Rtv Pendimi

Dashuria për fenë e Allahut dhe respektimi i saj

Në kuadër të ndryshimit të raporteve me Allahun, duhet ndryshuar edhe në raport me fenë e Tij. Islami, që është feja e fundit dhe feja e monoteizmit, natyrshmërisë, respektit, moralit, drejtësisë, barazisë, dijes, është po kështu edhe feja që Allahu e përzgjodhi për njerëzimin. Allahu ka thënë: “Pa dyshim feja te All-llahu është Islami….” [Ali Imran: 19]; “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.…” [El-Maide: 3]; “E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do ti pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” [Ali Imran: 85]

Dashuria dhe respekti për fenë natyrisht se nuk shprehen formalisht. Ato manifestohen në bindje, fjalë dhe vepra.
Feja përfshin:[1]

[Imanin] :

Bindjet, respektivisht besimin, i cili zbërthehet në:

  1. besimin në Allahun e madhëruar, duke ndjekur me këtë rast tërë atë që Allahu dhe i Dërguari i Tij na e kanë mësuar. Pra, e besojmë Allahun ashtu siç feja na mëson.
  2. besimin në engjëjt, të cilët nuk kanë gjini, nuk hanë e nuk pinë, nuk shumohen, nuk kundërshtojnë Allahun…Numri i tyre është i paditur për ne; ata janë shumë, ushtri e Allahut, që kryejnë detyrat e ngarkuara prej Allahut. Prej tyre është edhe engjëlli Xhibril, i ngarkuar me përcjelljen e shpalljeve hyjnore tek profetët.
  3. besimin në Librat hyjnore, të cilat i janë shpallë profetëve. Besojmë se librat e mëhershme janë devijuar nga dora e njeriut ndërsa Kur’anit është marrë nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Allahut dhe i ka mbijetuar çfarëdo përpjekje për shtrembërim. Për këtë shkak, është Libër që përmbyll librat dhe shpalljet e mëhershme.
  4. besimin në Profetë, në të gjithë, pa bërë dallime ndërmjet tyre dhe aq më pak –Allahu na ruajttë!- për të fyer a ofenduar ndonjërin prej tyre. mohimi i një profeti nënkupton mohim të të gjithë profetëve.
  5. besimin në Ditën e Fundit, gjegjësisht ditën e llogarisë, ku njeriu do të merret në pyetje dhe do të shpërblehet për tërë atë që ka bërë: për të mirë me të mirë, ndërsa për të keqen me dënim, dhe
  6. besimin në caktimin e Allahut se çdo gjë që ndodhë është e paracaktuar dhe asgjë nuk mund të del jashtë vullnetit dhe dëshirës së Allahut.

[Islamin]:

I cili përfshin deklarimin e besimit në Allahun, me tërë atë që parashihet sipas deklaratës, dhe besimit në Profetin, faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e ramazanit dhe kryerjen e haxhit.

[Ihsanin] :

I cili paraqet pjekurinë më të lartë fetare, respektivisht ndërgjegjësimin e lartë, që sipas përkufizimit profetik është ‘Ta adhurosh Allahun sikur e sheh, sepse, nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty!

Feja nuk quhet fe nëse nënshtrimi për Allahun, respektivisht pranimi i Tij, i fjalëve dhe urdhrave të Tij, nuk është komplet dhe nuk ndodhë pa ndonjë kundërshtim. Allahu ka thënë: “Kush ka fe më të mirë se ai i që sinqerisht i është bindur All-llahut…” [En-Nisa: 125];

Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.” [El-En’amë: 162]; “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.” [En-Nisa: 65]

Feja kërkon që ky nënshtrim të bëhet me dije dhe dashuri. Pra, të mos jetë nënshtrim skllavi, i cili urren atë që kryen, por nënshtrim dashurie e bindje. Profeti [Paqja qoftë mbi të!] ia hoqi unazën e arit nga gishti njërit prej besimtarëve duke i thënë se është gacë zjarri në dorë, ndërsa ai, jo vetëm që e respektoi këtë, por edhe kur i thanë njerëzit ta merrte e ta shiste, gjë kjo e lejuar, ai tha: “Jo, pasha Allahun, nuk e marrë atë që e ka hedhur i Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!]”[2]

Porosia: “Kur thirrën besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: “Dëgjuam dhe respektuam!” Të tillët janë ata të shpëtuarit.” [En-Nur: 51]

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

 

[1] Bazuar në hadithin e Xhibrilit të transmetuar nga Muslimi në Sahih.
[2] Transmeton Muslimi.

TË NGJAJSHME