DËNIMET DHE NDËSHKIMET

Allahu i krijoi krijesat për ta adhuruar, ua qartësoi rrugën e drejtë dhe atë të gabuarën, ia bëri kusht njeriut nënshtrimin që ta fitojë lumturinë kurse për atë që rebelohet ndaj dhurimit të Tij i përgatiti dënim të rëndë. Allahu, azze ue xhel, thotë: Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falësi i madh, Mëshirëploti, dhe se dënimi Im është vërtet dënimi i dhembshëm. (El-Hixhr: 49-50)

Allahu është i plotfuqishëm dhe nëse e zbret dënimin e Tij nuk ka kush që e kthen prapë. Për këtë arsye i paralajmëroi krijesat prej Tij dhe zemërimit të Tij dhe dënimit të Tij dhe tha: Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij. (Ali Imran: 28)

Dënimet hyjnore janë ligj prej ligjeve të Allahut që nuk ndërrohen e zëvendësohen dhe për këtë Allahu thotë: Para jush kanë kaluar shumë shembuj (popujsh nga ndjekësit e profetëve që iu ndodhi ajo që po ju ndodh edhe ju). Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që i përgënjeshtruan profetët. (Ali Imran: 137)

Popujt e mëhershëm u dënonin duke u çrrënjosur tërësisht siç ishte shembulli i popullit të Nuhit, Adit dhe Themudit. Allahu, azze ue xhel, thotë: Kështu humbi gjurma e atij populli keqbërës. Lavdërimi qoftë i Allahut, Zotit të gjithësisë. (El-En’am: 45)

Kur u dërgua Musai, alejhi selam, Allahu prej mëshirës së Tij e ngriti dënimin e shkatërrimit të popullit në tërësi dhe për këtë tha: Pasi i shkatërruam breznitë e mëparshme, Ne i dhamë Musait Librin. (El-Kasas: 43)

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: Para se të zbresë Teurati Allahu i shkatërronte ata që i përgënjeshtronin pejgamberët me dënim të rëndë e të shpejtë duke i çrrënjosur tërësisht.

I Dërguari ynë Muhamedi, alejhi salatu ue selam, kërkoi prej Zotit të tij që mos ta shkatërrojë umetin e tij në tërësi: “Kam kërkuar prej Zotit tim tri gjëra, dy i pranoi kurse njërën e refuzoi. Kam kërkuar prej Zotit tim që mos ta shkatërrojë umetin tim me shkatërrim të përgjithshëm, e Ai ma plotësoi këtë. Dhe kam kërkuar nga Zoti im që mos ta shkatërrojë umetin tim nga fundosja, e Ai ma plotësoi këtë. Dhe kam kërkuar prej Zotit tim që mos t’i bëj të ndahen ata mes vete, e Ai këtë ma ndaloi” .

Ndëshkimi i çdo populli ndryshon sipas gradës së mëkateve që i vepron ai popull dhe ndëshkimin e parë që e zbriti Allahu në tokë ishte përmbytja. Allahu, azze ue xhel, për popullin e Nuhit thotë: Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën. (Nuh: 25) Po ashtu e dënoi Faraonin dhe ushtarët e tij me të njëjtin dënim: Kështu, Ne u hakmorëm dhe i fundosëm në det. (El-A’raf: 136) Mbretërinë e Sebe’esë e shkatërroi me ujë: Por ata nuk ua vunë veshin (fjalëve Tona), prandaj Ne lëshuam mbi ta ujërat e digës. (Sebe’e: 16) Kurse atyre që u siguruan se nuk do t’i kaplon ndëshkimi u tha: Apo jeni të sigurt, që Ai nuk do t’ju kthejë ju përsëri (në det) e, që nuk do t’ju dërgojë furtunë e t’ju fundosë për shkak të mosbesimit tuaj. (El-Isra: 69)

Populli i Adit u shkatërrua me furtunë të rreptë: Kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese të rreptë. (El-Haka: 6) Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, kur shihte se afrohen retë apo afrohej furtunë frikohej, saqë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha: O i Dërguar i Allahut, njerëzit kur shohin retë gëzohen, nga shpresa se sjell shiun, kurse të shoh ty se e urren këtë gjë? Tha: “Kush më garanton se nuk ka në të dënim. Disa popuj janë dënuar me erë, kurse të tjerët e kanë parë dënimin dhe kanë thënë: Kjo re do të na sjellë shi!” . (El-Ahkaf: 24)

Populli i Salihut u shkatërrua nga një ulërimë e tmerrshme e cila ua shkatërroi zemrat: Ne dërguam mbi ta një ulurimë të vetme e ata u bënë si sana e copëtuar në pleme. (El-Kamer: 31)

Allahu iu kërcënua jobesimtarëve mekas se do t’i ndëshkon po me të njëjtin dënim: Kurse këta (mekasit) presin vetëm një britmë (fryrjen e parë të bririt) që nuk do të pushojë. (Sad: 15)

Kur populli i Lutit e bënë femohues dhe vepruan mëkate të mëdha shkatërruese dërgoi mbi ta gurë dhe ua përmbysi shtëpitë: Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm çdo gjë, – ato që ishin lart, i kthyem poshtë dhe mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu. (Hud: 82)

Pronarët e elefantit u nisën ta shkatërrojnë Qabenë dhe gurin në të por atyre u zbritën gurë prej qielli: Duke dërguar kundër atyre tufa zogjsh, të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur. (El-Fil: 3-4)

Karuni u paraqit kryelartë e i vrazhdët, i bënte padrejtësi njerëzve dhe në fund u nënçmua duke e gëlltitur toka: Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka. (El-Kasas: 81)

Me këtë ndëshkim ua tërhoqi vërejtjen edhe mëkatarëve dhe tha: A janë të sigurt ata që bëjnë plane djallëzore se Allahu nuk do t’i fusë në tokë. (En-Nahl: 45), ndërsa Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Derisa një njeri ecte me gunë, i mahnitur prej vetvetes dhe pamjes së tij, shembet toka dhe ai fundoset në të deri në Ditën e Kiametit” .

Kush nuk është mirënjohës për begatin e sigurisë dhe rehatisë, i rrëmbehen atij: Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë. (En-Nahl: 112)

Bijtë e Israilit u ndëshkuan me sundim të armikut mbi ta deri në Ditën e Kiametit: Pastaj Zoti yt shpalli se do t’u dërgonte atyre të tjerë që do t’i mundonin, në mënyrën më të keqe, deri në Ditën e Kiametit. (El-A’raf: 167), dhe i goditi nënçmimi dhe përbuzja për arsye të mëkateve që i vepruan: Kudo që gjenden, ata janë të kapluar nga poshtërimi. (Ali Imran: 112)

Allahu disa prej popujve i ndëshkoi duke ua deformuar e ndryshuar pamjen e tyre njerëzore. Pronarët e Sabatit (Sabati është dita e shtunë, gjatë së cilës Allahu ua ndaloi hebrenjve të peshkonin, si sprovë dhe ndëshkim për gjynahet e tyre) ia lejuan vetes atë që ua ndaloi Allahu dhe u shndërruan në majmunë: Sigurisht që ju keni dëgjuar për ata prej jush që shkelën Sabatin dhe të cilëve Ne u thamë: Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!. (El-Bekare: 65)

Dhe po ashtu bijtë e Israilit i deformoi dhe i shndërroi në majmunë dhe derra: Ata që Allahu i ka mallkuar dhe me të cilët është zemëruar, duke i shndërruar në majmunë dhe derra. (El-Maide: 60)

Edhe ky Umet nuk do të shpëton pa u kapluar prej të njëjtëve ndëshkime. Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, thotë: “Do të ketë prej Umetit tim disa njerëz, të cilët do ta bëjnë të lejuar kurvërinë, mëndafshin, alkoolin dhe veglat muzikore. Disa njerëz do të vendosen në qafën e një mali të lartë dhe tufat e tyre të bagëtive ua sjell bariu në mesditë. Një i varfër shkon dhe u kërkon atyre ndonjë nevojë, ndërsa ata i thonë: Eja nesër. Por Allahu i befason ata me dënim dhe e sheshon malin, ndërsa disa të tjerë i shndërron në majmunë e derra, deri në Ditën e Kiametit” .

Allahu dërgoi mbi bijtë e Israilit ciklonin, karkalecat, morrat, bretkosat dhe gjakun, futi urrejtjen dhe armiqësinë mes tyre dhe zemrat e tyre asnjëherë nuk do të jenë të bashkuara. Allahu, azze ue xhel, thotë. Ne kemi futur ndërmjet tyre armiqësi dhe urrejtje deri në Ditën e Kiametit. (El-Maide: 64)

Murtaja po ashtu është prej ndëshkimeve të Allahut. Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, thotë: “Murtaja është fatkeqësi e dërguar si dënim i Zotit për bijtë e Israilit dhe për ata që ishin para jush” .

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, kur në fillim të thirrjes së tij nuk gjeti përkrahje prej kurejshëve të cilët e ofendonin dhe torturonin iu drejtua Allahut me lutje kundër tyre dhe tha: “O Zot, jepi kurejshëve vite te etjes e thatësisë, sikur vitet e Jusufit!” Ata i kaploi thatësia derisa u detyruan të hanë lëkura, cofëtina dhe kafshë të ngordhura.

Allahu njëherë ia dërgoi të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, melekun e maleve dhe i tha: “Nëse do, unë i bashkoj të dy malet (e luginës) dhe ua hedh atyre përsipër” .

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Bekri kur ishin rrugës për në Medine i mbërrini Suraka ibën Maliku dhe dëshiroi t’i lajmërojë kurejshitët e ta merr shpërblimin e premtuar, mirëpo kur pa Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u lut dhe tha: “O Allah, na largo Surakan” , e këmbët e para të kalit të tij filluan t’i fundoseshin në dhe.

Një njeri e refuzoi urdhrin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe iu paralizua dora për shkak se refuzoi të hajë me dorën e djathtë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha ushqehu me dorën e djathtë! Ai ia ktheu: nuk mundem. Pejgamberi alejhi salatu ue selam, i tha: “Mos paç mundësi më asnjëherë. Atë nuk e pengoi të ushqehet me dorën e djathtë vetëm se mendjemadhësia.Dhe nuk mundi më asnjëherë të afroj dorën e tij të goja e vet.

Hyri Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tek një endacak i sëmurë që ta vizitojë dhe i tha: “Pastrim (prej mëkateve) me lejen e Allahut” . Endacaku ia ktheu i zemëruar prej caktimit të Allahut dhe i tha: Çka the: Pastrim? Kjo nuk është pastrim, por ethe zjarri që e djegin plakun dhe e dërgojnë në varr. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ia ktheu: “Ashtu do të jetë si mendove” .

Me një transmetim tjetër: “Allahu ia mori shpirtin” .

Një njeri e pranoi Islamin, e shkruante shpalljen e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, pastaj e la fenë dhe Allahu ia mori shpirtin. Njerëzit e varrosën kurse dheu e nxori jashtë, përsëri e varrosën prapë dheu e nxori jashtë, e varrosën edhe herën e tretë dhe prapë dheu e nxori jashtë dhe njerëzit e lanë ashtu mbi dhe.

Kur e lexoi Kisra, mbreti i Persisë, letrën të cilin ia kishte pas dërguar Pejgamberi i Allahut, alejhi salatu ue selam, e mori dhe e grisi dhe për këtë Muhamedi, alejhi salatu ue selem, bëri dua dhe tha: “O Zot, shkatërroja tërë mbretërinë” , dhe Allahu ia shkatërroi për një kohë të shkurtër tërë mbretërinë Kisras.

Kush e urren Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, dhe e ofendon atë Allahu e bën fatprerë: Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë. (El-Keuther: 3)

Kush flet kundër sahabëve diçka keq Allahu do ta qortojë dhe ndëshkojë. Kadi Ebu Tajib, Allahu e mëshiroftë, thotë: Ishim prezent me një debat në xhaminë el Mensur ku një i ri papritmas tha: Ebu Hurejres nuk i pranohet hadithi. Para se ta përfundojë fjalimin e tij prej tavanit të xhamisë ra një gjarpër i madh dhe të gjithë të pranishmit u trembën. I riu filloi të ik kurse gjarpri i shkonte pas derisa i thanë disa prej të pranishmeve pendohu prej asaj çka e the. Tha pendohem sinqerisht prej asaj çka e thashë dhe gjarpri u largua prej tij dhe prej atij vendi.

Ndodh që njeriu të ndëshkohet me ndërprerjen e furnizimit: Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat ishin të lejuara për ta, për shkak të prapësive që bënë, për shkak se ata pengonin shumë njerëz nga udha e Allahut. (En-Nisa: 160)

Ndëshkimi më i madh i dynjasë është ndëshkimi në fe. Kush pengon prej rrugës së Allahut, Allahu e largon prej Tij: Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë). (Es-Saf: 5) Kush e thyen marrëveshjen me Allahun dhe i përshkruan shok, ndëshkohet me ashpërsi në zemër: Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. (El-Maide: 13) Kush e lut ndonjë zot tjetër përveç Allahut, i largohet prej zemrës së tij dashuria ndaj Allahut dhe i vendosët dashuria ndaj atij që e lut dhe e thërret: Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin. (El-Bekare: 93)

Kush vendon hajmali dhe i mbështet asaj, Allahu e lë atë dhe ai lihet në mbështetjen e hajmalisë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush lidh diçka, lihet në mbështetjen e saj” .

Ndodh që njeriu të ndëshkohet në fenë e tij me shkatërrimin e veprave të tij. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Një njeri tha: Pasha Allahun, All-llahu nuk do ta falë filanin! Në këtë Allahu i Lartësuar tha: “Kush është ai, që betohet se Unë nuk do ta fal filanin? Me të vërtetë Unë e fala atë, ndërsa i asgjësova veprat e tua!” .

O muslimanë, dënimet e Allahut janë të rrepta, ndëshkimet të shpejta, premtimet të vërteta, Atë nuk e pengon asgjë, e di çdo gjë dhe nuk i fshehët asgjë, kush bën vepra të mira shpërblehet, kush vepron vepra të këqija ndëshkohet dhe njeriu i mençur nuk i nënçmon mëkatet ndaj Allahut për arsye se nuk e din se cila do ta shkatërrojë.

Allahu thotë: Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm. (En-Nur: 63)

O muslimanë, Allahu në Kur’an na rrëfeu shumë tregime me qëllim që t’i meditojmë, t’i përsiasim dhe të marrim mësime prej tyre. Allahu prej urtësisë dhe drejtësisë së Tij ua paraqet njerëzve veprat e tyre në forma të ndryshme dhe pamje që përshtaten. Nganjëherë i paraqet me thatësi dhe skamje, nganjëherë i paraqet me pushtim prej armikut, nganjëherë i paraqet me sëmundje të përgjithshme, nganjëherë me brenga e pikëllime, e nganjëherë me zhdukjen e bereqetit prej qiellit e tokës duke e ndalë riskut. Kush pendohet e ngrit prej tij dënimin dhe kush i mbështetet Atij i mjafton.

Shkaktari kryesor i dënimeve dhe ndëshkimeve është vet robi i Allahut: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë. (Esh-Shura: 30)

Nëse vonohet dënimi i Allahut ajo është për shkak se ai do të vijë dalëngadalë ose i shtyhet afati: Dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit, pa e kuptuar. (El-A’raf: 182)

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: Vonimi i ndëshkimeve nuk do të thotë se njerëzit janë duke vepruar vepra të mira dhe se Allahu është kënaqur me veprat e tyre, por ligj i Allahut është që ta vonojë dhe t’ia shtyjë afatin ndëshkimit të mëkatarëve për një kohë.

Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

Nga arabishtja: Irfan JAHIU