Rtv Pendimi

DEBATET NË INTERNET DHE PASOJAT

Mungesa e etikës dhe e qëndrimit konstruktiv është një nga të metat themelore e debateve të brendshme, por në veçanti e atyre që po zhvillohen në internet. Facebook-u, listat e e-mailave dhe blogjet e ndryshme e kanë rritur shpejtësinë e transmetimit të informacionit dhe të komunikimit publik, por etika e komunikimit ka mangësi të theksuara.

Ajo çka ndodhi në dy promovime të organizuara në librarinë “E Përshtatshme” përpara pak kohësh në Tiranë ishin me të vërtetë dobiprurëse për të gjithë ne, që aspirojmë të kemi sadopak një jetë intelektuale. Kam parasysh promovimin e librit të Edvin Camit: “Gëtja mes Perëndimit dhe misticizmit oriental”, si dhe një reviste krejtësisht të re me titullin shumë domethënës: “NJË”, që drejtohet nga vëllai jone Edison Çeraj. Të dy këta vëllezër janë kapacitete në fushat e tyre ku veprojnë si dhe janë pedagogë universiteti.

Ajo çka ishte e veçantë në këto promovime ishte debati dhe diskutimet që u hapën më mbrapa dhe mexhlisi jashtëzakonisht interesant që u krijua prej diskutimeve tejet te vlefshme. Ato qenë me te vërtetë të vlefshme për shkak të disa përmasave etike tejet të larta që u reflektuan aty dhe kritikave krejtësisht dashamirëse që u bënë. Kjo gjendje me solli ndërmend mexhliset e hershme, kur njerëzit e dijes (qoftë nxënës apo dijetarë, apo hoxhallarë) mblidheshin dhe garonin, se kush mund te ishte më i zoti në të shprehurit e mendimit të tij në lidhje me temën që diskutohej dhe arritja e rezultateve pozitive në përfundim.

Me këtë desha të them se këto lloj mexhlisesh na mungojnë krejtësisht këtu në hapësirën tonë dhe këto promovime e konfirmuan këtë gjë. Por një problem tejet i ndjeshëm së fundmi janë debatet që hapen në e-mail listat e internetit, si dhe së fundmi në rrjetin social të Facebook-ut, ku etika e debatit dhe e kundërshtimit të njëri-tjetrit lë shumë për të dëshiruar. Nuk po mundohem të sjell shembuj këtu, sepse me të vërtetë që do të ishte humbje kohe për të gjithë, kur pjesa më e madhe e jona janë të anëtarësuar nëpër listat e ndryshme. Sa për diskutimet në forumet tona internetare, ato nuk i plotësojnë kushtet e një mexhlisi të vërtetë apo siç e parashoh unë, për disa arsye:

1: janë krejtësisht virtuale

2: njerëzit që debatojnë në të shumtën e rasteve nuk e njohin nga afër njëri-tjetrin dhe kjo le shteg për të dëshiruar.

3: personat që diskutojnë e bëjnë këtë nga vende të ndryshme dhe shumë herë reflektojnë pa dashje gabime me mosnjohjen e duhur të problemit për të cilin diskutohet apo debatohet.

4: personat që diskutojnë meqenëse janë me formime të ndryshme shkollore gjithmonë përpiqen t’i shikojnë gjërat sipas shkollimit që kanë marrë, apo po marrin (Një avokat sheh bazën ligjore të gjithçkaje, një imam e sheh nga pikëpamja fetare, një sociolog sipas shkollave përkatëse sociologjike etj.)

5: nëse personat që diskutojnë e bëjnë këtë nga dy vende te ndryshme, bie fjala- një shqiptar nga Amerika me një shqiptar nga Shkupi, apo Tirana, apo Prishtina, do të kishim nga një anë njërin nga diaspora dhe në anën tjetër me dy vendalinj puro, që kanë probleme të tjera nga ato të emigrimit, si dhe me një shqiptar që jeton në një qytet si Shkupi, ku më të paktën ky qytet banohet nga dy kombësi (pra, diskutimi mund të marri një kolorit të paparë në bazë të këtij ekuacioni të tillë logjik.).

Pasi numërova pesë arsye që e diktojnë krejt sfondin kuptimor të diskutimit dhe të debatit në forumet internetare, FCB apo e-mail listat do të merrja në shqyrtim vetë mexhlisin, jo si etimologji fjale, por si realitet.

Mexhlisi ndërtohet në tre përmasa, le të përdorim këtë term të gjeometrisë jo-euklidiane. Njerëz të caktuar, që mblidhen në një vend të caktuar në një kohë të caktuar për të diskutuar për një temë apo problem të caktuar. E parë nën këtë këndvështrim mund të themi se rrethanat përbërëse janë të cunguara dhe nëse do të fillonim të bënim analogjitë, atëherë të gjithë së bashku do të vërenim:

1: a) Njerëzit lëvizin nga listat, ku mund të anëtarësohen dhe mund të largohen sipas dëshirës. Gjithashtu, megjithëse mund të jenë të anëtarësuar ata nuk marrin pjesë dhe diskutantët nuk mund ta dinë nëse heshtjen e tyre mund ta marrim si pohim apo abstenim.

b) Pjesëmarrësit në një mexhlis marrin pjesë më gjallërisht edhe me heshtjen e tyre, duke u interpretuar kjo heshtje si pranim ndaj mendimit dominues.

2: Vendi: është i përbashkët, lista e-mailit dhe në mexhlis vendi ku do të diskutohet, por këtu mungon elementi i kontaktit fizik, pra, diskutimi apo debati zhvillohet pa pasur ndonjë kontakt fizik të drejtpërdrejt, për pasojë këtu analogjia nuk mund të themi se vendoset e plotë.

3: Koha: Diskutimi apo debati nuk mund të zhvillohet në të njëjtën kohë, pra, është shumë më i shtrirë në kohë.

4: Problemi apo tema e caktuar: Kjo është krejtësisht e përbashkët, por gjykimet dhe mendimet është e vështirë të jenë të përbashkëta dhe nuk mund të vijnë drejt unifikimit për shumë arsye të tjera (që kanë të bëjnë edhe me bindjet e njerëzve, të cilat janë shumë të rëndësishme, ndërsa nuk janë këto ato që po shqyrtojmë këtu), por që vështirësohen maksimalisht për të gjitha arsyet që i kam përmendur më sipër.

Gjithashtu një komponentë tejet e rëndësishme është etika e debatit dhe e mospërputhjes (ihtilafit), që i mungon në më të shumtën e rasteve debateve tona. Kështu nuk mund të habitemi, se si nëpër listat tona bisedat personalizohen krejt, kur nuk kanë të bëjnë me ne drejtpërdrejt, por me punët tona. Problemet tona janë po ato, mbeten po ato dhe do të mbeten po ato, po nuk i zgjidhëm në mënyrën e duhur, por edhe se ne deri tashti nuk jemi përpjekur aq sa duhet, duke e drejtuar vëmendjen në bazë të një utilitarizmi ordiner që mund të vërehet qartas. Ndërkaq një pjesë e këtyre problemeve mund të shmangen shumë mirë, kur ne të reflektojmë gjallërisht etikën e lartë islame, të cilën neve duhet ta fitojmë vazhdimisht nëpërmjet shembullit të njeriut tonë më të dashur Muhamedit alejhi salatu ue selam, si dhe të shokëve të tij të afërt. Gjithashtu njohja e etikës së ihtilafit (mospërputhjes) do të ishte shumë me vend për të shtuar kapacitetin tonë të debatit.

Përgatiti: Roald Hysa

TË NGJAJSHME