[There are no radio stations in the database]
DASHURIA NË HARAM

DASHURIA NË HARAM

– Babi im! Ka të rinj që sprovohen me dashuri të ndaluar. A ke ndonjë këshillë rreth kësaj teme?

* Biri im! Prej gjërave më të rrezikshme është të biesh në dashuri të ndaluar, sepse pasojat janë të rënda, ndër të cilat:

  1. Nëse arrin ta përfitojë dashurinë ose të hyjë në lidhje në haram, nuk i ikën atij e keqja e gjynahut, ndërsa në shpirt do ta ndiejë hidhësinë e mungesës së të dashurit.
  2. I dashuruari mendjen e ka të angazhuar me mendime dhe mërzi. Kjo bëhet shkak që ta largoje nga veprimi i punëve të mira të dynjasë dhe ahiretit. Nganjëherë situata vazhdon të mbetet e njëjtë, derisa ai nuk mendon për dikë tjetër ose për diçka tjetër. Mendja i rri veç tek i dashuri i tij. Kjo i jep dhembje dhe ia shton belanë. Ky është një lloj ndëshkimi që e merr që në dynja.
  3. Dashuria në haram e largon nga dashuria e Allahut të Madhërishëm. Çështja arrin deri në atë shkallë, sa i jep përparësi dashurisë së atij që e do, para dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut. Kjo e çon në shirk (idhujtari), që e nxjerr nga rrethi i Islamit.
  4. Dashuria në haram mund të bëhet sebep që përfundimin ta ketë të keq në fund të jetës. Njeriu në agoninë e vdekjes e shpreh me gjuhën e tij atë që e mbante me ashk në zemrën e tij. Tregohet për një person, i cili aq tepër kishte dashuruar një person tjetër, saqë në momentet e agonisë së vdekjes kërkonin prej tij që ta shprehte shehadetin (të thoshte: La ilahe il-lallah), ndërsa ai e shqiptonte emrin e personit që e dashuronte me ashk. Vdiq pa shehadet, duke e përmendur emrin e të dashurit të tij! Allahu na ruajttë nga përfundimi i keq dhe na dhëntë përfundim të mirë!

– Këto ishin disa prej pasojave kryesore që i shkakton dashuria në haram, ndonëse ka edhe shumë të tjera.

Me siguri ke interes të dish për ilaçin e këtij problemi? Biri im, dije se gjëja më e rëndësishme është që robi ta mbushë zemrën e tij me dashurinë për Allahun, ta shpeshtojë përmendjen e Tij, ta lexojë Librin e Tij (Kuranin), të shoqërohet me njerëz të drejtë e të devotshëm, të shkëputë çdo lidhje me shikimin dhe mendimin në haram, të largojë prej zemrës qysh në momentin e parë çdo gjurmë nga dashuria haram që e prek zemrën e tij, se, nëse e lë të depërtojë në zemër, atëherë është rëndë të largohet prej saj.

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “BIRI IM, TASHMË JE BËRË BURRË” – i përkthyer në gjuhën shqipe)


[There are no radio stations in the database]