Nga Hfz.Shaban Murati
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më /14/09/2015 Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati Tema:
Dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, vlera, veçorit dhe mësimet e nxjerra prej tyre
Jeta e myslimanit dallohet nga të tjerët. Sepse, ajo është e mbushur me vepra të mira dhe me adhurime të ligjshme, të cilat e bëjnë besimtarin të jetë në adhurim të vazhdueshëm. E tërë jeta e myslimanit duhet të jetë në adhurim , në vepra të mira me të cilat besimtari afrohet te Zoti i tij. Në jetën e myslimanit adhurimi është i vazhdueshëm, sepse ai është program i jetës së myslimanit. Besimtari për shembull është i obliguar me pesë kohët e namazit, të cilat janë të shpërndara brenda ditës dhe natës. Pastaj namazi i xhumasë një herë në javë, agjërimi i muajit Ramazan një herë në vit. Pastaj, preferohet agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, muaj pas muajit të Ramazanit. Pastaj preferohet agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte për çdo javë. Pastaj agjërimi i tre ditëve të çdo muaji dhe pas këtyre vijnë dhjetë ditët e para të Dhil Hixhes. Jo vetëm kaç, por pastaj haxhi , zekati dhe shumë e shumë fjalë dhe vepra të mira që e bëjnë jetën e besimtarit të lumtur dhe të vazhdueshme në adhurim.
Në jetën e myslimanit ka sezone të adhurimeve, të cilat besimtari duhet ti shfrytëzoj duke shtuar edhe më shumë adhurimet, veprat e mira, fjalët e mira. Prej sezoneve të besimtarit janë edhe dhjetë ditët e para të Dhil Hixhes (dhjetë ditët para ditës së Bajramit), të cilat janë ditët më të bukura dhe më me vlerë të vitit.
Për vlerën e këtyre dhjetë ditëve tregon edhe Allahu në Librin e Tij, i Cili është betuar në këto dhjetë ditë. Ndërsa është e njohur se Allahu nuk betohet në ndonjë gjë, përveç se kur ajo gjë është me vlerë të madhe për njeriun. Allahu thotë në Kuran: Betohem për muzgun e agimit,dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)! ( fexhr 1,2). Ibnu Kethiri, njëri prej komentuesve më të njohur të Kuranit thotë se këto janë dhjetëshi i parë i muajit Dhul- Hixhe. Sikur që Allahu në Kuran këto ditë i ka quajtur ditë të caktuara, për shkak të vlerës dhe rëndësisë që kanë.
Ndërsa për vlerën e këtyre ditëve flasin edhe shumë hadithe të Pejgamberit. Do ti veçojmë dy prej tyre. Transmeton Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ nuk ka ndonjë ditë që vepra e mirë është më me vlerë dhe më e dashur te Allahu se sa në këto ditë. I thanë o i Dërguari i Allahut as lufta në rrugën e Allahut? Tha as lufta në rrugën e Allahut, përveç nëse njeriu del me vetën dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë. ( shënon Ebu Davudi)”. Transmetohet nga Xhabiri se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ditët më të mira të dynjasë janë dhjetë ditët e Dhul- Hixhes. I thanë a nuk janë të ngjashme me to ditët në rrugën e Allahut? Tha as ditët në rrugën e Allahut përveç nëse njeriu nuk kthehet me asgjë”.
Këto ditë kanë veçorit e veta dhe dallohen nga ditët tjera të vitit. Prej veçorive të këtyre ditëve janë: Betimi i Allahut në këto ditë. I ka quajtur Allahu në Kuran ditë të caktuara, në të cilat ka ligjësuar përmendje të caktuar të Allahut: që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara, ( Haxh 28). Veprat e mira në këto ditë janë më të dashura te Allahu se sa në ditët tjera. Transmetohet nga Abdullah b. Umeri se i Dërguari i Allahut ka thënë: nuk ka ndonjë vepër më të madhe dhe më të dashur te Allahu se sa vepra në këto ditë. Andaj, shpeshtoni tekbiret, tehlilet, dhe tahmidet, duke thënë ALLAHU EKBER, LAILAH IL-LALLAH, ELHAMDULILAH”. ( shënon Ahmedi). Në këto ditë është dita e Arafatit ( momenti kur haxhilerët qëndrojnë në kodrën Arafat). Është dita më madhështore e vitit, me të cilën mburret Islami. Është ditë e faljes, shlyerjes së mëkateve, është ditë e amnistisë nga zjarri i xhehenemit, është ditë e krenarisë dhe mburrjes. Transmeton Aisha ( nëna e besimtarëve) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ nuk ka ndonjë ditë që Allahu amniston nga zjarri i xhehenemit robërit e Tij më shumë se në këtë ditë. Në këtë ditë Allahu afrohet te robërit e Tij dhe mburret para melaqeve duke ju thënë çka dëshirojnë këta njerëz? ( shënon muslimi). Në këto ditë është obligimi i haxhit e që është njëra prej shtyllave të fesë Islame. Në këto ditë është edhe dita e therjes së kurbaneve, e që është dita e dhjetë e këtyre dhjetë ditëve, festa më e madhe për myslimanët. Këto ditë janë më të vlefshme se dhjetë ditët fundit të Ramazanit. Ashtu sikur ka thënë dijetari i njohur Ibën Tejmije, kur është pyet se cilat ditë janë më me vlerë, dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, apo dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes ka thënë: “ ditët e dhjetëshit të parë të Dhul-Hixhës janë më të vlefshme se ditët e dhjetëshit të fundit të Ramazanit. Ndërsa, netët e dhjetëshit të fundit të Ramazanit janë më të vlefshme se netët e dhjetëshit të parë të Dhul-Hixhes”. Këto ditë janë ditë sezonale të vitit, në të cilat bashkohen të gjitha adhurimet. Ka thënë Ibnul Haxher: “ ajo çka vërehet se dallimi i këtyre ditëve nga të tjerat është për shkak se në këto ditë bashkohen të gjitha llojet e adhurimeve. Në këto ditë bashkohen namazi, agjërimi, lëmosha, haxhi, e të gjitha këto nuk mundë të bashkohen jashtë këtyre ditëve”.
Adhurimet dhe kryerja e obligimeve janë të kërkuara nga besimtari çdo herë, në çdo kohë dhe në çdo vend. Mirëpo, në ditët sikur janë ditët e para të Dhul- Hixhes veprat vullnetare duhet të shtohen edhe më shumë, për shkak të specifikave që kanë këto ditë. Prej veprave vullnetare që duhet të shtohen më shumë në këto ditë janë: përmendja e Allahut ( dhikri), duke thënë ALLAHU EKBER, LA ILAHE IL-LALLAH, ELHAMDULILAH , leximi i Kuranit. Shpeshtimi i lutjeve duke shpresuar në vlerën e këtyre ditëve dhe në pranimin e lutjeve , shpeshtimi i namazeve vullnetare, sepse namazet vullnetare plotësojnë mangësitë që bëhen në namazet farze,. Namazet vullnetare shtojnë dashurinë e Allahut ndaj robit të Tij, njeriut ia shlyejnë mëkatet dhe e ngritin në shkallë më të larta. Therja e Kurbanit në ditën e dhjetë të këtyre ditëve, ngrënia dhe shpërndarja e mishit për ata që kanë nevojë. Shpeshtimi i dhënies së lëmoshës ndaj skamnorëve dhe atyre që kanë nevojë. Agjërimi i këtyre ditëve, ose së paku i ditës së Arafatit, ditë e cila shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm. Pendimi dhe kthimi te Allahu në këto ditë të bekuara.
Besimtari prej këtyre ditëve dhe argumenteve që flasin për vlerën e këtyre ditëve, nxjerrë mësime dhe dobi të shumta. Prej tyre:
Sinjalet e argumenteve që flasin për vlerën e veprave në këto ditë e edukojnë besimtarin që momentet e rëndësishme, kohërat e veçanta, sezonet e veçanta të dijë ti shfrytëzoj. Këto ditë përsëriten vetëm një herë në vit, dhe nëse besimtari nuk i shfrytëzon, atëherë ka humbur një shans të mirë të përfitimit , ngritjes dhe përsosmërisë shpirtërore dhe ndoshta nuk do të ketë jetë që ti përjetoj ato në vitin e ardhshëm.
Argumentet që flasin për këto ditë, i japin të kuptoj besimtarit se me këto sezone ai duhet të ketë qasje pozitive, që përmes realizimit të tyre ai mund ta ndryshoj jetën e tij, duke përmirësuar adhurimin, fjalët dhe sjelljet e tij.
Përmes vlerës së këtyre ditëve besimtari kupton se lidhjen e tij me Krijuesin duhet ta mbaj vazhdimisht, për mes llojeve të ndryshme të adhurimeve. Përmes këtyre adhurimeve të llojllojshme besimtari kupton se e tërë jeta e tij është në adhurim të Allahut, prej djepit e deri te varri.
Përmes vlerës së këtyre ditëve dhe veprat që janë të porositura në këto ditë besimtari kupton se të gjitha veprat e mira që bëhen për Allahun kanë një qëllim, e ai është arritja e kënaqësisë së Allahut dhe që besimtari të afrohet sa më shumë afër Krijuesit të tij.
Përmes kësaj besimtari kupton se qëllimi i edukatës islame është që të hap dyert për të gjithë ata që dëshirojnë të garojnë në vepra të mira, përmes llojeve të ndryshme të veprave të mira. Dikush ka mundësi të agjëroj, dhe i shfrytëzon këto ditë me këtë adhurim. Dikush ka mundësi ta përmend Allahun më shumë dhe i shfrytëzon këto ditë me këtë adhurim. Dikush ka mundësi të përkushtohet me lutje më shumë dhe i shfrytëzon këto ditë më shumë me këtë adhurim. Dikush ka mundësi të shtoj kapacitetin e namazeve vullnetare më shumë dhe e shfrytëzon këtë sezon me namaze vullnetare.
Andaj, të nderuar besimtarë ! këto janë ditët më të vlefshme të vitit dhe besimtari ti shfrytëzoj në vepra të mira sa të ketë mundësi, me namaz, dhikër, lutje, agjërim, lëmosh, fjalë të mira, edukatë të mirë.