Rtv Pendimi

DËMET E GJUHËS!

O ju besimtarë, kini frikë Allahun! Ruani gjuhët e juaja, sepse të folurit e juaj ruhet! Allahu thotë: “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. (Kaf: 18); “Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe”. (En-Nur: 15)

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, urdhëroi me heshtje, përveç se kur në atë fjalim ka dobi dhe mirësi, dhe tha: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Kiametit, le të flet për mirë ose le të hesht!”

Allahu i Madhëruar tha: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh”. (En-Nisa: 134)

Një njeri i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “O i Dërguar i Allahut, më trego një vepër me të cilën do të hy në Xhenet! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Frenoje këtë, duke ia bërë me gishte për gjuhën! Pastaj iu kthye dhe i tha: “E çfarë tjetër i tërheq njerëzit për hunde në Xhehenem, përveç asaj që korrin me gjuhët e tyre?!”

Me korrjen e gjuhës nënkuptojmë shpërblimin e të folurit të ndaluar dhe ndëshkimet e tij. Njeriu me fjalët dhe me veprat e veta mbjell të mira dhe të liga, e pastaj e korrë në Ditën e Kiametit atë që e ka mbjellë. Ai që mbjelli të mira nga fjalët apo veprat, vetëm ka korrë mirësi dhe begati, kurse ai që mbjelli të liga nga fjalët apo veprat, vetëm korri humbje dhe pendim!

Nga gjynahet e gjuhës bën pjesë shirku, i cili, është gjynahu më i madh tek Allahu. Po ashtu, në gjynahet e gjuhës bën pjesë edhe të folurit për Allahun pa dituri, dhe kjo vjen paralelisht me shirkun. Po ashtu bën pjesë gjynahu i dëshmisë së rrejshme, magjia, shpifja, gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, etj. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Një burrë mund të nxjerrë një fjalë që zemëron Zotin e madhëruar, fjalë të cilës nuk i kushton vëmendje, por që ajo fjalë e bën të rropatet në zjarrin e Xhehenemit për shtatëdhjetë mijë vite”.

Tek të parët tanë të ndershëm, ekzistonte frikë e madhe nga dëmet e gjuhës!

Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: Kjo është ajo nga e cila vinë të gjitha të këqijat!

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: Mjerë për ty! Fol mirë do të fitosh, ose hesht nga e keqja do të shpëtosh, ose përndryshe do të pendohesh. I thanë: O biri Abasit, pse po e thua këtë?! U përgjigj: Më është përcjellë se njeriu më së shumti që zemërohet nga organet e trupit të tij është gjuha! Përveç atij që ka folur me të mirësi apo me të e ka përhapur të mirën!

Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, betoj në Allahun, të Cilit nuk i takon adhurimi askujt përveç se Atij, se s’ka mbi tokë gjë që është më nevojtare për burgim të gjatë sesa gjuha!

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thoshte: Gjuha është prijësi i trupit. Nëse gjuha gabon edhe trupi do të gabojë, por nëse gjuha është e ndershme edhe trupi do të jetë i ndershëm.

O muslimanë! Të folurit e tepërt për të cilën nuk ka nevojë, e detyron ngurtësimin e zemrës, ashtu si ka ardhur me një hadith: “Mos e teproni në të folurit pa e përmendur Allahun. Të folurit e tepërt pa mos e përmendur Allahun është ngurtësi për zemrën, kurse njeriu më i largët prej Allahut është ai me zemër të ngurtë!”

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte se kush e tepron në të folurit i shtohen gabimet, e kujt i shtohen gabimet i shtohen gjynahet, e kujt i shtohen gjynahet Xhehenemi është më meritor për të!

Muhamed ibën Axhlan, Allahu e mëshiroftë, thotë: Të folurit janë katër: Ta përmendesh Allahun, të lexosh Kur’an, të pyesësh për dituri dhe t’ia përcjellësh tjerëve ose të flasësh për atë që të intereson nga çështjet e dynjasë!

Të folurit, pra, nuk është urdhëruar në përgjithësi, e as heshtja nuk është urdhëruar të jetë në përgjithësi, po patjetër duhet që njeriu të flet gjëra të dobishme për dynjanë dhe ahiretin e tij, dhe të hesht nga sherri për dynjanë dhe ahiretin e tij. Gjuha është përkthyesi dhe zëdhënësi i zemrës, dhe ne jemi të urdhëruar në përqendrimin e zemrës dhe gjuhës. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk përqendrohet imani i robit përderisa nuk përqendrohet zemra e tij, dhe nuk përqendrohet zemra e tij përderisa nuk përqendrohet gjuha e tij!”. Dhe me një hadith tjetër: “Në çdo ditë që lind dielli, organet e trupit i flasin gjuhës dhe i thonë: “Kij frikë Zotin! Nëse ti i përmbahesh rrugës së drejtë, i përmbahemi dhe ne. Por nëse devijon, kemi devijuar edhe ne”.

Dëmet e gjuhës janë të shumta dhe të llojllojshme, dhe nga to:

E para: Të folurit për atë që nuk i bën dobi

Ka ardhur me një hadith: “Nga Islami i mirë i një njeriu është largimi nga ajo që nuk i intereson”.

E dyta: Zhytja në biseda të kota

Ajo është të folurit për harame, dhe të folurit mbi to që i përhapin njerëzit nëpër shoqëri (për qëllim është të zhyturit në të kotë duke biseduar për haramet që i bën një popull apo shoqëri, dhe të marrit me zakonet e tyre e një populli të caktuar. Si p.sh, ka gra apo edhe burra që flasin nëpër telefon me ora të tëra, duke rrëfyer se çfarë bëjnë gratë apo burrat në perëndim, si e kalojnë jetën, çfarë bëjnë gjatë vikendit apo pushimeve… Flasin për lidhjet jashtëmartesore, për pirjen e drogës, alkoolit, jetën e natës etj. Një dëm i tillë është i ndalur në fenë e Allahut – sh. p).

Të folurit për to nëpër mexhlise i gëzon hipokritët dhe të ligët, dhe e përhapin degjenerimin dhe shthurjen në moral tek besimtarët. Allahu thotë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini”. (En-Nur: 19)

Muslimani e ka për detyrë nëse e di për një gabim apo për një të metë nga vëllai i vet, ta mbulojë atë dhe vëllain ta këshillon. Kurse përhapja e të metave të tij apo gabimeve të tij nëpër mexhlise apo ndeja, kjo është cilësia më e fëlliqur dhe vepra më e qortuar. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, thotë: “Mos i dëmtoni robërit e Allahut dhe mos i nënçmoni e mos tentoni të shpalosni turpin e tyre, sepse ai që tenton të shpalos turpin e vëllait të vet, Allahu tenton t’ia shpalos turpin derisa ta turpërojë në shtëpinë e tij”.

E treta: Të folurit me fjalë vulgare, me sharje dhe me ofendime

Disa njerëz e kanë për traditë mallkimin e njerëzve, vendeve, kafshëve dhe të folurit e tij me mallkime është më e lehta që i del nga goja dhe ndoshta me ato fjalë i drejtohet shokut, gruas, burrit apo ndonjë personit të dashur tek ai! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mallkimi i muslimanit është si vrasja e tij!”, dhe tha me një hadith tjetër: “Besimtari nuk është shpifës, as mallkues, as fyes e as vulgar”.

Një grua e mallkoi devenë e saj dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dha urdhër që t’i merr gjërat nga deveja dhe ta len atë, dhe i tha: “Mos të na shoqëron një deve e mallkuar!”.

Ka nga ata që kur ka mospajtime me vëllain e vet musliman, e shfrytëzon gjuhën e tij për ta ofenduar dhe sharë dhe e etiketon me cilësi të këqija që nuk i posedon dhe i shkreti nuk e di se mbi vete ka marrë një barrë të rëndë dhe se do të japë llogari. Allahu urdhëroi që nëse ndonjëri i flet me fjalë të liga dhe fyese, tjetri t’ia kthejë me fjalë më të mira sesa ato të ligat dhe fyeset. Allahu thotë: “Të keqen ktheje me të mirë”. (Fusilet: 34)

E katërta: Bërja e shakave të tepërta

Teprimi në shaka dhe të vazhduarit në të është e ndaluar, sepse e rrëzon respektin dhe e detyron urrejtjen, kurse shakaja e lehtë apo të bërit shaka ndonjëherë nuk është problem, sepse shpirtin e bën të ndjehet mirë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, bënte shaka, mirëpo në to nuk e thoshte vetëm se të vërtetën!

E pesta: Tallja dhe përçmimi me njerëzit dhe përcjellja e të metave dhe hulumtimi pas gabimeve të tyre

Kjo e tëra është e ndaluar, ashtu si Allahu na mëson dhe thotë: “Mjerë për çdo përqeshës – shpifës”. (El-Humeze: 1), e që nënkupton mjerë për atë që merren me njerëz dhe të metat e tyre dhe ua ulin vlerën dhe peshën njerëzve, qoftë ajo me thënie apo me vepra!

E gjashta dhe e shtata: Përgojimi dhe bartja e fjalëve

Këto janë nga gjynahet e mëdha. Me përgojim nënkuptojmë ta përmendësh vëllain tënd në mos prezencën e tij, për të keq apo për një gjë që e urren ai. Kurse me bartje të fjalëve nënkuptojmë, bartjen e fjalëve mes njerëzve me qëllim shkatërrimi. Allahu atë që përgojon e përngjasoi me atë që e ha ngordhësirën.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ruajuni gibetit (përgojimit), sepse gibeti është më i keq se zinaja. Njeriu që bën zina dhe pendohet, Allahu ia falë. Kurse atij që bën gibet Allahu nuk do t’ia falë derisa t’ia falë njeriu të cilin e ka përgojuar”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, lajmëroi se ai që bartë fjalë ndëshkohet në varrin e tij, dhe lajmëroi se nuk do të hyjë në Xhenet. Përcillet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që bart fjalë”.

Ai që bart fjalë shkatërron mes njerëzve dhe mbjell në zemrat urrejtje e armiqësi dhe shkatërron shtëpi dhe shoqëri. Allahu tha: “Por ti mos iu bind çdo betari të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme, penguesi veprash të mira, shkelësi dhe keqbërësi”. (El-Kalem: 10-12)

O muslimanë! Ruajuni gjuhët e juaja dhe matni thëniet e juaja! Njeriu para se të flet i posedon ato fjalë, mirëpo nëse i nxjerr ato fjalë jashtë, atëherë ato fjalë e posedojnë atë!

Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”. (Kaf: 16-18)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. (El-Ahzab: 70-71)

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME