Rtv Pendimi

Deri kur, Ali?

Nga Blendi Devolli

Kur pata shkuar në Tetovë, për herë të parë në vitin 2008, si student, me pati rastisë të shoh me sytë e mi se si dy shqiptarë (kolegë të fakultetit) debatonin në mes vete, gati në konflikt, se a është më i mirë Ali Ahmeti a Menduh Thaçi. Këtë fanatizëm dhe eufori popullore e shfrytëzonte shefi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali “Integrimi”. Për më tepër u tallke me shqiptarët përmes prezantimit të tij në njërin nga televizionet shqiptare atje, gjatë fushatës zgjedhore, duke kënduar këngë folklorike (vargjet e të cilave i varrosnin për së gjalli disa prej shqiptarëve të ngratë).

Këtë ai e ka bërë sepse ka besuar së përpara vetes ka patur çobanë dhe jo qytetarë të cilët llogarisin me matematikën e sukseseve e pastaj votojnë.

Përveç Brodecit, që ka ndodhur gjatë kohës që Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka qenë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, të gjitha rastet tjera të montuara kanë ndodhur në kohën që BDI-ja ka qenë në pushtet.

“Monstra”, “Sopoti”, vrasja e komandantëve të pabindur, si Harun Aliu, janë disa nga damkat e kësaj partie idiote, pa e llogaritur këtu heshtjen gjatë implementimit të projektit “Shkupi 2013”, përmes të cilit maqedonasit kanë tentuar të prezantojnë diçka që, sipas shume studiuesve seriozë, nuk ka ekzistuar.

Paramendoni, krejt klasa politike shqiptare në Maqedoni e bënte urinën nën këmbë vetëm kur është përmendur emri i Mijalkovit (drejtori i Shërbimit për Siguri dhe Kundërzbulim), e të veçantë për nga nënshtrimi ishin disa prej lakejve (ish-komandantëve) të BDI-së, e të cilëve për hir të së vërtetës u shkonte lëngu gojës, që si patriot të dalluar, netët e vikendit t’i kalonin nëpër klubet e maqedonasve. Jo për ndonjë gjë, por se muzika ishte më kualitative.

Besoj se shqiptarët në Maqedoni e kanë kuptuar më në fund se e keqja e atyre nuk u vjen nga Gruevski, por nga idiotët e politikës shqiptare (në këtë rast, Ali Ahmeti and Co.), sepse këta për pak pushtet shkelin mbi çdo parim moral dhe mbi jetën e çdo shqiptari, duke u bërë mekanizëm për plotësimin e dëshirave të shefit të Qeverisë. Krerët e BDI-së rrojnë me moton “bone llug o Zot”, sepse kështu e vazhdojnë jetëgjatësinë e tyre në pushtet.

Në krejt këtë inskenim të këtyre pishpirikave (kushdo qoftë ta jetë autor i këtij skenari), nuk shoh hapësirë për frymëzim nga këngët e Ilir Shaqirit, e as nga përrallat e kopallat folklorike, si dimë ne t’i thurim, por veçse vetëdijesim dhe bojkotim të pushtetarëve shqiptarë. Veçanërisht nëse këto thirrje të dëshpëruara vijnë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët sot jetojnë pa dinjitet njerëzor, të izoluar (pa liberalizim të vizave) nga bota dhe në një depresion kolektiv.

Jemi shtatë milionë, po si të mos ishim. Jemi dy shtete shqiptare, të cilat së bashku nuk e bëjnë një shtet normal. Lufta është hallka e fundit e një kauze. Ajo bëhet kur shteret çdo mundësi tjetër për zgjidhjen e problemit. Zgjidhje ka për problemin: sabotim dhe ndëshkim të partisë shqiptare në pushtet dhe kurrë më pasim të verbër ndaj politikanëve.

E di që disa – vendi i punës i të cilëve lidhet me dyshen aktuale VMRO- BDI – pyesin se si të mos votohet kjo garniturë, për shkak se nga ato të ardhura jetojnë familjet e tyre. E vërtetë. Ndoshta sot e siguron ekzistencën e familjes tënde, me vendin e punës që ta ka mundësuar pushteti, por nesër do ta vrasësh ardhmërinë e fëmijës tënd.

Ajo që është për t’u befasuar është heshtja e miqve ndërkombëtarë të cilët pavarësisht përkrahjes dhe dëgjueshmërisë së pa rezervë të shqiptarëve (në Maqedoni), nuk kanë kurajo të radhiten në anën e tyre (kërkesën për trajtim të barabartë të tyre). Evran Fuere (përfaqësues i BE-së në Maqedoni), prej 2008-tës sillet e pështillet nëpër rrugët e Shkupit, e kur një fjali nuk ia kam dëgjuar me të cilën minimalisht do t’i mbështeste shqiptarët. Ambasada e SHBA-ve, të cilës i shkon zëri goxha shumë në Shkup, me ndonjë përjashtim, kurrë nuk ka treguar dhëmbët përpara pushtetit të Gruevskit, në raport me veprimet e tij ndaj shqiptarëve. Ajo deklarata se “bashkësia ndërkombëtare është e interesuar për stabilitet në Maqedoni”, përveçse irrituese, tingëllon si një melodi e një kënge të keqe.

Krenaria kombëtare nuk fitohet me mitet mbi dragonjtë, me oda te burrave, e me shahira që na tregojnë qysh shqiptarët ia nxjerrin tymin Serbisë, po me edukim të mirëfilltë të popullit, dhe atë me qartësimin e faktit se pushteti (njëri nga amanetet e besuara nga bashkëkombësit) nuk është privilegj, por përgjegjësi.

Hallall ju qoftë komoditeti, jeta luksoze, premtimet boshe, po aman mos bëni pazar me jetën e shqiptarëve. Andaj, Ali, deri kur me presion, me premtime boshe, me (mos)integrim në NATO dhe BE, e me zullum ndaj shqiptarëve, do të vazhdojë sulltanati yt!?

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH