nature

CILI ËSHTË SHKAKU I PIKËLLIMIT TËND?!

– Nëse është shkaku i pikëllimit tënd sëmundja, dije se ajo për ty është hair dhe përfundimi i saj është shërimi.

Allahu i Madhëruar thotë. “I Cili, kur sëmurem, më shëron.” (Esh-Shuara: 80)

– Nëse është shkaku i pikëllimit tënd është mëkati që e ke bërë apo gjynahu, atëherë meditoje fjalën e Allahut, i cili është më Mëshirues ndaj teje, sesa ti për vetveten.

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i Madh dhe Mëshirëploti!” (Ez-Zumer: 53)

– Nëse është shkaku i pikëllimit tënd padrejtësia e bërë nga farefisi apo të largëtit, dije se Allahu të premtoi fitore, dhe i premtoi atij që të bëri padrejtësi me humbje dhe nënçmim.

Allahu i Madhëruar me një hadith të shenjtë (kudsij) i tha të dëmtuarit: “Pasha Krenarinë dhe Madhërinë Time! Do të ndihmoj, qoftë edhe pas një kohe!” [1]

– Nëse është shkaku i pikëllimit tënd varfëria dhe nevoja, duro dhe përgëzohu.

Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit…” (El-Bekare: 155)

– Nëse është shkaku i pikëllimit tënd mospasja e fëmijëve apo numri i vogël i tyre, dije se ti nuk je i pari që nuk i ke dhe ti nuk je përgjegjës për krijimin e tyre.

Allahu i Madhëruar thotë: “I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë.” (Esh-Shura: 49)

– A je ti ai që deshi të jetë steril apo Allahu me vullnetin e Tij të bëri ashtu?!

– A të takon ty ta kundërshtosh gjykimin e Allahut dhe vullnetin e Tij apo a i takon dikujt tjetër të qortojë për këtë?!

– Nëse ai e vepron këtë, atëherë ai e kundërshton Allahun e jo ty, dhe ai nuk e pranon gjykimin e Tij dhe vullnetin e Tij.

Me të vërtetë, pikëllimi, krijimi dhe çështjet, të gjitha i takojnë vetëm Allahut.

[1] Shënon Taberaniu dhe shejh Albani e cilësoi si të saktë.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU