerëz, kurse te njerëzit e ditur ndikon vetëm duke u përvjedhur.

Nëse këto veprime bëhen me vetëdije dhe bindje, atëherë mund të na kushtojnë me iman, e askush prej nesh nuk është i gatshëm të rrezikojë me iman duke e humbur jetën e përjetshme në llogari të një çasti ose për një festë të huaj.

Për të rrezikuar kështu duhet të jeshë:  Ose trim i madh ose injorant i madh, e ne nuk e pëlqejmë asnjërën.

Ndalesa e festimit të vitit të ri arsyetohet në dy kënde:
1. Këndi i besimit – sepse ka bazë fetare jo islame, e cila ndërhyn direkt në çështje të gabueshme rreth Zotit.
2. Organizimi i kësaj feste bëhet me mëkate nga më të ndryshmet si alkooli, bashkimi i dy gjinive, prostitucioni, shpenzime të mëdha të panevojshme etj.

Çështja e tretë: Organizimi i ‘party-ve’ për Vitin e Ri duke i emërtuar me emërtime të ndryshme, si christmas party, ose neë year party, etj.

Organizimi i ‘party’ në mënyrën se si bëhet nëpër lokale të ndryshme, është absolutisht e pajustifikueshme dhe plotësisht haram e ndaluar.

Sepse është festë pagane ( ose krishtere) me bazë fetare, e që nëse marrim pjesë me vetëdije dhe bindje atëherë bëjmë mëkat, dhe mund të vie deri te dëmtimi i imanit tonë.

Pastaj ato bëhen me bashkimin e dy gjinive, me veshjet ekstravagande dhe me vallëzime të cilat aspak nuk janë morale, pastaj përdorimi i alkoolit, prostitucioni, e deri te aksidentet që mund të kushtojnë edhe me jetë, etj.

Këto party, organizohen për përfitime parsonale nga pronarët e lokaleve të cilët po e shfrytëzojnë rininë dhe moshën e tyre, ku shumica janë të shkollave të mesme (pra – 18 vjet), duke manipuluar me ta me këngëtarë dhe valltare të ndryshme.

Pra, po përfitojnë nga adoleshentët ku ky keqpërdorim është i ndaluar edhe me ligj.
Feja islame ka toleruar aq shumë sa që kërkuesit të diturisë – nxënësit dhe studentit – i ka lejuar që tu jipet zekati dhe sadekatul fitri që ata të vazhdojnë shkollimin e tyre,  kurse këta zotërinj po ua marrin atyre këto para, duke manipuluar me moshën e tyre.

Të gjithë pjesëmarrësit e këtyre organimzimeve party, do të japin llogari serioze te Zoti, kurse pronarët e lokaleve dhe organizatorët e këtyre party-ve, të mjerët ata se çfarë fitimi po bëjnë dhe me çfarë fitimi po i ushqejnë familjet e tyre. Ata, gjithashtu, do të marrin edhe mëkatin e të gjithë pjesëmarrësve, sepse ata janë shkaktarët e këtyre organizimeve.

Për këto arsye, u bëjmë thirrje të gjithë të rinjëve që ta zotërojnë mendjen e tyre dhe t’i bojkotojnë këto ftesa të mbrapshta të djallit, dhe të shpëtojnë nga pasojat e papërballushme që sjellë kjo pjesëmarrje.
Mos lejoni që gjithkush të luan dhe manipulon me mendjen tuaj të kthjellët, me të cilën Zoti ju ka pajisur, e që të kontriboni për veten tuaj, për familjet tuaja dhe për kombin tuaj.

Zoti për neve në Kuran ka thënë: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqia dhe të besoni Allahun…” (Kuran Aali imran 110.)
Allahu xh.sh. ka mendim të mirë për ju se do të jeni ata që rregullojnë dhe përparojnë, e jo ata të cilët ndikohen nga ftesat e djallit, për të humbur gjithë këtë autoritet dhe këtë mendim të mirë të Zotit për ju, vetëm për të kënaqur veten për vetëm një çast ose një festë.

Mesazhi për fund është:

1. Të jemi të vetëdijshëm dhe të mos manipulohemi nga askush.
2. Të ruajmë veten dhe familjet tona nga rreziqet e kësaj bote dhe
nga hidhërimi i Zotit.
3. Mos rrezikoni me imanin tuaj, sepse të luash me iman, është e
rrezikshme dhe kushton shumë.
4. Mos fitoni nga harami që të mos i ushqeni familjet tuaja me haram.
5. Mos i shpenzoni paratë tuaja duke blerë xhehenemin dhe
Shidhërimin e Zotit.
6. Mos u bëni shkaktarë të mëkateve të të tjerëve.
7. Keni frikën e Zotit, dhe kujtoni se një ditë do të jepni llogari para Tij.

(Islampress)