thumbs_b_c_c769211575eaf9d18b20e4ecfc8feec3

Çmimet globale të ushqimeve shënojnë rënie në gusht

Në muajin gusht, çmimet globale të ushqimeve ranë për 2,1 për qind në krahasim me muajin paraprak, ndërsa çmimet e orizit u rritën me 9,8 për qind duke arritur nivelin më të lartë në 15 vjet, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), çmimet e drithërave ranë me 0,7 për qind, ndërsa çmimet e grurit ranë me 3,8 për qind për shkak të “disponueshmërisë më të lartë sezonale nga korrjet e vazhdueshme në disa eksportues kryesorë në hemisferën veriore”.

Në njoftim thuhet se çmimet e orizit u rritën për shkak të “ndërprerjeve tregtare të regjistruara si pasojë e ndalimit të korrikut të eksportit orizit të bardhë Indica nga ana e Indisë “.

Çmimet e vajrave bimore ranë me 3,1 për qind, duke reflektuar çmimet më të ulëta globale për vajrat e palmës, lulediellit dhe sojës.

Edhe çmimet e qumështit ranë me 4 për qind nga korriku në gusht, duke vijuar një prirje rënëse tetë-mujore.

Çmimet e mishit u ulën me 3 për qind falë rënies së të gjitha llojeve të mishit në muaj.

Ndërkohë, çmimet e sheqerit u rritën me 1,3 për qind.